Një vrasje çelës për hetimin e një rrjeti kriminal të vrasjeve politike në Kosovë!

Politika

Një vrasje çelës për hetimin e një rrjeti kriminal të vrasjeve politike në Kosovë!

Nga: N.SH Më: 4 maj 2020 Në ora: 12:33
Halil Ahmet Dreshaj - Luni

Një vrasje pa bujë, jo e një njeriu të thjeshtë, por e një luftëtari. Ai u vra në shtëpinë e tij, mendohet se me tradhti, në një sulm të armatosur, që cak e kishte njeriun, që ishte urdhëruar të kryente disa vrasje. Sipas dëshmive kishte një listë prej 26 vetash, kryesisht luftëtarë, veprimtarë dhe zyrtarë të LDK-së.

Luftëtari nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa babai i tij mbet i plagosur.

Por, si është e mundur që të mbetej një vrasje dhe një tentim vrasje, të mbetej në heshtje kaq gjatë?!

Një njeri i pa përkujtuar, thuaj sikur të mos kishte dashur të jetonte vet më tej.

Por, ata që e kanë njohur nuk besojnë se ai e meritonte të harrohej nga shoqëria e tij për gati 20 vjet.

Ata që ishin afër tij në luftë ose ata që mbajnë mend tregimet e bashkëluftëtarëve të tij, flasin për një njeri me karakter, madje të guximshëm dhe sypatrembur.

Aq sy patrembur, sa edhe kur u urdhërua të kryente vrasje në këmbim të shpëtimit të jetës, ai refuzoi. Madje nuk i mjaftoi refuzimi, shkoi edhe më tej. Ua rrëfeu të gjitha atyre, për të cilët kishte marrë urdhër ti privonte nga jeta.

Ai është Halil Ahmet Dreshaj, një tjetër aktivist i LDK-së, për të cilin thuaja askush nuk kërkoi drejtësi. I mbetur thuaja edhe jashtë listës së njerëzve të vrarë me motive politike të partisë së tij, LDK-së.

Por, vrasja e tij, përkatësisht zbardhja e kësaj vrasje mund të çojë në zbulimin e një serie të vrasjeve politike, kryesisht të aktivistëve të LDK-së, strukturën organizative, që çon nga udhëheqës lokal të UÇK-së, deri tek komandant rajonal, të Zonës së Dukagjinit.

Dreshaj kishte marrë detyra speciale nga shërbimi inteligjent, që për shumë vite do të njihej me emrin zyrtar SHIK, i deklaruar vetëm pas pavarësisë me 2008, kur dha një deklaratë për shuarjen e tij, drejtori i përgjithshëm Kadri Veseli.

Gjatë luftës në Kosovë, deri në shkarkimin ky ishte zëvendëskomandant i Smajl Hajdarajt, një figurë mjaft popullore e LDK-së, që do të pësonte nga një atentat në pragun e banesës së tij në Pejë, ku po jetonte.

Smajl Hajdaraj, sipas letrës së tij “testament”, një muaj para ekzekutimit në vitin 2002, ishte deri më 14 janar 1999, komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës, dhe kishte vazhduar të luftonte së bashku me Halil Dreshajn deri në shpartallimin e njësive të Rugovës, me 21 prill 1999, deri atëherë, po sipas letrës dëshmi të Hajdarajt, “Rugova ishte territor i lirë”, dhe që shërbente si një zonë për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas të luftëtarëve, por edhe të refugjatëve të Dukagjinit.

Duket se ishte pikërisht refuzimi për ta ekzekutuar Smajl Hajdarajn, që çoi në vrasjen ndaj tij, ndër rastet e pakta të vrasjes brenda shtëpisë.

Kjo vrasje shënon po ashtu një thyerje të madhe të kodit shqiptar, të Kanunit, besës, një kodi mijëravjeçar shqiptar, i ardhur ndoshta që nga prehistoria dhe i mbijetuar, si thuhet në malet shqiptare, duke shërbyer si kod kombëtar, edhe në kohë të pushtimeve të gjata me shekuj, dhe si pajtues ndaj riteve të ndryshme fetare.

Sfondi i konfliktit

Halili ishte një aktivist prej kohës i Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës, një lëvizje, që mblodhi rreth vetes thuaja të gjithë shqiptarët (me fare pak përjashtime), pavarësisht dallimeve krahinore, fetare, urbane apo fshatare, deri tek ata shqiptarë, që mund të kishin pasur lidhje me ish-sistemin komunist, në shenjë të pajtimit për të ndërtuar fitoren –çlirimin ndaj Serbisë dhe Millosheviçit.

Ky organizim i brendshëm i fuqishëm, ku popullsia shumicë absolute shqiptare e lidhi fatin me Ibrahim Rugovën, u bë pengesë e fuqishme për përpjekjet e të tjerëve, veçmas të një krahu politik me bazë në mërgatë që pretendonte të ishte radikal, dhe që edhe sot ia atribuon vetes, meritat e organizimit të luftës.

Mungesa e madhe e mbështetjes së këtij grupimi, të lidhur kryesisht me organizatën LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës, më parë LPRK- Lëvizja për Republikën e Kosovës –për një republikë brenda ish-Jugosllavisë) do ta nxiste këtë, me gjasë edhe me mësime nga ndonjë shërbim inteligjent armiqësor të krijonte armiqësi në organizimin politik të tyre, deri atëherë tejet unik me Rugovën në krye.

Kjo Lëvizje do të ndahej në dy grupime, dega e Gjermanisë nga një lëvizje kryesore do të mbetej në dytësore, dhe dega e Zvicrës, që do të merrte në vijim udhëheqjen organizative të UÇK-së, jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës, “Pushtetit paralel”, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes të saj, që deri në shtatorin e vitit 1998 do të udhëhiqej nga kolonel Ahmet Krasniqi, ushtarak i karrierës, kur u ekzekutua në Tiranë, pas një sërë kërcënimesh nga anëtarë të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Ky grupim do të krijojë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe drejtorinë politike të saj.

Ky grupim duke e parë të pamundur rritjen e zgjerimit në atë masë, sa ta fitonin shumicën e besimit të shqiptarëve, do të orientohet në dy drejtime, eliminimin e kundërshtarëve politik në hierarki të organizimit, lart dhe poshtë, sikurse konfirmohet edhe në disa lista të bëra publike në media, që në luftë 1998/1999; nga Ibrahim Rugova, si kryetar deri tek udhëheqësit lokal dhe veprimtarët e dalluar në nivel kombëtar apo lokal.

Kush ishte Halil Dreshaj

Halil Dreshaj duke qenë aktivist i LDK-së prej kohësh, dukej se e kishte të pamundur që të hiqte dorë nga besimi në personalitetin e Rugovës, dhe të politikanëve lokal besnik të tij, të cilët në masë, kryesisht kishin shumë respekt.

Përveç që nuk mund t’i besonte një krahu kundërshtar që kishte vënë në listë të ekzekutimit Ibrahim Rugovën, kjo e bërë edhe më kërcënime publike prej vitesh,

Halili është e qartë që nuk ishte pajtuar me kryerje të vrasjeve në mes të shqiptarëve.

Ky besim do të kthehet në viktimizim të tij.

Halil Dreshaj ishe luftëtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës ishte zëvendës i Smajl Hajdarajt dhe shef në sektorin për informim në Rajonin e Rugovës, që njihet si Brigada 136 e Rugovës.

Pavarësisht rreziqeve dhe presioneve deri në shpartallimin e kësaj Brigade gjatë luftës, në kohën e bombardimeve të NATO-s, ai ishte treguar besnik i këtij organizimi dhe strukturës, duke dëshmuar seriozitet dhe dinjitet, dhe kishte mbetur besnik ndaj komandantit të tij, kryetarit të LDK-së për Rugovë, Smajl Hajdarajt. Ky vlerësohet të jetë një nga kontributet më të mëdha të tij në luftë, duke marrë vlerësim maksimal për këtë nga bashkëluftëtarët.

Besnikëria e tij në luftë, dhe suksesi i Brigadës 136, që në një mënyrë nuk kishte marrë ndihmën e duhur nga mbështetësit e luftës, as në armatim e pajisje, as në ushqim e veshmbathje, ishte shndërruar në objektiv të strukturës së Shtabit të Përgjithshëm, SHIK-ut (Shërbimit Informativ).

Kështu që ai do të kërcënohej drejtpërdrejt me jetë nëse nuk largohej nga Brigada 136, përkatësisht nga struktura udhëheqëse e Smajl Hajdarajt.

“Ishte kërcënuar disa herë dhe kishte marrë kërkesa që të largohej nga Smajli nëse dëshiron të jetoj”, thotë burimi ynë.

Meqë Halil Dreshaj ishte këmbëngulës në qëndrimet e tij, se ai nuk e tradhton luftën, as Smajl Hajdarajn, që ishte komandant me nam nga zona e Dukagjinit, dhe nuk po e respektonte kërkesën që ai të largohej nga Hajdaraj, nëse nuk dëshironte të vritej, atij do t’i ofrohej një ‘mundësi e re për mbijetesë’!

Kështu një ditë S.L. atëherë i angazhuar nga strukturat e Shtabit të UÇK-së, i ishte drejtuar me një letër zyrtare Halil Dreshajt.

Emri i lartcekur i njohur për redaksinë, aktualisht është pjesë e AAK-së, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, pas shërbimit deri më 2019 në PDK, dhe për disa vjet zyrtar në komunën e Pejës.

“S.L. e kishte kontaktuar personalisht Halil Dreshajn për t’ia dhënë një letër me emrat e 26 personave që duheshin ekzekutuar, ndër ta ishte edhe komandanti i tij Smajl Hajdaraj. Halilit ia kishin dhënë edhe një armë që të kryente këto vrasje”, thotë burimi ynë ...

Ky informacion përbën çelësin e një hetimi zinxhiror, që mund të çojë në zbulimin e një numri të konsiderueshëm vrasjesh, dhe po ashtu në zbulimin e rrjetit të strukturës së krimit, përkatësisht të organizatorëve të vrasjeve politike, nga S.L. tek Shtabi i Përgjithshëm, në linjë vertikale dhe në linjë horizontale, tek sektorët e SHIK-ut në Brigada dhe njësi të UÇK-së.

“Dreshaj pasi e merr këtë urdhër dhe me emra të shkruar në letër ai shkon te komandanti i tij Smajl Hajdaraj dhe ia tregon edhe letrën edhe i pohon se nga kush po i vinte urdhri dhe i thotë Smajl duhet të ruhesh”, thotë burimi.

I pyetur nga Smajl Hajdaraj, se kush e ka dërguar të kryente ekzekutimin, Dreshaj thotë, S.L. me urdhër te komandantit të Zonës operative te Dukagjinit.

Sipas burimeve, Smajl Hajdaraj e falënderon për këtë paralajmërim.

Pasi që Halil Dreshaj nuk e kryen këtë mision ogurzi një ditë qershori njerëz në uniforma të UÇK-së i trokasin në derë dhe e sulmojnë me armë automatike, në shtëpi.

Halili plagoset rëndë dhe vdes në rrugën për në spital e në sulm mbetet i plagosur edhe babai i tij Ahmet Dreshaj, i cili i shpëton më të keqes.

Sipas dëshmisë së babait të Halilit, në sulmin vrastar kishin marrë pjesë 4 veta me uniforma të zeza të UÇK-së dhe me maska, të cilët kishin arritur ta plagosin edhe Ahmetin rëndë, por ai u mbijeton plagëve.

Arrestimi dhe kërcënimi në Shqipëri

Gjatë bombardimeve të NATO-s Halili kishte shkuar në Shqipëri me familjen e tij dhe atje ishte arrestuar nga S.G.

Kur kishin filluar ta merrnin në pyetje Halilin, ai u kishte thënë: “O njerëz, edhe unë jam ushtar i UÇK-së, sikur ju që jeni”.

S.G. i kishte kërkuar një dëshmi, dhe atë ia kishte sjellë Halili, dhe pastaj ishte liruar.

Pas këtij arrestimi Dreshaj ishte ftuar edhe njëherë të merrej në pyetje. Kësaj here nga autoritetet e shërbimit inteligjent atje.

“Edhe në zyrën e Fatos Klosit ishte ftuar, dhe nga aty pas bisedave ishte liruar”, thotë burimi.

Por, intervistat nuk ishin kërcënimi i vetëm për të. Si duket mospërmbushja e detyrave, mospërmbarimi i vrasjeve të listës me 26 veta, ishin gabime të pafalshme për SHIK-un, që sipas këtyre rrethanave, dukej se bashkëvepronte me SHIK-in, Shërbimin Kombëtar të Shqipërisë (si quhej atëherë), prandaj do t’i vihej pas.

Kështu gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri u kishte shpëtuar dy atentateve.

Kur kthehet në Kosovë pasi që NATO-ja kishte hyrë në qershor të vitit 2000, në shtëpinë e tij vritet nga katër pjesëmarrës në vrasje, të cilët ishin me uniformë të UÇK-së, ndërsa aty plagoset edhe babai i tij Ahmet Dreshaj.

Është interesant fakti se si një vit pas mbarimit të Luftës, dhe demobilizimit të UÇK-së, në shtatorin e vitit 1999, ende struktura të caktuara, tinëzisht përdornin uniformën dhe shenjat e UÇK-së.

Në pyetjet e bëra familjarëve për hetimin e vrasjes së Halil Dreshajt dhe plagosjen e Ahmet Dreshajt, se nëse është hetuar ndonjëherë ky rast, ata janë deklaruar se UNMIK-u dhe EULEX-i i kanë hetuar, por asnjëherë, kjo vrasje politike si shumë të tjera nuk janë zbardhur.

Në pyetjen tjetër se a është duke e trajtuar këtë vrasje dhe plagosjen Gjykata Speciale, familjarët thonë: “Aty i kemi Shpresat, që më në fund të zbardhet vrasja e familjarit tonë dhe vrasjet e tjera të pasluftës”!

Çfarë dëshmojnë dokumentet

Në vitin 1999, sipas dokumentit të siguruar nga ne, nocioneve dhe shenjave që përmban, rezulton se është vendim i “Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit, Brigada 136 “Rugova”, Drelaj më: 02.03.1999”, me të cilin vendim, që thirret në një dokument zyrtar të Shtabit të Përgjithshëm, “Rregullores së përgjithshme të UÇK-së, dhe në bazë të dispozitave të përgjithshme për formimin e “njësiteve dhe subjekteve” të UÇK-së bie vendim që: zotëriu Halil Dreshaj dhe Muhamet Halili të angazhohen në sektorin e Shërbimit Informativ të Kosovës për nevojat e Brigadës 136, dhe për nevojat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këta persona i kanë kompetencat e plota për veprim në raste konkrete e në raste tjera në konsultim me Komandantin e Brigadës dhe me organet tjera kompetente të caktuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Kosovës”, thuhet në këtë dokument, i nënshkruar nga Komandanti i Brigadës 136 Florim Qelaj, dhe i vulosur me vulë përkatëse.

Analizë e dokumentit të mësipërm

1. Ky dokument vërteton ekzistimin e Shërbimit Informativ të Kosovës (më tej SHIK).

2. Dokumenti vërteton ekzistimin e strukturave të SHIK-ut në çdo brigadë, veçmas meqë kjo brigadë ishte nga më periferiket dhe më të pakta në numër, të paktën në vitin 1999.

3. Dokumenti argumenton se nuk ishin vetëm dy persona të SHIK-ut në Brigadë, meqë këta dy veta. Dreshaj dhe Halili ishin emëruar si anëtar të sektorit, pra aty së paku kishte edhe një shef sektori dhe një zëvendës.

4. Dokumenti, edhe pse nuk e thotë shprehimisht i jep kompetenca të qarta të emëruarve në sektorin e Shërbimit Informativ të Kosovës, që të kryejnë akte: “Këta persona i kanë kompetencat e plota për veprim në raste konkrete e në raste tjera në konsultim me Komandantin e Brigadës dhe me organet tjera kompetente të caktuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Kosovës”!

Duke u mbështetur në një mori dëshmish të tjera, dokumentesh, informacionesh, dëshmish publike, rezulton, se këto kompetenca të papërcaktuara në mënyrë shprehimore, nënkuptojnë ‘kompetencën për të vrarë, pra për të ekzekutuar persona brenda “Brigadës” ose edhe sipas kërkesave të “Shtabit të Përgjithshëm”.

Por, Halil Dreshaj do të vritej para Smajl Hajdarajt, me shumë gjasë, për shkak të refuzimit sistematik për të kryer vrasje politike, vrasjen e Smajl Hajdarajt veçanërisht, por edhe për të zhdukur dëshminë, e vrasjes së ardhshme të Smajl Hajdarajt, dhe listën prej 26 vetave, caqeve të ekzekutimit (në një rajon mjaft të shpopulluar si Rugova. Kjo shtron pyetjen se sa e gjatë dhe e besueshme është gjatësia e listës së ekzekutimeve për Prishtinën apo një rajon të populluar shumë dhe të përfshirë në luftë, si Drenica).

Smajl Hajdaraj një muaj para ekzekutimit la dëshminë, sipas së cilës në luftë, më e pakta ekzistonte një grup në strukturën e UÇK-së, i cili e ka penguar edhe luftën e mirëfilltë, që dëshmon se kjo strukturë nuk ishte e përqendruar në luftë kundër Serbisë, por në krijimin e favoreve për të siguruar dominim pas luftës: “Vlen te theksoj se organizimin ushtarak dhe luftën e mirëfilltë gjithnjë e ka penguar një grup që për koncept ushtarak e kishin konceptin jashtinstitucional. Ushtrinë çlirimtare donin ta familjarizojnë, ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë për interesa karrieriste dhe thjeshtë personale. Këtë e ka dëshmuar edhe koha. Lufta e tyre më e madhe ishte kundër atyre pak institucioneve të krijuara dhe ndaj pjesëtarëve të LDK-së (lexo shumica rugovase).”

Halil Dreshajt në vitin 2016 i është ndarë certifikata e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nr. protokolli 16/5977, me datë 4 maj 2016, nënshkruar nga gjeneral lejtnant Agim Çeku, kryetar i Komisionit përkatës, shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Po ashtu ky status i tij, por post mortum, dokumentohet edhe me vërtetimin e lëshuar nga Zyra për çështja të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nr. protokolli, 27539/2016, që mban datën 24 maj 2016. Vërtetimi sipas dokumentit thuhet se është lëshuar me qëllim të realizimit të së drejtë për pension personal të veteranit luftëtar, të përcaktuar sipas nenit 16 të Ligjit nr.04/L-261.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat