Qeveri e re apo zgjedhje pas 29 majit, analisti tregon zgjidhjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Politika

Qeveri e re apo zgjedhje pas 29 majit, analisti tregon zgjidhjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Nga: G.B Më: 5 maj 2020 Në ora: 20:59
Foto ilustruese

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për formimin e Qeverisë, deri me 29 maj.

E për këtë çështje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar kërkesë për mendim Komisionit të Venedikut, i cili ka thënë se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se me vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte akti më dinjitoz juridik dhe politik, sepse pas rrëzimit të turpshëm të qeverisë Kurti nga LDK, skena politike në Kosovë u shndërrua në një arenë të paskrupullt të garave për pushtet, në një poligon qitjesh me lloj-lloj “armësh” njëra parti kundër tjetrës.

"Pa dyshim, se Gjykata kushtetuese me vendimin e saj për pezullimin e dekretit të presidentit Thaçi, për formimin e qeverisë nga LDK-ja, si parti e dytë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ka bërë aktin më dinjitoz juridik dhe politik, duke e ndalur hovin e debateve të kota si dhe qëndrimeve kontradiktore dhe shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës, e që nuk janë dëgjuar në shoqërinë tonë që nga mbarimi i luftës çlirimtare e deri më sot! Është kështu për faktin, sepse pas rrëzimit të turpshëm të qeverisë “Kurti” me inicimin e LDK-së, skena politike në Kosovë u shndërrua në një arenë të paskrupullt të garave për pushtet, në një poligon qitjesh me lloj-lloj “armësh” njëra parti kundër tjetrës, politikanë duke u kritikuar dhe ofenduar njëri tjetrin, fyerje dhe sharje me një fjalorë tejet të ulët dhe denigrues, deri në kërcënime hakmarrëse, siç bëri vetë presidenti Thaçi ndaj LVV-je dhe liderit të saj, z. Albin Kurti, duke i quajtur zyrtarët e LVV-je “grup kriminal”", është shprehur ai.

Më tej, ai përmend dhe rastin e deputetit Behgjet Pacolli dhe thotë se me vendimin e Gjykatës u qetësuan gjakrat dhe tensionimet e panevojshme politike.

Image
Rexhep Elezaj

"Pastaj rasti i ardhjes me bujë i Behgjet Pacollit në Kosovë, deklaratat e tij skandaloze, kur tha se, “nuk kam guxuar me aterua me aeroplanin tim në aeroportin e Prishtinës, sepse jam frikësuar se do më ndodhë ndonjë goditje terroriste në ajër”, etj., etj., që për fat, Gjykata kushtetuese me vendimin e saj të mençur i qetësoi gjakrat si dhe tensionimet e panevojshme politike. Madje, në dy-tri javët e fundit është folur hapur në opinion, se për shkak të këtyre polarizimeve politike si dhe rritjes së tensioneve midis disa subjekteve politike, vendin tonë e presin protesta të mëdha me mundësi të kalimit të tyre në dhunë fizike, e që një gjë e tillë do ishte vetëvrasje për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane", ka vlerësuar Elezaj.

E sa i përket asaj se çfarë mund të ndodhë pas 29 majit, ai thotë se Kushtetuesja duhet të nxjerrë vendimin përfundimtar, ku sipas tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

"Ndërsa, sa i përket çështjes së çfarë e pret vendin tonë pas 29 majit, kur Gjykata kushtetuese duhet të nxjerr vendim definitiv lidhur me atë, se a ka të drejtë sipas kushtetutës partia e dytë fituese të formojë qeveri me partitë opozitare, duke anashkaluar partinë e parë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast LVV-je, siç tentuan ta bëjnë qeverinë LDK-ja me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në, të cilës i erdhi në ndihmë madje vetë presidenti H. Thaçi, që një tentim i tillë inatçor ishte krejtësisht në kundërshtim me Nenin 82. pikë 2 dhe Nenin 95. pikë 5 të Kushtetutës (pikërisht për këtë shkelje LVV-je shtroi ankesë pranë GJK), mendoj se Gjykata kushtetuese, ashtu siç ishte dje në nivel të detyrës dhe përgjegjësive të saja politike dhe kombëtare, do të jetë edhe herën e ardhshme, duke Vendosur që vendin ta dërgojë në zgjedhje të reja dhe të parakohshme", ka deklaruar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

Sipas tij, çdo vendim tjetër përpos zgjedhjeve është jo i duhur dhe vështirë i realizueshëm, sepse sovrani duhet tua tregojë vendin partive e kandidatëve.

"Mendoj dhe jam i sigurt, se çdo solucion tjetër përpos zgjedhjeve të reja do jetë një vendim jo adekuat, vështirë i realizueshëm si dhe jo i favorshëm për konsolidimin e mëtejmë të shtetit demokratik, të lirë dhe sovran të Kosovës, sepse vetëm sovrani është ai i cili do ua tregojë edhe njëherë vendin secilës parti politike garuese, secilit politikan dhe kandidat për postin e deputetit, duke e rikthyer besimin dhe përkushtimin e plotë të popullit dhe qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve legjitime të Kosovës", ka përfunduar Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat