Kush është Milaim Zeka që Kadri Veseli ia përmendi “znaqkën”, çfarë informacione ka Veseli?

Politika

Kush është Milaim Zeka që Kadri Veseli ia përmendi “znaqkën”, çfarë informacione ka Veseli?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 maj 2020 Në ora: 13:17
Milaim Zeka dhe Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, me në vitin 2017 e kishte pyetur deputetin e atëhershëm Milaim Zekën se ku e ki “znaqkën”, pasi që ai gjatë fjalimit të Veselit kundërshtonte nga ulësja e tij në Parlament.

Mirëpo, edhe pas tre viteve akoma nuk është sqarua as nga Veseli por as nga Milaim Zeka se çka nënkupton pyetja për “znaqkën”.

Së fundmi, edhe avokati Tomë Gashi, ia ka përmendur “znaqkën” kryetarit të Partisë Euroatlantike të Kosovës.

Tomë Gashi duke iu kundërpërgjigjur akuzave të Zekës pas një emisioni televiziv që ishin së bashku, ka kërkuar nga ai të jap sqarime në lidhje me një me atë se pse Zeka është quajtur “znaqk” nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Znaqk, Kadri Veseli e ka quajtur.  Dy personat që e dinë: Kadri Veseli që ka qenë shef i SHIK-ut dhe pse e ka quajt “znaqka”. Ai mund të jep sqarime. Sepse Veseli si shef i SHIK-ut deri 2008 ka shumë informata për njerëzit që i quan kështu. Unë vetëm e di që tentimi i dëmtimit të kredibilitetit të një partie është e dirigjume nga të tjerët”, është shprehur ai.

Kërkohet hapja e dosjeve

Image
Enver Bytyçi

Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se derisa nuk hapen dosjet në Kosovë e Shqipëri nuk do të ketë qetësi.

“Sa kohë që nuk hapen dosjet është bërë zakon që njerëzit e nëntokës në Kosovë, por edhe në Shqipëri e gjetkë, të bëjnë presion mbi qytetarët dhe sidomos ndaj kundërshtarëve politikë, duke u përmendur atyre pseudonimeve që kanë pasur në kohën kur një person ix apo ipsilon i ka shërbyer shërbimeve të fshehta. Sa kohë që do të vazhdojë kjo lojë spiunësh, aq kohë Kosova, Shqipëria dhe çdo vend tjetër nuk do të gjejnë qetësi, nuk do të mund të ecin përpara dhe të reflektojnë për të kaluarën”, thotë Bytyçi për gazetë “Bota sot”.

Ai thekson se, çdo kohë ka spiunët e vet që sipas tij, spiunazhi ka lind që kur ka lind shoqëria njerëzore, madje para se të lindë shteti.

“Për Kosovën për mua ka dhe duhet të ketë një shqetësim madhor: A janë sot në veprim, ish-spiunët e UDB-së? A u bëhet atyre presion nga Beogradi me dosjet që ata i kanë, me qëllim që të  vazhdojnë veprimtarinë e tyre diversive kundër shtetit të Kosovës?! Dhe kryesorja: A bëhen përpjekje që spiunët në veprim të Serbisë së dikurshme e të Serbisë së sotme të promovohen në politikë e në poste drejtuese në shtet, në shoqërinë civile dhe madje në forcat e armatosura, polici, Shërbimin Informativ etj?! Sa prej atyre që kanë funksione partiake e shtetërore kanë nofka, pseudonime në dosjet e sigurimit serb?! Sa u sponsorizuan për të hyrë në radhët e LDK-së gjatë rezistencës paqësore e në UÇK gjatë kryengritjes së armatosur?!”, potencon ai.

“Po në UÇK kemi pasur njerëz të Serbisë, se nuk na vinin njerëzit e ndershëm?!

Ai përmend edhe një rast ku është takuar me Famtmir Limajn në Gjermani në vitin 2006.

“Kam qenë një rast në vitin 2006 në një takim me Fatmir Limajn në Hanover të Gjermanisë dhe në përgjigje të një pyetjeje që iu bë për këtë ai ndoshta me sinqeritet tha se “Po në UÇK kemi pasur njerëz të Serbisë, se nuk na vinin njerëzit e ndershëm?! Sigurisht nuk tha ndonjë gjë të panjohur. Por pse mbahen kaq afër nga drejtuesit kryesorë këta persona. Ndërkohë kam vënë re se “Znaqkën” presidenti Thaçi e mban afër, ndërkohë që Kadri Veseli ia përmend pseudonimin! Ashtu siç kam vënë re se Baton Haxhiu “një natë fle me Aleksandër Vuçiqin, natën tjetër me Hashimin dhe të tretën me Edi Ramësn”! Fjala është pse përkëdhelen e sponsorizohen nofkat?! E madje me përkujdesje të njëtrajtshme nga Beogradi e nga Prishtina?”, thotë profesori.

Ai shton se, spiunët me nofka e pseudonime u duhen ambasadave gjithashtu, shërbimeve të huaja, përfshirë dhe ato perëndimore, sepse spiunimi është profesion, është edhe art më vete! “Prandaj shërbimet e huaja sekrete nuk duan njerëz fillestar e papërvojë në punën e spiunit! Kësisoj nofkat janë shtuar në Kosovë, por edhe në Shqipëri e vendet e tjera të rajonit!”

“Një nga eksponentët e shërbimit në UDB nga Maqedonia, Nafi Çegrani, ka shkruar një libër me dhjetra e ndoshta qindra pseudonime të titulluar “Ballë për ballë”! Aty duket se sa të etur ishin shqiptarët të shërbenin me zell në UDB, në Sigurimin e Shtetit të Shqipërisë dhe shërbime të fshehta të tjera. Askush nuk e mori seriozisht atë libër me denoncime konkrete, me përshkrime dhe dokumente të sakta për veprimtarinë e spiunazhit ndër shqiptarët në llogari të UDB-së. Nuk u mor seriozisht, sepse pushtetin në shtetet shqiptare e kontrollojnë pikërisht spiunët dhe ata kanë fuqinë e aftësinë t’u venë kapak edhe denoncimeve të tilla si atë të Nafi Çegranit!”, shton tutje ai.

“Shihni Batonin”

Por sipas tij, nuk është vetëm kjo.

“Ajo që shkruante botuesi i gazetës “Bota sot” për Milaim Zekën ishte trishtuese! Ju siguroj se askush nuk do të merret me këtë denoncim. Sepse ata që e kanë promovuar dhe e promovojnë atë në politikë e konsiderojnë aset punësimin në institucionet serbe të shërbimit jashtë Serbisë. U duhen spiunët, sepse ata u binden në aksionet politike kundër Kosovës”, pohon ai.

“Shihni Batonin. Ai mburret dhe ndjehet krenar pse ka qenë spiun i Stanishiqit. Ka ardh dita që ta fshehin kokën e të “turpërohen” atdhetarët, nacionalistët, njerëzit që sakrifikojnë për interesat e vendit, të atdheut dhe të kombit. Shihni kush shfaqet në polemika në televizionet shqiptare! Shumica spiunë të tredhur, që mbledhin kokrrat me sqep në oborrin e pashallarëve shqiptarë, miq të Beogradit! Kush mbron atdheun duhet të sakrifikojë e të sakrifikohet! Kjo është e gjitha”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

Mehmeti: Kë njerëz të ish-Jugosllavisë që sot janë deputetë në Kosovë

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik Faton Mehmeti thotë se e kaluara e Milaim Zekës është përplot mistere.

“Duke ditur se e kaluara e Milaim Zekës është përplot mistere për opinionin, por jo edhe për njerëzit e PDK-së dhe të tjerëve, deklarata e Kadri Veselit për " znaqkën" mund të lexohen në shumë mënyra, por më së miri do të duhet ta thonte vet Kadri Veseli. Ka shumë njerëz në ish sistemin e Jugosllavisë që sot janë edhe deputetë të Kosovës, dhe nëpër pozita të rëndësishme, prandaj duhet me urgjencë të behët Ligji për Lustracionin ku do të dihet figura e gjithsecilit. më këtë rast edhe për Milaim Zekën do të dihen shumë gjëra, nga ato të kaluara e deri më tani”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, për të kaluarën e Zekës flasin ata që e kanë njohur dhe punuar me të.

“Sot mund të shohim të gjithë kush është Milaimi, njeriu që brenda ditës mund t'i ndryshoj mendimet dhe deklaratat për të njëjtin person. Prandaj, këtu shihet mossinqertiteti i tij. Në fakt "znaqka" është një shenjë në gjuhën shqipe, të cilën e mbart Milaimi dhe të cilën sigurisht se ka njohuri Kadri Veseli sigurisht lidhur me të shuarën e tij. Besoj se nëse do të kishim shtet normal, këto deklarata dhe të gjitha akuzat që hidhen ndaj Milaimit do të duhet të zbardhën, pasi shteti e ka obligim të mbrohet nga personat e ish Jugosllavisë, e të cilët sot fatkeqësisht mund të jenë persona që mbartin  pozita të rëndësishme. Duhet që Kadri Veseli të deklarohet për "znaqkën", një emërtim serb që glorifikon mesazhin: Milaim ta di të kaluarën tënde, prandaj hesht!”, përfundon Mehmeti.

“Veseli ka informacione për Milaim Zekën”

Image
Skënder Mulliqi

Në anën tjetër, analisti politik Skënder Mulliqi pohon se, stagnimi i   proceseve të gjithëmbarshme zhvillimore në Kosovën e pas luftës lidhet edhe me njerëzit e ish sistemit komunist jugosllav të cilët janë infiltruar  në organet tona të shtetit.

“Dihet se kësaj i ka paraprirë bukur shumë edhe administrata e UNMIK-ut, e cila administrate pak të mira i solli  Kosovës. Është e sakte së Kadri Veseli në Kuvendin e Kosovës kohë më parë ja pati përmendur “Znaqken”, Milazim Zekës, por që kjo kishte mbetur vetëm me kaq, pa u sqaruar në opinion e gjerë publik, se për çka e kishte Veseli ne fakt fjalën. Sigurisht se Veseli ka informacione për  gazetarin, Milaim Zeka. Dihet se Zeka po përballet edhe me një proces gjyqësor lidhur me dyshimin se i ka mashtruar njerëzit lidhur me vizat. Këtë gjë mbetet për tu vërtetuar nga gjykata”, thotë Mulliqi për gazetën “Bota sot”.

Mulliqi tutje thotë se duhet të hapen dosjet politike që të ndahet shapi nga sheqeri.

“Në, një shkrim të botuesit të gazetës, “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, lidhur me “Znaqkën” e Zekës, botuesi Mazrekaj thotë se “Zeka ishte larguar nga gazeta kur ishte mësuar se ishte i dyshimtë për bashkëpunim me UDB-në serbe etj”. Për mua dhe shumicën për ta ndarë përfundimisht shapin nga sheqeri siç thuhet, duket se  ka ardhur koha hapjes të dosjeve politike, sikur që e kanë bërë këtë punë shumë shtete të rajonit, si kusht për inkuadrim në strukturat relevante të BE-së. Hapja e dosjeve, jo e lehtë të bëhet  në këtë fazë të tranzicionit në Kosovë, shumë do ti kishte mbyllur debatet, se kush çka ka punuar dhe për kënd ka punuar në të kaluarën, edhe sot. Kjo temë ende nuk po gjenë vend në Kuvendin e Kosovës, e që duhet një ditë patjetër të ndodhë. Hapjen e dosjeve e bënë më të vështirë, se këtë punë mund ta keqpërdor edhe Serbia, për qëllime të veta politike, por që hapja e tyre, do të kishte bërë që më në fund të marrim frymë  lirshëm”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat