Paralajmërimi nga Mustafa për Osmanin, Zogaj: Vjosa është e LDK-së, nuk do të ketë pasoja

Politika

Paralajmërimi nga Mustafa për Osmanin, Zogaj: Vjosa është e LDK-së, nuk do të ketë pasoja

Nga: G.B Më: 14 maj 2020 Në ora: 11:13
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani do të përballet me pasoja në bazë të rregullave dhe statutit të partisë.

Kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas qëndrimeve të shprehura të nënkryetares së LDK-së, ku së fundmi në komentet dërguar Gjykatës Kushtetuese, duke i thënë se duhet rrëzuar dekretin e presidentit për formimin e qeverisë së re.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se në shoqëritë demokratike secili ka të drejtë fjalën e lirë, edhe këtë e ka Vjosa Osmani, që po e shfrytëzon.

"Gjithkush në shoqërinë tonë (pretenduese për tu bërë demokratike), e gëzon të drejtën e plotë për të shfrytëzuar lirinë e fjalës dhe të mendimit, por edhe të veprimit që e konsideron më të mirë për vetveten e vet në rend të parë e pastaj edhe për rrethin më të gjerë rreth vetes! Këtë drejtë e ka edhe Vjosa Osmani, e cila, bindshëm po e shohim të gjithë se, është duke i shprehur plotësisht pa asnjë lloj pengese!

Sipas Zogajt, Osmani duhet të përfillë qëndrimet e LDK-së ose të thotë që nuk është më në parti dhe të vazhdojë vullnetin e vet të plotë.

Image
Skënder Zogaj

"Se a është duke vepruar mirë apo keq, më së miri e din vet Vjosa, por, normalisht që, derisa ka një imunitet të fituar nga LDK-ja, pra është personi nr. 2 i LDK-së, them se, e do rendi që të përfillë qëndrimet e vatrës së vet, ose, të thotë hapur, nuk jam më në LDK dhe, ta vazhdojë vullnetin e vet të plotë! Këtë Vjosa nuk po e bën dhe është veprim që nuk i shkon fate, sepse, është pikërisht Vjosa që, derisa ka arritur majat partiake, i ka luftuar energjikisht të gjithë ata që kanë vepruar siç po vepron tash vet! Pra, këtu qëndron problemi, sepse, është krejt normale që ata që dalin kundër partisë së vet, të japin llogari partiake", ka vlerësuar Skënder Zogaj.

Sipas tij, ajo nuk do të ketë pasoja sepse Vjosa është e LDK-së dhe pasi të shkarkohet nga ngarkesat nga obligimet zyrtare, do të shkojë në zyret e partisë dhe të shprehë qëndrimin e saj, lirshëm dhe pa asnjë lloj pasoje.

"Mediet po e fryjnë me qëllim situatën duke theksuar pasojat! Cilat pasoja? Asnjë lloj pasoje nuk mund ta ketë Vjosa nga LDK-ja, sepse, ajo vazhdon të jetë e LDK-së dhe, pasi të shkarkohet nga ngarkesat nga obligimet zyrtare, besoj se do të shkojë te zyrat e saja në LDK dhe ka për t'i shpreh qëndrimet e saja, lirshëm dhe pa asnjë lloj pasoje, sepse, sa e di unë, që nga 23 dhjetori 1989 e deri sot, asnjë zyrtar i LDK nuk ka pasur pasoja partiake për qëndrimet ndryshe, pos ata që i ka vra ndërgjegjja e vet dhe janë larguar nga LDK-ja, dhe shumica prej tyre, jetojnë të penduar pse ia kanë kthyer shpinën. Vjosa është e LDK-së e deshën ose jo, individët e caktuar dhe e ka mundësinë të tregojë se është e LDK-së", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat