Para dialogut, qartësim i situatës politike

Politika

Para dialogut, qartësim i situatës politike

Më: 10 maj 2020 Në ora: 18:00
Fotografi nga arkivi.

Tashmë një kohë të gjatë, çështja e përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje paqeje, është shndërruar në temën kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe është krejtësisht i kuptueshëm insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që palët t’i kthehen tavolinës së dialogut, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Sipas tyre, tash e disa muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por së fundmi edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, si dhe të shtetet anëtare më të fuqishme të tij, janë duke insistuar që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen bisedimeve, të cilat janë ndërprerë rreth një vjet e gjysmë më parë, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje paqeje dhe që kjo temë të përmbyllet.

Insistimi për dialog, (jo)produktiv

Analisti Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut është për faktin se ai nuk ka alternativë tjetër. Por, sipas tij, para se Kosova eventualisht t’i qaset dialogut, duhet ta qartësojë situatën politike brenda vendit.

“Përmbyllja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje e cila do ta garantonte një paqe afatgjate në Ballkan, është një prioritete për të gjithë. Prandaj edhe nuk ka alternativë. Kjo duhet të kuptohet nga të gjithë akterët. Qartësim i situatës politike në Kosovë, qoftë me zgjedhje të reja apo me qeveri të re, do të jetë hapi i parë i procesit të rifillimit të dialogut, sepse pa një qartësim nuk ka kuptim që të kërkohet pjesëmarrja e Kosovës në këtë dialog”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij, kjo për faktin se aktualisht, Kosova ka një qeveri në detyrë dhe nuk ka institucione legjitime që do ta merrnin mbi vete barrën e dialogut.

Analisti Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që insistimi i kohëve të fundit nga faktorët ndërkombëtarë, që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut, është joproduktiv.

“Kemi parë shumë shpesh që është bërë një presion, veçanërisht ndaj Kosovës, mirëpo që proceset kanë ngecur edhe për shkak të zhvillimeve politike në vend dhe në fund, nuk është se ka prodhuar diçka ky dialog. Kështu që, është mirë që pala e Kosovës, fillimisht të stabilizohet dhe të jetë unike përbrenda, ta ketë të definuar çështjen e qeverisë së ardhshme. Pra, pa e ditur se kush do të jetë në udhëheqje të qeverisë, ka me qenë problematike për ta ditur se kush ka për të negociuar në emër të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se presidenti i vendit, Hashim Thaçi duhet të qëndrojë brenda autorizimeve që i ka me Kushtetutën dhe të respektojë plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka vlerësuar se politikat e jashtme i formon qeveria e vendit.

Megjithatë, politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që insistimi i faktorëve ndërkombëtarë për rinisjen e dialogut është i arsyeshëm.

“Ka nevojë të bisedohet me Serbinë sepse duhet të bëhet normalizimi i marrëdhënieve. Është e nevojshme sepse situatat po ndryshojnë dhe po ndodhin gjëra tjera nëpër botë dhe Kosova po e humbë rëndësinë e prioritetit të zgjidhet si çështje. Ekziston mundësia që gjatë administratës së presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump kjo të zgjidhet”, theksoi Tahiri.

Njohësit e zhvillimeve politike, kanë theksuar se Gjykata Kushtetuese po ashtu pritet që të qartësojë edhe situatën lidhur me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, nëse qeverisjen do ta vazhdojë qeveria aktuale në detyrë, nëse do të ketë qeveri të re me një mandatar i ri për kryeministër apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Pa një status të qartë të qeverisë së ardhshme, sipas tyre nuk do të ketë as legjitimitet të marrëveshjes.

Marrëveshja nën presion?

Por, çfarë janë mundësitë që një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda këtij viti?

Analisti Muhaxhiri, shpreh mendimin që kjo është mjaft e vështirë, përveç në rast se do të ketë një insistim dhe presion të madh nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovs dhe Serbisë.

“Pra, vetëm një presion i jashtëzakonshëm dhe një investim marramendës i potencialit politik amerikan dhe evropian drejt kësaj teme, do të mund ta finalizonte këtë marrëveshje sivje. Por, nëse kjo nuk ndodhë atëherë do të jetë në vitin e ardhshëm”, vlerësoi Muhaxhiri.

Analisti Krasniqi e sheh të mundshme një situatë tjetër rreth finalizimit të dialogut me një marrëveshje që do të përmbyllte dialogun Kosovë-Serbi.

“Nëse forcat e rëndësishme ndërkombëtare, pra shtetet e fuqishme që i diktojnë edhe agjendat e politikës së jashtme, e kanë një marrëveshje për ta kryer këtë çështje deri në fund të vitit, ata do ta bëjnë edhe pa Kosovën. Për shkak se do të gjejnë instrumente, përmes të cilave do t’i legalizojnë ato marrëveshje brenda në vend. Kështu që, uroj që një marrëveshje e tillë, e cila nuk do të jetë në favor tonin, të mos jetë arritur dhe që nuk është në plan. Por, pak varet prej akterëve dhe vullnetit të tyre brenda në Kosovë”, u shpreh Krasniqi.

Politologu Tahiri vlerëson që në rast dialogu do të rinisë dhe negociatat do ë jenë të shkurta, sepse sipas tij, parimet tashmë dihen dhe ekziston edhe përvoja e marrëveshjeve. Ai shpreh mendimin që nuk do të ketë marrëveshje të keqe për Kosovën, e të cilën do të mund ta përkrahnin SHBA-ja dhe Gjermania, për shkak se pikërisht këto dy vende, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës.

“Marrëveshja do të bëhet sivjet. Jam optimist. Do të ketë normalizim. Do të ketë marrëveshje parimore. Procesin do ta udhëheqë Qeveria e Kosovës –por, vetëm ajo që e merr besimin nga kuvendi – si dhe do ta udhëheqë presidenti”, tha Tahiri.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë pas vendosjes së tarifave prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga ana e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Serbia kishte refuzuar kthimin në tavolinën e dialogut pa heqjen e kësaj tarife.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës heqjen e kësaj tarife, gjë që nuk ndodhi gjatë qeverisjes së Haradinajt.

Kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti ka hequr masën për tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe ka vendosur masa reciprociteti, gjë që është kundërshtuar nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka kërkuar heqjen e çdo barriere, përfshirë edhe masat e reciprocitetit, në mënyrë që të rinisë dialogu Kosovë-Serbi. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat