Tomë Gashi tregon si do të vendos përfundimisht Kushtetuesja pas 29 majit, a do të ketë Qeveri Kurti2

Politika

Tomë Gashi tregon si do të vendos përfundimisht Kushtetuesja pas 29 majit, a do të ketë Qeveri Kurti2

Nga: G.B Më: 4 maj 2020 Në ora: 18:09
Tomë Gashi

Në kohë pandemie në gjithë botën, Kosova u përball edhe me krizën politike, ku me 25 mars përmes një mocioni të iniciuar nga LDK, u rrëzua Qeveria Kurti.

Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kërkoi të shkohet në zgjedhje pas pandemisë, ndërsa partitë tjera kërkuan formimin e një qeverie të re.

Kështu, LDK bëri koalicion me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe, me kandidat për kryeministër Avdullah Hotin, i cili u mandatua me një dekret nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këtë dekret e pezulloi Gjykata Kushtetuese deri me 29 maj, pas ankesës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, çfarë pritet të ndodhë pas kësaj date?

Avokati Tomë Gashi, duke folur për këtë çështje për gazetën "Bota sot", ka thënë se Gjykata Kushtetuese vendosi në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe se me 29 maj do të vendoset që vendi të shkojë në zgjedhje, siç edhe parashihet me Kushtetutë.

"Duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin është miratuar masa e përkohshme e cila ka qenë kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje, e me të cilën është pezulluar menjëherë zbatimi i menjëhershëm i dekretit të Presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit të z.Avdullah Hoti që të formojë qeveri të re dhe duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese është thirrur në dispozitën e nenit 82.2 të Kushtetutës së Kosovës, dhe duke pasur parasysh që kjo Kushtetutë e Republikës së Kosovës nuk do të ndërrohet deri me datën 29 maj 2020. Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe vendi do të shkojë në zgjedhje, siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës", është shprehur ai.

Sipas Gashit, zgjedhjet nuk do të mbahen pse kërkon VV por pasi e parasheh Kushtetuta dhe se nuk do të kemi Qeveri Hoti por pas zgjedhjeve do të kemi Qeverinë Kurti2.

"Ne nuk do të kemi Qeveri Hoti por pas zgjedhjeve do të kemi Qeverinë Kurti2. Kosova/vendi pas mocionit të mosbesimit do të shkojë në zgjedhje, jo për atë që e kërkon këtë Vetëvendosje, por që këtë e parasheh si mundësi të vetme Kushtetuta e Republikës së Kosovës", ka deklaruar Tomë Gashi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat