Ministrat nga AAK në qeverinë e re, avokati fajëson LDK-në: Skandal dhe e turpshme, mashtroi elektoratin

Politika

Ministrat nga AAK në qeverinë e re, avokati fajëson LDK-në: Skandal dhe e turpshme, mashtroi elektoratin

Nga: G.B Më: 29 prill 2020 Në ora: 17:14
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa. Foto nga arkivi.

LDK dhe AAK kanë arritur sot marrëveshje koalicioni për ta formuar Qeverinë.

AAK do të ketë një zëvendëskryeministër dhe katër ministra, të cilët u bënë të ditur nga kryetari i kësaj partie.

“Zëvendëskryeministër i parë është Besnik Tahiri, pastaj për ministre e Jashtme është Meliza Haradinaj-Stublla, për opinion nuk është e familjes time për mos t’u keqkuptuar. Njëkohësisht, për ministër të Drejtësisë është Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik është Blerim Kuqi dhe ministër i Arsimit është profesor, Ramë Lika”, tha ai.

E reagime të shumta ka pasur lidhur me Meliza Haradinajn si ministre e jashtme dhe Ramë Lika, ministër i arsimit.

Ky i fundit sipas ORCA-s, është avancuar me plagjiaturë, ndërsa Haradinaj-Stublla është e dënuar me 8 muaj burg me kusht.

Image
Gent Gjini

Lidhur me këtë, avokati Gent Gjini, ka thënë për gazetën "Bota sot" se ky koalicion ka qenë befasi, derisa emrat e ministrave nga AAK i quan skandal dhe e turpshme.

"Vet përafrimi i këtyre partive, për një koalicion të mundshëm ka qenë befasi e madhe, për politikën në vend, qytetarët e Kosovës, shoqërinë civile dhe gjithë ata që kanë shpresuar për një politikë me parime të sinqerta nga ana LDK-së. Tanimë, kur kemi mësuar edhe emrat se kush do jenë ata ministra nga partneri i koalicionit, nga AAK-ja, kjo është skandal në vete dhe e turpshme, sepse figurat e tyre kanë probleme me ligjin, faktikisht kanë aktgjykime të formës së prerë te cilëve iu është vërtetuar përgjegjësia penale për keqpërdorimet që kanë mundur të bëjnë", është shprehur ai.

Sipas tij, fajtore për këtë është LDK-ja, e cila ka trumbetuar se do të formojë qeveri pa persona që kanë probleme me ligjin.

"Mendoj se fajin kryesor, këtu e ka partia e LDK-së, sepse po këta kanë trumbetuar pothuajse, në çdo emision të natës e të ditës se koalicioni që do ta formojnë, do të jetë i pastër, në kuptim qe nuk do përfshijë persona që kanë problem me ligjin, që kanë aktgjykime të formës së prerë, që kanë aktakuza apo edhe që janë nën hetime", ka vlerësuar Gjini.

Avokati shton se se koalicioni e ka treguar ogurzinë e tij, duke thënë se LDK ka bërë hipokrizi dhe demagogji, duke u tallur me qytetarët.

"Pra, ky koalicion që në fillim, ka treguar ogurzinë e saj, se me kë do ta formojë qeverinë dhe me cilat figura dhe pikërisht kjo është arsyeja se partisë së LDK-së, iu ka rënë elektorati, kredibiliteti pra nga një parti që tradicionalisht ka qenë dhe punuar për shtetin, në një parti për klanet dhe pazaret me të vetmin qëllim që të i realizojë planet meskine ky koalicion. Pra të hiqesh në njërën anë, si reformues dhe premtues përballë popullit në retorika të vjershave e në anën tjetër të veprosh kundër fjalëve është thjeshtë hipokrizi, demagogji dhe tallje me qytetarët dhe elektoratin duke na fyer gjithëve inteligjencën me “kapacitetet akademike” që ata i kanë", ka deklaruar Gent Gjini për "Bota sot".

Ndryshe, LDK ka bërë koalicion edhe me Listën Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat