Dy rrugët e PSD-së për mbijetesën politike, bashkimi me LDK-në apo kthimi në LVV

Politika

Dy rrugët e PSD-së për mbijetesën politike, bashkimi me LDK-në apo kthimi në LVV

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 maj 2020 Në ora: 13:19
Kryetari i PSD-se, Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate është parti e dalë nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti është krijuar nga disa zyrtarë që dikur i takonin Vetëvendosjes. Derisa LVV-ja doli e para në zgjedhjet e fundit e jashtëzakonshme, me 6 tetor, PSD-ja nuk arriti të kaloj as pragun zgjedhor.

Sipas njohësve të çështjeve politike, një gjë e tillë edhe pritej, një parti që ndahet në dysh nuk mund të jetë e suksesshme.

Së fundi, kishte një përçarje ndërmjet këtyre dy partive, LVV e PSD. Siç u raportua në media, Albin Gashi nga LVV e kishte sulmuar fizikisht, Frashër Krasniqin nga PSD-ja.

Mehmeti: Faktikisht PSD e pret fati i njëjtë me LDD e dikurshme

Kështu, duke u lidhur me këtë rast, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, fatin e PSD-së e krahason me atë të LDD-së së dikurshme, parti kjo e cila kishte dalë nga LDK-ja.

Image
Faton Mehmeti

“Faktikisht PSD është egërsuar, revoltuar shumë ngase rezultati i 6 tetorit tregoje se kjo parti s’ka jetë në skenën politike. Andaj, në zemërim e sipër duhet të gjejnë dikë ku të shfryjnë dufin, andaj kanë zgjedhur VV të sulmojnë, sulme të cilat më tepër po ju kthehen në bumerang dhe këtë e tregoj rezultati i 6 tetorit. Faktikisht PSD e pret fati i njëjtë me LDD e dikurshme, e cila nuk mundi të mbijetojë politikisht, fat të tillë e pret edhe më tepër PSD, për më tepër habitem se si mediat përkatësisht televizionit i ftojnë anëtarët e PSD në debate kur dihet se kjo parti s`ka asnjë deputet, në fakt nuk përfaqëson askënd përveç vetveten”, thekson Mehmeti.

Ai thotë më tutje se anëtarët e PSD-së ‘e kanë kuptuar se janë të vdekur politikisht’ dhe këtë ia treguan edhe qytetarët me 6 tetor.

“Si duket për të rritur audiencën disa TV po ftojnë në debat përfaqësues të PSD dhe VV, edhe pse kjo nuk është etike kur dihet se janë në disporpocion të skajshëm, dhe nuk mund të trajtohen njësoj. megjithatë, besoj se anëtarët e PSD e kanë kuptuar se janë të vdekur politikisht, po mundohen të shfryjnë dufin diku, ndërkohë që duhet t'i mëshojnë vetës për gabimet e tyre fatale, që edhe qytetarët i treguan me 6 tetor”, thekson ai.

Zogaj: Grupi i PSD-së është lodh duke qëndruar i gjunjëzuar dhe ka ikur nga shtëpia!

Ndërkaq, për analistin Skendër Zogaj, rasti i PSD-së nuk mund të krahasohet me LDD-në, dhe më e mira për ta është që t’i bashkohet AAK-së apo Nismës.

Image
Skendër Zogaj

“Rasti i PSD-së nuk mund të krahasohet me LDD-n e cila pa pasur synim ta zëvendësoj LDK-n, ndërsa grupi i PSD-s është lodh duke qëndruar i gjunjëzuar dhe ka ikur nga shtëpia! Sikur djemtë e PSD-s të mos kishte treguar për të bëmat e tyre në LVV, mbase do të kishin qëndruar në këmbë, por tash për tash, janë keq, nuk kanë asnjë pikë identiteti dhe, e mira e së mirës për ta është që t'i bashkohen dikujt, fjala vjen, AAK-s ose NISMA-s”, thekson Zogaj.

Zogaj po ashtu thotë se partitë politikë janë dy llojesh, ato që i kërkon koha brenda zhvillimeve të caktuara të shoqërisë njerëzore dhe që i krijon populli, për ta ndryshuar realitetin e caktuar historik.

“Ndërsa lloji i dytë janë partitë që krijohen nga njerëz dhe grupe të caktuara për motive egoiste, që pretendojnë marrjen e pushtetit, si mundësi e mirë e fuqizimit dhe realizimit të qëllimeve të tyre! Këto janë dy profilet e gjithmonshme kryesore partiake, të cilat epokalisht kalkulojnë dhe qeverisin me shoqërinë njerëzore! Në këtë plan dihet se LDK ka dal nga populli, si lëvizje, në kohën e krizës më të thellë kur është rrezikuar ekzistenca e shqiptarëve të Kosovës! Dhe dihet se LKD-ja e ka pranu dhe e ka realizu misionin e saj, prandaj është parti epokale, është identitet kombëtar, prandaj të gjithë ata që kanë tentuar të abuzojnë me te, kanë dështuar! Mirëpo ndryshe qëndron puna me partitë me pretendime egoiste të individëve dhe grupeve të interesit, që pushtetin e kanë synuar për pretendime egocentrike”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Zeqiraj: Votat e Socialdemokratës, shkuan në llogari të partnerit AAK-së

Ndërkaq analisti Idriz Zeqiraj thotë se deputetët e larguar nga Vetëvendosja kanë bërë disa gabime radhazi.

“Ndarja, largimi i 12 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët themeluan - Partinë Socialdemokrate - (PSD). Qysh në nismë, ky subjekt politik, bëri disa gabime radhazi: Gabimin e parë e bëri kur iu bashkua partisë së dështuar të Kaqusha Jasharit dhe Agim Çekut, duke e parathënë disfatën e pritshme. Gabimi i dytë ishte kur u bë pjesë në ekipin e dialogut, si bisht i PAN-it, duke i dhënë fuzion një qeverie kriminale, dështake, e konsideruar si më e keqja, që nga shpallja e Pavarësisë Shqiptare. Gabimi i tretë ishte koalicioni me AAK-në, e akuzuar për krime, korrupsion, haraç, grabitje e pasurive shoqërore e shtetërore dhe pisllëqe tjera”, thotë Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Sipas tij, fiasko e pësuar në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte dëshmi e gabimeve të përmendura, ndaj ishte edhe meritore.

“Asnjë deputetë nga PSD-ja nuk fitoi ulëse në Parlament! Të gjithë humbësit fajin ia lënë koalicioneve! Votat e Socialdemokratës, shkuan në llogari të partnerit AAK-së. Me riaktivizimin aktual, kryesisht, kundër partisë amë, Vetëvendosjes, po mundohet të faktorizohet. Realisht, vajzat dhe djemtë e Partisë Socialdemokrate, kanë përgatitje politike solide për moshën. Por, gabimet e bëra në politikë, janë të kushtueshme dhe dëmtojnë pashmangshëm. Shkrimtari i realizmit socialist, Maksim Gorki, i mirënjohur me romanin "Nëna", i përkthyer, pothuajse, në të gjithë botën, ka lënë një porosi të artë: "Mos mohoni çdo gjë tek njeriu, sepse rrezikoni të mos u besojë askush për asgjë. Mos u prishni me tjetrin me fund, lini vend për pajtim, sepse nesër mund të bëheni miq", vlerëson analisti Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se qasja aktuale kritike, madje, vend e pavend, e Partisë Socialdemokrate, karshi Vetëvendosjes, nuk i shërben perspektivës të saj.

“Aktivistët e ndarë duhet të mësojnë nga pësimi i LDD-së. Edhe pse në zgjedhjet e para pati rezultate domethënëse, duke i shkaktuar humbjen e ndjeshme partisë-amë, LDK-së, e cila edhe pas një dekade e gjysmë, vazhdon zvarritjen pas PDK-së, rrast të inkriminuar, nuk arriti të mbijetojë si parti. Të ndarët nga Vetëvendosje, nuk duhet të shpresojnë në zemërgjerësinë e Albin Kurtit, për t`i afruar ata. Sepse këtë nuk e bënë as krerët e LDK-së, Sejdiu dhe Mustafa. Ata nuk bënë asnjë përçapje, as për ta përfituar elektoratin e LDD-së, i cili, faktikisht, përfaqësonte frymën e mirëfilltë rugoviane, ngaqë përballja me pushtuesin, para çlirimit dhe veglat e tij shqipfolës, pas çlirimit, ka qenë trimërore dhe dinjitoze”, vlerëson ai.

Dy rrugët e PSD-së sipas Idriz Zeqiraj

Ai thotë më tutje se në zgjedhjet pritëse, Partia Socialdemokrate, do t`i humbasë edhe dy komunat aktuale dhe nuk pritet të fitojë të reja, nëse ajo garon e vetme.

“Koalicioni me ndonjërën nga partitë e PAN-it, e dëmton edhe mëtej atë, sepse krerët dhe eksponentët tjerë të tij, janë nën akuza të rënda dhe të shumëfishta. Dhe, koalicioni me atë, natyrshëm, do ta bënte edhe Socialdemokratën pjesë të krimit. Atëherë, i mbetën dy mundësi, logjikisht, të pranueshme: E para, bashkangjitja LDK-së, si partia me stabile dhe më korrekte, për partnerët në bashkëpunim, qofshin ata partnerë të vjetër apo të rinj; E dyta, kthimi në partinë-amë, Vetëvendosje, ku në ngritjen, deri në fitoren e saj, pahamendje, është edhe kontributi i PSD-së së tanishme. Por, asnjërës nuk e ka privilegjin, për t`i vënë kushte”, thekson analisti Zeqiraj.

Zeqiraj thotë se PSD-në e pret fati i LDD-së, partisë së Veton Surroit dhe disa të tjerave në prag falimentimi si AKR e NISMA.

“Rrjedhimisht, PSD-në e pret fati i LDD-së, partisë Ora të Surroit dhe disa të tjera të leckosura, të prag të "falimentimit", si AKR e Pacollit, NISMA e Limaj. PSD-ja u provua me votën e anëtarësisë të imagjinuar dhe dështoi. Andaj, duhet të mendojë, për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet. Ta marrë mendimin e bazës, qoftë edhe me referendum, gjithnjë me votë të fshehtë, duke zgjedhur alternativën më të mirë të mundshme”, vlerëson ai.

Duhanaj: PSD ka pasur parakushte të mira për t'u stabilizuar

Analisti Leon Duhanaj, ndërkohë thotë se për të mbijetuar në Kosovë si parti e vogël është mision i vështirë apo i pamundshëm.

“Tregu politik kosovarë ka treguar se, për të mbijetuar si parti e vogël, si fraksion i ndarë apo edhe si ide e re në treg, është mision goxha i vështirë, për t'mos thënë i pamundshëm. Për mendimin tim, ekzistojnë tre arsye kryesore: 1. Mungesa e bazës financiare, i vendosë nismat e reja para sfidave të patejkalueshme dhe, jo atraktive. 2. Mungesa e përkrahjes mediatike, nga e cila me pastaj perceptohen si parti pa të ardhme dhe mungesa e aftësisë analitike elektorale, e cila në masë të madhe luan rolin e turmave të çorientuara. 3. Natyrisht, edhe mungesa e konsistencës se vetë subjekteve”, vlerëson Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Ai thotë më tutje se subjektet, duke mos mundur të përballohen me sfidat e lartpërmendura, u imponohen partive të mëdha për të hyrë në garë në koalicione, për shkak të pragut, me ç'rast humbin edhe sensin e besueshmërisë dhe vetë ekzistimit të tyre.

“Për mendimin tim, PSD ka pasur parakushte të mira për t'u stabilizuar. Kishte grupin parlamentar, kishin dy komuna nën udhëheqje përfshi kryeqytetin. Me këto asete, mund të lobohet edhe për donacione. Pra nëse këta dështojnë, faji do të jetë tek mungesa konsistencës dhe tek mungesa e vetëdijes qytetare”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat