Avdullah Hoti në krye të qeverisë, dhe paralajmërimet për trazira. Zbulohet se kush mund të jetë caku i parë i “sulmit”?

Politika

Avdullah Hoti në krye të qeverisë, dhe paralajmërimet për trazira. Zbulohet se kush mund të jetë caku i parë i “sulmit”?

Nga: N. H Më: 9 maj 2020 Në ora: 11:05
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese nxori masën e përkohshme, ku pezulloi dekretin e presidentit të vendit për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër. Këtë vendim Gjykata e pezulloi deri më 29 maj.

Edhe pse parashikohet se një vendim përfundimtar mund të merret edhe para 29 majit, tashmë janë shpeshtuar zërat edhe për trazira në vend, në rast se nuk shkohet në zgjedhje dhe formohet qeveria e re, pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Njohësi i çështjeve politike parashikon se pakënaqësia me vendimin e Kushtetueses, mund të bëjë që caku i parë i sulmit përmes trazirave të jenë objektet qeveritare dhe institucionet e tjera në vend, dhe këtë e argumentojnë më shumë edhe heqja e rrethojave nga qeveria në detyrë.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se mungesa e një dialogu politik dhe polarizimi i skajshëm i skenës politike në vend ka ndikuar edhe në polarizimin e shoqërisë sonë, e cila, sipas tij, prodhon edhe turma përkrahësish të pakontrollueshme gjë që dërgon edhe në trazira.

Image
Nexhat Haziri

“Këto trazira rrezikojnë jo vetëm stabilitetin politik, por edhe atë të sigurisë dhe dëmton imazhin e vendit edhe ashtu të dëmtuar në arenën ndërkombëtare, dhe kjo poashtu ndikon në krijimin e një ambienti jomiqësor dhe të pasigurt për investitorët potencial për të cilët ka shumë nevojë ekonomia e Kosovës, sidomos tani pas situatës me pandemi. Dhe tani frika se do të ketë trazira është një shqetësim që po shfaqet çdo ditë nga qytetarët që tregon një lloj pasigurie që ndjejnë sidomos kur flitet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pro dekretit të presidentit Thaçi për tu formuar një qeveri e cila do të formojë një shumicë të re parlamentare me legjislaturën aktuale të Kuvendit, apo vendimi tjetër që të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Haziri.

Tutje, analisti politik shprehet se situata politike e cila tashmë dihet qartë se është e tensionuar prodhon një lloj presioni jo vetëm te Gjykata Kushtetuese, por edhe të qytetarët e vendit, sidomos paralajmërimet e bëra nga Lëvizja Vetëvendosje se nuk do të pranojë asnjë vendim tjetër.

“Kjo situatë e tensionuar politike prodhon një lloj presioni jo vetëm te Gjykata Kushtetuese por edhe të qytetarët e vendit, sidomos paralajmërimet e bëra nga Lëvizja Vetëvendosje se nuk do të pranoj asnjë vendim tjetër përpos shkuarjes në zgjedhje të reja dhe kërcënimet e tyre për trazira. Dhe duket se ky subjekt politik që udhëheq me qeverinë në detyrë është duke u përgatitur për trazira në vend, dhe kjo dëshmohet më diskursin e tyre politik, me kërcënimet e tyre në drejtim të gjykatës kushtetuese, me indoktrinimin e turmave sidomos atyre të rinjve me një fjalor të dhunshëm që është karakteristike e grupeve ekstremiste të majta, një fjalor dhe kjo mënyrë e komunikimit tashmë po manifestohet edhe në rrjetet sociale”, shtoi ai.

Haziri ka theksuar se heqja e rrethojave të sigurisë nga objektet qeveritare nga qeveria në detyrë është një arsye më shumë se caku i parë i sulmit të tyre përmes trazirave do të jenë objektet qeveritare dhe institucionet e tjera në vend.

“Ajo që më shqetëson, besoj edhe të tjerët janë heqja e rrethojave të sigurisë nga objektet qeveritare nga qeveria në detyrë, e cila më ketë veprim ka shfaqur planin e saj se në rast të ndonjë vendimi nga Gjykata Speciale, i cili nuk do të jetë sipas dëshirave dhe pritjeve të tyre, caku i parë i sulmit të tyre përmes trazirave do të jenë objektet qeveritare dhe institucionet e tjera ne vend. Kosova po hynë në një periudhë të të panjohurave të mëdha dhe natyrisht ky është një shqetësim i madh edhe për të ardhmen e vendit dhe funksionimit të tij si shtet”, u shpreh Haziri.

Kurse, nga Lëvizja Vetëvendosje së fundi kanë deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin do të shohin mundësitë e inicimit të shkarkimit të këtij të fundit.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se i pari i shtetit me vetëdije të plotë ka bërë shkelje kushtetuese duke anashkaluar Lëvizjen Vetëvendosje, si parti fituese në formimin e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat