Pacolli i bëri nder Serbisë duke u munduar ta sulmojë qeverinë Kurti

Politika

Pacolli i bëri nder Serbisë duke u munduar ta sulmojë qeverinë Kurti

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 maj 2020 Në ora: 19:58
Behgjet Pacolli

Ish presidenti i Kosovës, tash deputet i Kuvendit, Behgjet Pacolli, ngjalli reagime të mëdha me një deklaratë të tij kur tha se u frikësua që shteti i Kosovës do të bënte akt terrorist në avionin e tij, e për këtë arsye sipas Pacollit, ai ateroi fillimisht në Tiranë.

Deklarata e Pacollit u cilësua si skandaloze dhe gjithashtu u shfrytëzua nga mediat serbe, duke e bërë kështu edhe skandalin më të madh. Ai u kritikua ashpër në opinionin publik, pasi kjo deklaratë është e ngjashme me qëndrimin serb dhe rus ndaj shtetit të Kosovës.

Reagim ndaj deklaratës së Pacollit kishte edhe nga qeveria e Kosovës, ku zëdhënësi i qeverisë i kërkoi Pacollit të kërkojë falje për deklaratën e dhënë.

“Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij, se është frikësuar që institucionet e shtetit të Kosovës do të kryejnë “akt terrorist” ndaj tij, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se deklarata e Pacollit nuk është befasi, sepse sipas tij, këso deklarata dhe gafa Pacolli kishte edhe në të kaluarën.

Image
Shpejtim Bulliqi

Bulliqi thotë se Pacolli ra pre e aventurave anti kushtetuese të Mustafës dhe Thaçit.

“Deklarata e z. Pacolli nuk më ka shokuar, sepse duke ja përcjellë kronologjinë e deklarimeve të pamatura dhe gafave të mëparshme ndër vite, do të duheshim mos ta marrim serioz këtë deklarim të tij. Të vetmen drojë qe kam është se këtë deklarim do ta keqpërdorin autoritetet serbe në vazhdën e sulmeve të tyre kundër shtetit te Kosovës por që tashmë me deklarime të vet deputetit të Kosovës. Ai ra pre e aventurave anti kushtetuese të Isës dhe Hashimit, presionit të tyre, andaj edhe bëri gafën e radhës”, u shpreh Bulliqi.

Ndërsa ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama e vlerësoi deklaratën e Pacollit si të çmendur. Ajo thotë se nuk duhet të çuditemi nëse Daqiq e përmend këtë në KS të OKB-së.

Image
Alma Lama

“Deklarimi i Pacollit është tërësisht i papërgjegjshëm, gënjeshtër por dhe shumë i dëmshëm, dhe kjo u pa se mediat e Beogradit e cituan, ndërsa nuk është çudi që Daçiqi apo Rusia ta përmendë në këshillin e Sigurimit. Të thuash se kisha frikë se institucionet e shtetit do të më bënin ndonjë sulm terrorist, është çmenduri. E kur këtë e thotë një ish ministër i jashtëm, zëvendës-kryeministër e sot deputet, kjo është papërgjegjshmëri totale”, tha Lama.

Ajo kërkon nga ai që ta tërheq sa më shpejt deklaratën dhe të kërkojë falje publike.

“Gjëja më e saktë që Pacolli duhet të bëjë tani, është që të tërheqë deklaratën, të kërkojë falje publike dhe të dorëzojë mandatin e deputetit. Përmasat e deklaratës së tij, janë ndërkombëtare, ai e cilësoi Kosovën një shtet terrorist. Në këtë mënyrë Kosovën e cilëson vetëm Rusia dhe Serbia. Pak rëndësi ka nëse e ka bërë për të njollosur Vetëvendosjen, apo thjeshtë ka gënjyer për motive të tjera. Deklarata e tij, ka dëmtuar interesin e kombëtar të shteti të Kosovës, pasi ai është njeri më funksione zyrtare, jo një qytetar i thjeshtë”, potencoi Lama.

E profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami i tha gazetës “Bota sot” se deklaratat e Pacollit se ndihej i rrezikuar ishin të pavërteta nga ana e tij, pasi sipas Islamit, Pacolli e ka ditur se nuk ka pasur asnjë arsye për t’u shqetësuar për ndonjë sulëm terrorist.

Image
Avni Islami

“E dëgjova me vëmendje deklaratën e Kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli pas aterimit në aeroportin e Prishtinës, duke thënë se ndihej i rrezikuar nga sulme terroriste, kjo është shqetësuese për shkak se edhe ai e di shumë mirë se e vërteta është ndryshe pra nuk ka, e as nuk pas asnjë arsye me u shqetësuar për ndonjë sulëm terrorist , as Pacolli e as një qytetar i Kosovës sepse duhet t’i falënderojë publikisht mekanizmat e sigurisë së vendit tonë se janë në nivelin ma të lartë të kryerjes së detyrave në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në tërë territorin e Kosovës”, theksoi Islami.

Ai thotë se Pacolli iu dha favor mediave serbe të cilat i dhanë jehonë kësaj deklarate, duke e paraqitur Kosovën si vend të pasigurt.

“Kjo deklaratë e Pacollit është më tepër politike sesa gjendja faktike, për këtë arsye, fituese dolën vetëm mediat në Serbi të cilat i dhanë jehonë, duke e paraqitur Kosovën si vend i paqëndrueshëm dhe i pasigurt”, përfundoi Islami për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat