Lojërat politike fatale për Kosovën

Politika

Lojërat politike fatale për Kosovën

Nga: D.B. Më: 4 maj 2020 Në ora: 12:54
Objekti i Qeverisë

Qëndrimi i gjatë në politikë nuk është garanci për pjekuri më të madhe të politikaneve. Shtetin duhet bërë e jo vetëm shpallur, pasi po nuk u bë shteti me hapa më të shpejtë dhe më vendimtar ekziston rreziku, që ai mund edhe të zhbëhet.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Ejup Berisha ka thënë se një shtet mund ta zhbëjnë faktorët e jashtëm, madje edhe ata të brendshëm nëse këta të fundit, nuk janë pjekur politikisht apo nëse të njëjtët me politikat ‘avantureske’ dhe adoleshente që i instalojnë dhe zbatojnë në shtet dukshëm mund ta rrezikojnë procesin e shtet formimit.

“Pjekuria politike nuk varet nga kohëzgjatje e politikanëve në politikë. Sjellje adoleshente mund të manifestojnë edhe njerëz në mosha më të shtyra kjo kohëzgjatje më e gjatë e të qëndruarit në skenën politike nuk garanton pjekuri më të madhe politike këtë e them nga përvoja ime. E shoh se kundërshtarët politik të pushtetarëve të ri të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani filluan ti quajnë këta të fundit kalama politik, kjo gjithmonë asocon në papjekuri politike sipas kundërshtarëve politik të Vjosës dhe Albinit. Kinse ata që ishin deri para disa muajve në pushtet në Republikën e Kosovës, kanë bërë gjëra shumë të mëdha apo dhe mrekullia në Kosovë. Ta them të vërtetën unë asnjëherë më parë nuk kam dëgjuar ndonjë koment të tipit Albini dhe Vjosa në pushtet Kosovës po i vie era shtet ndërsa në kohët e mëhershme nuk kishte kurrë këso komentesh pozitive në opinionin e Kosovës për ish pushtetarët. Si duket në kohën e mëparshme qytetarët nuk ishin të disponuar ti jepnin komplimente pozitive elitave politike në pushtet të cilat e kishin penguar lirinë e shprehjes dhe demokracinë në shtetin më të ri në rajonin e Gadishullit Ballkanik”, ka thënë analisti Berisha.

Image
Ejup Berisha

Sipas tij, nuk duhet të lëvdohen shumë ata që në Kosovë ishin gjatë kohë në pushtet, sepse nuk sollën shumë gjëra të mira dhe të mëdha për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

“Pjekuri politike nuk quhet varfërimi i qytetarëve të vendit, keqpërdorimi dhe përvetësimi i pronës shoqërore dhe shtetërore; eliminimi i demokracisë, mosrespektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, detyrimi i qytetarëve që të shpërnguljen në shtetet e botës dhe mos ti përmendi edhe dukuritë e tjera shumë negative që u bënë realitet në Republikën e Kosovës gjatë sundimit të të vetëquajturve baballarë të politikës kosovare. Pra përvoja e gjatë e të qëndruarit në politikë i disa individëve nuk është garanci, për pjekuri politike ngjashëm siç ka raste të prindërve me përvojë të gjatë prindore të cilët nuk kanë arritur tu sigurojnë kushte elementare për jetë fëmijëve të tyre e për kushte më të mira as që bëhet fjalë. Prindërit e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm bile i kanë lënë jo vetëm pa bukë por edhe pa kurrfarë perspektive pasardhësit e tyre”, ka thënë analisti Berisha.

Ai konsideron se sot shteti i Kosovës ka arritur në situatën më kritike të ekzistencës, sepse dikush naivisht ka menduar se obligimet tona rreth shtet formimit do ti kryejnë të tjerët.

“Amerikanët këto çështje rreth shtet formimit të tyre i kanë kryer para më shumë se 200 viteve dhe ata më së miri e dinë mënyrën dhe rrugët se si bëhet shteti. Po ta kishin keqpërdorur amerikanët shtetin e tyre për interesa personale dhe grupore qysh moti SHBA-të do të zhbëheshin si shtet. Ngjashëm siç nuk arritën që forcat politike në Kosovë që ta bëjnë shtetin këta bile fatkeqësisht edhe janë duke e zhbërë shtetin përmes futjes në aventura shumë të rrezikshme negociuese me faktorin politik serb rreth mundësisë së shkëmbimit të territorit të Kosovës ku një pjesë ajo në veri të Mitrovicës është duke u folur që ti jepet Serbisë ndërsa lugina e Preshevës po flitet se do ti jepet Kosovës. Prandaj këto lojëra politike nuk do ti rrisin politikanët e Kosovës por do të dëshmojnë se sa të vegjël dhe të papjekur kanë qenë, janë dhe do të jenë nëse këta nuk mundohen që ta ndihmojnë procesin e bërjes së shtetit të Kosovës”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat