“Lojërat e pista politike të Thaçit, Mustafës dhe Haradinajt”

Politika

“Lojërat e pista politike të Thaçit, Mustafës dhe Haradinajt”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 maj 2020 Në ora: 08:50
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa

Rrëzimi i Qeverisë Kurti ka ngjallura pakënaqësi tek një masë e njerëzve dhe që nga rrëzimi i saj protestat janë përmend si alternativë për të shprehur pakënaqësinë.

Ditë më parë Shoqëria Civile, ka bërë prova për protestë në këtë kohë kur e gjitha bota po përballet me pandeminë COVID-19 e po ashtu edhe vendi jonë.

Provat për protestë sipas deklaratave të organizatorëve është se ata kanë thënë se distanca mes njerëzve është respektuar sipas këshillave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK).

Mirëpo, analistët vlerësojnë se, kjo provë proteste nuk është diçka e mirë për vendin tonë dhe se mund të ketë trazira.

Mehazi: Situata mund të përkeqësohet

Profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”, thotë se, nëse Gjykata kushtetuese vendos të ketë zgjedhje atëherë beson se nuk do ketë protesta e trazira popullore.

“Nëse pas 29 majit, Gjykata Kushtetuese vendos për Zgjedhje të reja Parlamentare, atëherë besojmë se nuk do ketë protesta e trazira popullore, çdo gjë do jetë në rregull, e partitë politike do bënin përgatitjet e tyre për Zgjedhje të reja parlamentare, po nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të dekretit të Thaçit, atëherë situata mund të përkeqësohej deri në revoltë apo protestë jo vetëm nga të pakënaqurit e LVV-së, por nga shumica e popullatës së Kosovës”, shprehet Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai thotë se populli shqiptar i Kosovës është lodhur më me lojërat e pista politike të tipave të Thaçit, Mustafës, Haradinajt.

“Popullata shqiptare e Kosovës është lodhur më me lojërat e pista politike të tipave të Thaçit, Mustafës, Haradinajt, prandaj dhe Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kujdes ndaj veprimeve te tyre juridike, e mbarësia e Kosovës për Kushtetuesen do të ishin Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nëse veprimet e Gjykatës Kushtetueses janë të prapshta, Anti-Kurtiane, atëherë normale se do ketë revolta e protesta të mëdha kundër formimit të qeverisë së Hotit”, përfundon profesor Mehazi.

Shahu: Paraprotestat janë ogur i keq për jetën politike në Kosovë

Analisti Rexhep Shahu për “Bota sot”, ka thënë se, paraprotestat apo stërvitjet për protesta janë ogur i keq për jetën politike e sociale në Kosovë.

“Janë ogur i keq sepse paraprotestat janë siluruese të asaj që parathonë se do të jenë protesta alla Kim koreane ushtarake, të kuadratizuara. Në ndërkohë që policia arreston 28 qytetarë të zakonshëm të Kosovës dhe u fërkon supet 400 të tjerëve me doreza të zeza e maska, u lëshon sheshin 400 të tjerëve sikur janë më të barabartë se të barabartët e Orëellit, kjo është ogur i keq. Paraprotestat tregojnë se Gjykata Kushtetuese është nën presionin e dhunës se rrugës nga maskat e sponsorizuara apo të mbrojtura apo të përkëdhelura nga qeveria e VV”, shprehet Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Shahu thekson se, në një shtet që institucionet janë nën terrorin e rrugës të maskave apo dorezave të zeza aty nuk ka demokraci, aty po instalohet diktaturë, aty po instalohet frika

“Në një shtet që institucionet janë nën terrorin e rrugës të maskave apo dorezave të zeza aty nuk ka demokraci, aty po instalohet diktaturë, aty po instalohet frika. Kosova vetëm për pushtet diktaturë e frikë nuk ka më nevojë. Dhuna e paralajmëruar për protesta nëse nuk bëhet qejfi i VV nga Gjykata Kushtetuese, nëse Gjykata nuk vendos siç don VV dhe Albini, do të bëjë që të harrohet se kemi patur apo kemi pandemi apo Covid 19, sepse ajo dhunë do të shembte imazhin e Kosovës siç ka filluar ta shembte me skuadrilet me maska e doreza të zeza dhe me joshjen apo thirrjen nën armë të individëve me veshje jo tradicionale por që përdorin grupe fetare ekstreme. Pra pandemia do të jetë një shaka”, thotë ai.

Ai shprehet se, shërbimet sekrete kanë gjetë argatë shqiptarë.

“Unë druaj se shërbimet sekrete kanë investuar mjaftueshëm dhe kanë një dekadë që punojnë që të shemben marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën dhe perëndimin. Shërbimet sekrete kanë gjetë argatë shqiptarë, të ndërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm që të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën dhe e gjitha kjo është projekt serb që të paraqesin shqiptarët mosmirënjohës ndaj Amerikës dhe ti paraqesin shqiptarët fondamentalistë, vehabistë, kamikaze ekstermiste islamike.Une kam shumë drojë se VV do të përsërisë e do të tejkalojë marsin e zi kur Kosova u përfshi në flakë urrejtje. Lakmia për pushtet me çdo kusht, etja e shfrenuar për pushtet e ka bërë tashmë më shumë se të rrezikshme VV dhe Albin Kurtin që atdhe ka VV e jo Kosovën atdhe ka karrigen e kryeministrit nga e cila nuk donë të ndahet. Por kjo do ta dëmtojë shumë Kosovën. Kosova nuk është atdhe i 200 mijë votuesve të VV e të Albin Kurtit, Kosova është atdhe i madh i gjithë shqiptarëve. Kosova të gjitha i duron por jo diktaturë komuniste, jo enverizëm, sepse e di Kosova se çfarë i ka bërë enverizmi”, thotë Shahu.

Ai vlerëson se, situata në Kosovë është në kulmin e rrezikshmërisë.

“Për ata që kanë sy me pa dhe mendje për të vlerësuar, e shohin se, e situata në Kosovë është në kulmin e rrezikshmërisë, si asnjëhere më parë, sepse qytetarët janë në pikën e vlimit shpirtëror, të tromaksur dhe gjithçka e bëjnë instinktivisht, pa e ditur pse dhe çka duan”, përfundon Shahu.

Zogaj: Paralajmëruesit se nuk do ta pranojnë vendimin e Gjykatës janë shkatërrimtarët e Kosovës

Ndërsa analisti Skënder Zogaj për “Bota sot” thotë se, kjo gjendje është rezultati i shkëlqyer i atyre që e kanë marrë si detyrë ta shkallmojnë lirinë dhe pavarësinë shtetërore të Kosovës.

Image
Skënder Zogaj

“Kjo gjendje, sipas meje, është rezultati i shkëlqyer i atyre që e kanë marrë si detyrë ta shkallmojnë lirinë dhe pavarësinë shtetërore tē Kosovës! Pra tensionet janë në shpërthim dhe, ata që nuk e kuptojnë këtë situatë dhe, bëjnë veprime të egra, nuk ka asnjëfije dyshimi se, duan shkatërrimin e këtij vendi! Paralajmëruesit se nuk do ta pranojnë vendimin e Gjykatës janë shkatërrimtarët e Kosovës, dhe, qytetarët shqiptar që e duan tokën, qiellin dhe jetën në Kosovë, duhet të kuptojnë se duhet qenë kategorik kundër vandalëve, kushdo qofshin!”, shprehet Zogaj.

Sa i përket Gjykatës ai thotë se, vendimi i Gjykatës duhet të jetë i pakontestueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë.

“Vendimi i Gjykatës duhet të jetë i pakontestueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë! Kjo është rruga, ata që veprojnë ndryshe nga interesi i vërtetë dhe i duhur për vendin tonë! Provat për protesta ishin lojë e keqe e fëmijëve të përdalë, që i hanë kumbullat për t'u mpi dhëmbët të mëdhenjve! Vendimi i kushtetueses dhe vetëm vendimi i saj është gjëja e duhur që duhet jetësuar”, përfundon Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat