Kosova e gatshme për zgjedhje të parakohshme pas përfundimit të pandemisë?

Politika

Kosova e gatshme për zgjedhje të parakohshme pas përfundimit të pandemisë?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 maj 2020 Në ora: 20:10
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Fundi i këtij muaji do të jetë vendimtar për të ardhmen politike të vendit, ndërmjet qeverisë dhe zgjedhjeve të reja. Derisa Vetëvendosje është e bindur për zgjedhje të reja menjëherë pas kalimit të pandemisë, LDK-ja është shprehur e gatshme për krijimin e një qeverie të re bashkë më AAK-në dhe Nisma-n.

Gjykata Kushtetuese pas tre jave pritet të japë vendimin përfundimtar nëse Vetëvendosje ka pasur drejtë ankese apo LDK-së do t`i jep të drejtë rreth krijimit të qeverise se re me kandidat për kryeministër Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe një herë për vendimin e presidentit, Hashim Thaçi për ta bërë qeverinë e re, ku theksoi se e vetmja rrugë përpara është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve pas kalimit të pandemisë. Pra, sipas Kurtit rruga e respektimit dhe jo e shkeljes së vullnetit qytetarë të shprehur me datë 6 tetor.

Për suksesin e një angazhimi të përbashkët, sipas Kurtit, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtarë është i nevojshëm të ndodhë jo vetëm brenda institucioneve Evropiane, por edhe nëpër vështirësitë dhe betejat shoqërore e politike me të cilat përballemi.

“Solidariteti ndërkombëtarë është çështje e një organizimi pragmatik bazuar në angazhime që japin efekte”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës por që Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit e pezulloi dekretin e presidentit deri më datën 29 maj kur pritet edhe të jepet vendimi përfundimtar, do të krijohet Qeveria e re nga LDK-ja apo vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.

Burjani: Zgjedhjet mund të mbahen pas përfundimit të pandemisë

Image
Blerim Burjani

Juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani është shprehur skeptik se në Kosovë në këtë kohë mund të mbahen zgjedhje, por ka thënë se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Vetëvendosjes, atëherë zgjedhjet mund të mbahen sapo të kaloj gjendja e jashtëzakonshme me COVID-19. Në kuadër të kësaj mund të themi se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në muajin qershor apo edhe në fillim të muajit korrik.

“Kjo nuk do te ndodhë por është pyetje hipotetike. Konsideroj se nëse kjo ndodhë atëherë zgjedhjet mund të mbahen pas heqjes se jashtëzakonshme. Pas mbylljes se Pandemisë nga OBSh dhe shumica e shteteve dhe krijimi i kushteve të favorshme për shëndetin publik atëherë edhe mund të mbahen zgjedhjet. Është e saktë se Kushtetua e parasheh brenda 45 ditëve pas shpërndarjes se Kuvendit por nëse kjo gjendje vazhdon kështu atëherë nuk mund të mbahen këto zgjedhje në këtë afat kushtetues pra tash është e qartë nëse nuk ka qeveri, sipas kushtetutës zgjedhjet mbahen brenda 45 ditëve por s”do mend se mund të mbahen edhe në periudhën 30 ditëve siç i kanë mbajt me herët por duhet të respektohen afatet kushtetuese , brenda 40 ditëve” ka thëne Burjani për “Bota Sot”.

Voca: Presidenti nuk ka tjetër mundësi përveç se të shpall zgjedhje të parakohshme

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të jetë në favor të vetëvendosjes, Kosova mund t`i ketë zgjedhjet e reja që mund të shpallen në fillimin e verës se këtij viti, thotë analisti Mirsad Voca.

Image
Mirsad Voca

Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ne rast se Gjykata kushtetuese vendos ne favor te Vetëvendosjes atëherë presidenti është i obliguar te shpall zgjedhje të parakohshme.

“Gjykata kushtetuese, natyrisht që do të duhej të marrë vendim krahas përvojave paraprake dhe Kushtetutës së Kosovës dhe siç parashihet saktësisht përmes ligjeve dhe neneve të saj. Kushtetuta nuk ka dykuptimësi dhe nuk lë asnjë hapësirë për ambivalencë. Besoj se vendi do të duhej të shkoj në zgjedhje sapo të kalohet apo futet nën kontroll çështja e pandemisë. Presidenti nuk ka tjetër mundësi përveç se të shpall zgjedhje të parakohshme, sepse ai assesi nuk mund ta interpretoj Kushtetutën dhe të orientoj vullnet politikë siç ka vepruar pa reshtur, aq më tepër kur Presidenti i Republikës së Kosovës ka vetëm status ceremonial” ka thënë Voca.

Sipas tij, mbi parimin e frymës demokratike dhe siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duhet të ketë zgjedhje sepse Kushtetuta nuk lejon hapësirë tjetër. Ndërsa, besoj se Kosova do të jetë e gatshme për zgjedhje menjëherë pas futjes nën kontroll të pandemisë.

“Çdo qasje tjetër do të ishte kundërkushtetuese, kundër vullnetit të popullit, anti-demokratike, si e tillë ilegale dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për të ardhmen e vendit dhe popullit të Kosovës”.

Elezaj: Presidenti Thaçi bashkë me Isa Mustafën kanë bërë shkelje të rënd të normave kushtetuese

Image
Rexhep Elezaj

Në lidhje më mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend, analisti politik Rexhep Elezaj ka thënë se presidenti Thaçi para pak ditësh mandatoi z. Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për formimin e qeverisë  në koalicion me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në, pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”, dekret i cili nuk ishte në harmoni me normat e Kushtetutës së Kosovës (Neni 82. 2 dhe 95.5), që e detyroi LVV-je të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës kushtetuese kundër këtij dekreti, ngase partisë fituese, pra LVV-je, iu shkel mandati i dytë kushtetues për formimin e qeverisë “Kurti-2”!

“Pra, duke pasur parasysh praktikat kushtetuese gjatë formimit të qeverive të kaluara në Kosovë, është hera e parë që partisë fituese i mohohet e drejta e marrjes së mandatit të dytë për formimin e qeverisë, siç është caktuar me nenet në fjalë, në rastin kur ajo bie me mocion mosbesimi, ose kur vetë dorëhiqet. Kështu që, unë besoj shumë se Gjykata kushtetuese do bije vendim të drejt, duke ia kthyer mandatin partisë së parë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, që ta provon formimin e qeverisë së dytë ose ta refuzon një gjë të tillë, që vendin në mënyrë automatike do ta çon në zgjedhje të parakohshme.

Natyrisht se vendimi i Gjykatës kushtuese, i cili pritet të merret pas 29 majit, jo vetëm se duhet të jetë në favor të LVV-je, në fakt ai vendim duhet të jetë në favor të vetë normave të Kushtetutës sonë, mbase edhe nuk mund të jetë ndryshe, sepse sipas neneve të kushtetutës tonë në fuqi, del e qartë se presidenti Thaçi ka bërë shkelje flagrante të saj, por edhe LDK-ja e cila mori vendim antikushtetues duke e uzurpuar mandatin e partisë së parë për të formuar qeverinë tjetër si parti e dytë, meqë e ka ditur shumë mirë se një e drejt e tillë nuk i takon sipas Kushtetutës. Pra, presidenti Thaçi bashkë me Isa Mustafën kanë bërë shkelje të rënd të normave kushtetuese, për të cilën gjë do duhet të japin përgjegjësi politike” ka thënë Elezaj.

Qeveria Kurti2 e pashmangshme

Sipas tij, vendimi i Gjykatës kushtetuese duhet ta anuloj dekretin e presidentit dhe porsa t’i komunikohet zyrtarisht opinionit, presidenti duhet menjëherë të nxjerr vendimin për shpërndarjen e Kuvendit si dhe në konsultim me të gjitha partitë parlamentare ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Tjetër mundësi juridike nuk ka, sepse në rrethanat e krijuara politike në 4-5 muajt e fundit nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, përveç se pas zgjedhjeve të reja nga legjislativi i -VIII-të, i cili do formohet më pas..!

“Nëse çdo gjë do zhvillohet ashtu siç duhet, pas publikimit të vendimit të Gjykatës kushtetuese, dhe, në rast se LVV-je refuzon ta marrë mandatin për herë të dytë për formimin e qeverisë “Kurti-2”, presidenti është i obliguar ta nxjerr Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 40 ditëve, kjo sipas Nenit 95. pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kosova është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme posa të kthehet jeta normale pas mundjes dhe largimit të plotë të pandemisë së Koronavirusit” ka thënë për “Bota Sot” Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat