Asnjë individ në Kosovë nuk mund të bëjë shkëmbim territoresh, Shahu tregon në dorën e kujt është marrëveshja me Serbinë

Politika

Asnjë individ në Kosovë nuk mund të bëjë shkëmbim territoresh, Shahu tregon në dorën e kujt është marrëveshja me Serbinë

Nga: G.B Më: 12 maj 2020 Në ora: 16:16
Ilustrim

Tema e korrigjimit të kufijve është bërë sërish aktuale.

Kjo, pasi përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Jose Borell, tha se BE e mbështet korrigjimin e kufijve, nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një gjë të tillë përmes një marrëveshje.

Për këtë ka pasur reagime të shumta, duke e kundërshtuar këtë, derisa qeveria gjermane ka thënë se nuk e përkrahë asnjëherë një gjë të tillë.

E se korrigjimi i kufijve nuk është në agjendë të dialogut, ka thënë i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lidhur me këto deklarata dhe se sa ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë, për gazetën "Bota sot" ka folur njohës i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, duket se Borell nuk është në rrjedhë të zhvillimeve për marrëveshjen, ndërsa Lajçak është në thelb të zhvillimeve.

"Duket se përfaqësuesi i BE-së, Josep Borell që ka thënë se BE e përkrah korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse për këtë pajtohen të dyja palët, nuk është në rrjedhë të ngjarjeve, zhvillimeve e projekteve për arritjen e marrëveshjeve. Duket se Borell si i ri që është në këtë punë, mendon se historia e Kosovës fillon me të. Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialog, i cili ka thënë se duhet një marrëveshje që e qetëson situatën dhe se shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë, duket se është më në rrjedhë, më në thelb të zhvillimeve", është shprehur ai.

Shahu thotë se Amerika tashmë e ka caktuar emisarin special për bisedime dhe ajo e udhëheq dialogun.

"Duam apo nuk duam tani që Amerika ka caktuar emisar special të drejtojë e udhëheqë bisedimet shqiptaro – serbe, tani nuk ka kungulleshka, jo tek njeri e jo tek tjetri. Marrëveshjen mes shqiptarëve e serbëve e udhëheq Amerika se ka tagrin dhe autoritetin e fuqinë morale e politike e ushtarake që nuk e ka askush tjetër në botë për Kosovën. Evropianë, shqiptarë e serb të gjithë do të jenë aktorë ndihmës në këto bisedime", ka theksuar ai.

Sipas tij, Amerika nuk e shpërblen Serbinë me territore Kosovë dhe se nuk ka asnjë lloj individi që mund të vendosë i vetëm për Kosovën, as Thaçi e as Albini, por për çdo gjë do të vendosë Kuvendi i Kosovës.

"Unë nuk besoj se Amerika do ta shpërblejë Serbinë me territore Kosove, unë e besoj dhe kuptoj Amerikën si shtet e jo si teka apo interesa individësh pushtetarë apo ish pushtetarë, besoj se Kosova është në interesat e SHBA prej gati tri dekadash. Nuk besoj se ka shkëmbime territoresh këto janë lajme për portale për të fituar klikime. Nuk ka ende asnjë lloj mbreti apo individi që të mund të vendosë i vetëm për Kosovën, të gjitha janë pompime që ta zmadhojmë Thaçin ose Albinin, por janë kukulla të dy, të pafuqishëm me vendosë e me nënshkrua për Kosovën. Kundërshtarët dhe fansat i bëjnë të mëdhenj e të fuqishëm siç nuk janë asnjëri. Nuk besoj se Kosova bie në dorë të ndonjë individi shqiptar që të firmosë për Kosovën. Për Kosovën për çdo gjë do të vendosë e miratojë Kuvendi i Kosovës dhe asnjë lloj presidenti apo kryeministri", ka vlerësuar Rexhep Shahu për "Bota sot".

Më tej, ai thotë se pa fuqitë e mëdha, shqiptarët e serbët nuk mund të vendosin kufij mes tyre dhe se Evropa pa Amerikën është e pazonja për të arritur marrëveshje, sepse nuk ka fuqi.

"Sido që të vendoset, nuk besoj se shqiptarët e serbët vetë mund të vënë kufij mes tyre, kanë qenë e do të jenë fuqitë e mëdha që do vendosin siç kanë vendosur. Parullat e çiftelisë shqiptare se shqiptarët e kanë në dorë etj, etj, janë përralla për net dimri se kur ne shqiptarët e patëm në dorë i kemi ikur luftës, ani se tash në prehër të Amerikës këndojmë këngë trimërisht. Evropa pa Amerikën është e pazonja për ta arritur një marrëveshje edhe 5 dekada sepse Evropa i druhet hijes së Rusisë të cilës i ka mbetur hija por jo fuqia, i kanë mbetur kërcënimet me fjalë dhe asgjë tjetër", ka përfunduar Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat