Dy dilemat e mëdha të Kosovës! Kjo është thirrja e fundit për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin

Politika

Dy dilemat e mëdha të Kosovës! Kjo është thirrja e fundit për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin

Nga: N. H Më: 10 maj 2020 Në ora: 20:58
Albin Kurti

Shumë sfida të rëndësishme po e presin qeverinë e re të Kosovës. Çështje urgjente sa i përket politikës së jashtme për qeverinë e re, po konsiderohet dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese.

Mirëpo, deri tek 29 maji, ku Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullojë vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth mandatarit të ri, analistët në vend japin parashikime të ndryshe, sa i përket zgjidhjes së ngërçit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Mustafë Kadriaj, duke i komentuar zhvillimet e fundit, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kosova ndodhet dy dilemave të mëdha, dhe se qeveria në detyrë nuk ka mandat për të shtyrë proceset përpara.

Kadriaj ka folur edhe rreth situatës në të cilën është duke kaluar Vetëvendosja e Albin Kurtit, për të cilën ka thënë se kjo e fundit o duhet të ndryshojë kursin e saj politik, ose në të kundërtën të përfundojë në opozitë.

Image
Mustafë Kadriaj

“Vlerësoj që qeveria në detyrë nuk ka mandat për të shtyrë proceset përpara, dhe si rezultat Kosova është para dy dilemave, pra të mandatohet qeveria e re apo të shkohet në zgjedhje. Kjo varet nga vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese pas 29 majit”, është shprehur analisti politik.

Tutje, ai ka thënë se përderisa Kosova nuk ka legjitimitet qeveritar, edhe nuk mund të fillojë edhe me tej bisedimet për marrëveshje me Serbinë.

“Përderisa nuk kemi legjitimitet qeveritar, Kosova nuk mund të fillojë procesin e bisedimeve me Serbinë, ndërsa si përbërje e grupit për bisedime vlerësoj që lidershipi i Vetëvendosjes nuk do iu prij proceseve për shkak të prishjes se raporteve me SHBA-të dhe me faktorin politik te brendshëm ku faktori politik i brendshëm nuk ka gatishmëri për bashkëqeverisje më me Vetëvendosjen, me kursin e tanishëm politik që ka”, ka thënë Kadriaj.

Krejt në fund, Kadriaj ka theksuar se këto ditë të qeverisjes, parti e Kurtit demonstroi që ende nuk ka gatishmëri që t’iu prijë proceseve përpara.

“Pra, në të dy rastet konsideroj që Lëvizja Vetëvendosje nuk do jetë pjese e qeverisë. E them këtë sepse Vetëvendosje demonstroi që ende nuk ka gatishmëri për t’iu prijë proceseve. Pra partia e Albin Kurtit, ka dy rrugë të ndryshojë kursin politik, ose të jetë parti opozitare”, ka përfunduar njohësi i rrethanave politike në vend, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë pas vendosjes së tarifave prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga ana e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Serbia kishte refuzuar kthimin në tavolinën e dialogut pa heqjen e kësaj tarife.

Ndërsa, sa i përket mandatarit të ri të qeverisë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të pezullojë vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit deri më 29 maj, i cili përmes një dekreti ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat