Kosova pa qeveri, qytetarët në ‘karantinë të përhershme’

Politika

Kosova pa qeveri, qytetarët në ‘karantinë të përhershme’

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 maj 2020 Në ora: 12:37
Ndertesa e Qeverise

Kosova aktualisht ka një qeveri në detyrë dhe institucione që nuk kanë shumë legjitimitet. Kjo nuk është hera e parë që Kosova po qeveriset për javë të tëra me një qeveri e të tillë, e që situatë e njëjtë do të vazhdoj edhe për disa javë. Të gjitha qeveritë e fundit nuk po arrijnë të përfundojnë mandatin e tyre, e më pas koha deri në krijimin e institucioneve të reja po stërzgjatet. Kështu vendi po hynë në një krizë politike.

E ndodhur në një situatë të tillë, Kosova po ngel prapa në shumë procese të rëndësishme. Njëra ndër to që po i brengos qytetarët e Kosovës, është liberalizimin i vizave. Ky proces është premtim i thuajse secilës qeveri, mirëpo sado që ato po ndërrohen Kosova po mbetet në të njëjtin vend, e izoluar.

Bytyçi: Kriza politike mund të shërbejë si nxitje për Brukselin që të liberalizohen vizat  

Megjithatë, profesori universitar, Enver Bytyҫi në një prononcim për “Bota sot” thotë se një situatë e tillë politike mund të dëmtoj stabilitetin politik të Kosovës, por nuk mund të pengoj edhe liberalizimin e vizave. Madje sipas tij, një krizë e tillë mund të shërbejë si nxitje për Brukselin që të marr një vendim të shpejtë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

“Ndryshimi i qeverive e dëmtojnë stabilitetin politik të Kosovës, si dhe procese të tjera të integrimeve të vendit, por nuk mendoj se domosdoshmërish e dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave. Përkundrazi, konflikti politik në shtetin më të ri të Europës ka në sfond edhe një përplasje tjetër, asaj midis Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë, sidomos rusë e serbë. Për pasojë mundet që kriza politike në Prishtinë të shërbejë si nxitje për Brukselin për marrjen më shpejt të vendimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, thekson ai.

Image
Enver Bytyҫi

Bytyҫi thotë më tutje se ditët e fundit, Spanja është angazhuar për të lejuar integrimin dhe pranimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

“Para pak ditësh kemi mësuar lajmin e mirë se Spanja, i vetmi vend me veto kundër Kosovës deri sot, është angazhuar për të lejuar integrimin dhe pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Nëse i besojmë këtij lajmi, atëherë kuptohet se edhe procesi i liberalizimit të vizave lehtësohet. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot pikërisht për shkak të qëndrimit armiqësor të Spanjës kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj. Mesa duket emërimi i spanjollit Borrell si shef i BE-së për Sigurinë dhe Politikat e Jashtme ka bërë që vendi i tij, Spanja, të ndryshojë kursin politik dhe të afrohet me qëndrimin e vendeve të tjera”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se zhvillimet e brendshme dëmtojnë në kuptimin se mund të krijojnë destabilitet, dhe BE në asnjë rast një vendi të destabilizuar nuk ia japin të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

“Në rastin e sotëm ndikon edhe kriza botërore e koronavirusit. Megjithatë e përsëris, nuk është e mundur që kjo krizë e sotme ta ndalojë procesin. Madje nëse qeveritë e Kosovës nuk do të angazhohen për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, atëherë do të ketë pengesa për liberalizimin e vizave”, vlerëson ai.

Shahu: Zhvillimet e brendshme politike i sjellin Kosovës pasoja në integrim

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politie, Rexhep Shahu thotë se një qeveri e rrëzuar dhe pritjet për një qeveri të ri apo zgjedhje të reja po i sjellin Kosovës pasoja që qytetarët do t’i vuajnë.

Image
Rexhep Shahu

“Natyrisht që këto që po ndodhin, më qeveri të rrëzuar e cila vetëm vegjeton dhe kërkon të shtyjë ditët në punë për tu forcuar më shumë për elektoratin e saj dhe me këto pritjet për zhvillime të reja për qeveri tjetër ose zgjedhje të reja, i sjellin Kosovës pasoja që i vuajnë qytetarët si mos liberalizimi i vizave apo dhe mjaft probleme të tjera”, thekson Shahu.

Duhanaj: Për mungesën e liberalizimit të vizave, një faj të madh e ka edhe vetë Bashkimi Evropian

Nga ana tjetër, Leon Duhanaj thotë se jo vetëm krizat politike të vazhdueshme, ku partitë politike tregojnë vetëm një fytyrë dhe atë të luftës së pa kompromis për pushtet, por edhe kauzat e shpifura të njëpasnjëshme, kanë ndikuar që Kosova të mbetet në karrantinë  të përhershme.

“Natyrisht që për mungesën e liberalizimit të vizave, një faj të madh e ka edhe vetë Bashkimi Evropian, duke qenë se 5 vende anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ka ndikuar negativisht dhe, nuk kanë arritur të gjejnë kompromis në lidhje me ketë.  Megjithatë, Kosova i kishte shanset e veta, e posaçërisht  në kohën kur iu dha Ukrainës dhe Kosova do të shkonte në paketë me të’, thekson ai.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj thotë se ishte kauza e Çakorrit dhe Zhlepit, pra demarkacioni me Malin e Zi, i cili nuk u arrit të bëhet në kohën e duhur, për t'u bërë me vonë në të njëjtën formë nga kundërshtuesit me të mëdhenj, shansi u humb dhe, kufiri mbeti aty ku ishte.

“Tani kemi Qeverinë tjetër në detyrë, e cila po ashtu nuk le ligj pa shkelur madje edhe vetë Kushtetutën dhe nuk i jap pesë pare për atë punë. Nën pretekstin e kuazi luftës kundër pandemisë, po mundohet ta mbaj peng vendin duke synuar instalimin e aparatit diktatorial. Ka asnjë agjendë, asnjë përpjekje për të kërkuar bashkëpunim ndërkombëtarë,  përkundrazi Kryeministri aktual, e ka zgjedhur rrugën e konfrontimit me perëndimin gjë që nëse i shkon edhe me gjatë, to të na hakmerret keq”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se shqiptarët po dështojnë të integrohen duke mbetur si tokë e djegur në mes të dy botërave. Sipas Duhanajt nëse shqiptarët vazhdojnë të kenë dyshime, dyshimi nga Evropa karshi nesh do të rritet edhe më shumë.

“Nuk është hera e parë ku shqiptarët të hamendur mes lindjes dhe perëndimit, dështojnë të integrohen, dhe prishin aleancat duke u larguar nga shtrati i natyrshëm europian për të mbetur tamponzonë  apo si tokë e djegur mes dy botërave. Shqiptarët, duhet në radhë të parë ta bindin vetën  e tyre se janë europian dhe, të sillen si të tillë. Me pastaj do ta kenë me të lehtë t'i bindin të tjerët. Nëse vetë vazhdojnë të kenë dyshime, dyshimi nga Europa karshi nesh, do të rritet edhe më shumë”, vlerëson analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat