Flasin për “Bota sot” nga Vetëvendosje, japin detaje për provën për protestë dhe kanë një thirrje për qytetarët

Politika

Flasin për “Bota sot” nga Vetëvendosje, japin detaje për provën për protestë dhe kanë një thirrje për qytetarët

Nga: N. H Më: 12 maj 2020 Në ora: 21:10
Albin Kurti

Është organizuar një provë për protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në distancë gjatë kohës së pandemisë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Fillimisht kjo u bë e ditur nga vetë aktivistët e VV-së në grupin ”meKryeministrin” në Facebook, grup ky i cili përkrah kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ka mbi 310 mijë përdorues.

Ata kanë publikuar foto dhe video nga sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet, ku kanë shkruar se po bëjnë prova për protesta.

“Bota sot” ka folur me përfaqësues të VV-së, për të marrë më shumë detaje nëse është organizuar nga ky subjekt politik.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se organizimi i sotëm ishte nga shoqëria civile, e që kishte gjetur përkrahjen e tyre nga qendra e Prishtinës.

Image
Albin Kurti dhe Petrit Bicaj

“Po kjo ishte një organizim nga shoqëria civile të cilin e përkrahëm edhe ne, aktivistët nga qendra e Prishtinës. Protestat janë e drejte demokratike, dhe qytetarët kanë të drejtë proteste në situata kur mendojnë se është duke u bërë ndonjë e padrejtë”, ka thënë fillimisht Bicaj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën ka thënë se shpresojnë se nuk do merr ndonjë vendim anti-kushtetues.

“Personalisht shpresoj që gjykata kushtetuese nuk do merr ndonjë vendim anti-kushtetues, në kundërshtim me vet Kushtetutën e Kosovës, duke përkrahur dekretin jo kushtetues dhe jo ligjorë të presidentit”, tha ai.

Në fund, zyrtari i Vetëvendosjes ka bërë thirrje se qytetarët e vendit duhet të jenë të gatshëm, që të mos lejojnë vjedhjen e vullnetit të 6 tetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli si e para.

“Mendoj se qytetarët duhet të jenë të gatshëm, që të mos lejojnë vjedhjen e vullnetit të 6 tetorit, sepse do bëhej shkelja më e rëndë kushtetuese që nga ekzistenca e saj. Sa i përket protestave në të ardhmen, po protesta do të ketë gjithmonë e sidomos në raste shkeljesh të rënda. Për organizime të tilla do njoftoheni në ditët në vazhdim. Zgjedhje po, vjedhje jo”, ka thënë krejt në fund, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, për gazetën “Bota sot”.

Aktivistë tjera nga kjo parti kanë paralajmëruar që ditëve në vijim do të ketë prova për protesta me 1.500 persona në sheshin e Prishtinës.

Ndërkaq, kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka ndërmarrë javët e fundit një lloj ofensive për informimin e zyrtarëve dhe institucioneve evropiane dhe amerikane rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, duke mos lënë anash edhe pretendimet e tij se nisma e presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve, është jokushtetuese.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka zgjedhur formën e dërgimit të letrave me informata shpjeguese për atë që po ndodh në Kosovë, duke u nisur nga menaxhimi i situatës me pandeminë e koronavirusit deri te gjendja e krijuar politike pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, më 25 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat