Ministrat e AAK-së, Zogaj: Të eliminohen ata që kanë probleme me ligjin

Politika

Ministrat e AAK-së, Zogaj: Të eliminohen ata që kanë probleme me ligjin

Nga: G.B Më: 1 maj 2020 Në ora: 10:42
Ramush Haradinaj dhe Meliza Haradinaj Stublla

LDK-AAK-Nisma dhe Lista Serbe pritet të formojnë Qeverinë e re, derisa presidenti i vendit e ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër, si kandidat i propozuar nga LDK.

Kjo e fundit kishte kritikuar vazhdimisht AAK-në dhe Nismën kur ishin në pushtet.

E në këtë qeveri, përpos që do të jetë partner koalicioni, nga Lista Serbe do të ketë edhe një zëvendëskryeministër.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se në një shoqëri demokratike është normale kur pozita dhe opozita kritikohen ashpër dhe këto nuk kanë rëndësi për të bashkëpunuar.

"Në një shoqëri demokratike, siç pretendojmë të jemi edhe ne, gjithçka përcaktohet me numrin e votave dhe nëpërmjet të votave dikush e merr pushtetin dhe dikush mbetet në opozitë! Kjo është rruga, prandaj është krejtësisht normale kur pozita dhe opozita kritikohen ashpër, sepse ky është instrumenti themelor demokratik i funksionimit të një demokracie të mirëfilltë! Kjo nënkupton se kritikat ndërpartiake nuk kanë aspak rëndësi, dhe aq më pak të konsiderohen pengesë kurdo që partitë politike shprehin dëshirë (ose gjejnë interes të përbashkët) për bashkëqeverisje", është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, marrëveshja LDK-AAK është një përpjekje normale dhe shpreson që kanë marrë mësim nga e kaluara.

"Në këtë plan marrëveshjen e LDK-së me AAK-në e shoh si një përpjekje shumë normale, e cila nëse, këto dy parti kanë marrë pak mësim nga gabimet e së kaluarës, kanë rastin e mirë me u kthjellë dhe me i sjellë vendit dhe popullit një rikthim kah mirësia dhe ditët më të mira! Mbi të gjitha ligji duhet të funksionojë dhe ta luftojë krimin dhe korrupsionin e organizuar", ka vlerësuar Zogaj.

Sa i përket kritikave që u bënë ndaj emrave të propozuar për ministra nga ana e AAK-së, Zogaj shton se zgjedhja e kuadrove duhet të bëhet me kujdes dhe të eliminohen ata që kanë probleme me ligjin.

"Po, është e vërtetë që zgjedhja e kuadrove duhet të bëhet me kujdes dhe të eliminohen ata që kanë probleme me ligjin! Por, të këtillët, është detyrë e institucioneve të drejtësisë të veprojnë me fakte e jo, nga thashethemet e rrugëve dhe medieve, të cilat janë bërë autoparlantë të shpifjeve, duke u bërë hyzmeçare të matrapazëve të cilët janë kumbarët e korrupsionit, të Sorosit dhe të parave të pista që enden nëpër OJQ-të mercenare, që po e tromaksin publikun me fushata të shpifjeve dhe rrenave monstruoze! Nga këto qarqe janë duke u yshtur shumë gazetarë dhe të ashtuquajtur analistë, që sillen si mizat pa krye dhe në vend se t'i shërbejnë po e helmojnë vendin", ka deklaruar Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat