Përplasja e radhës Thaçi-Kurti, vjen paralajmërimi i fortë nga Haziri se kjo do të ashpërsohet edhe më shumë – ja pasojat për Kosovën

Politika

Përplasja e radhës Thaçi-Kurti, vjen paralajmërimi i fortë nga Haziri se kjo do të ashpërsohet edhe më shumë – ja pasojat për Kosovën

Nga: N. H Më: 16 maj 2020 Në ora: 16:50
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Presidenti Hashim Thaçi u është rikthyer polemikave në distancë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi së fundi kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, si dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sfeçla për siç tha “shtytje në vetëvrasje” të një të riu nga Gjilani.

Kurse, nga ana tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur idhnak dhe të frustruar presidentin, Hashim Thaçi.

Kurti duke komentuar akuzat e Thaçit i ka bërë thirrje atij të jap dorëheqje nga pozita e tij dhe të garojë në zgjedhje, pasi sipas tij ai po sillet si të ishte në një fushatë zgjedhore.

Për t’i komentuar këto përplasje, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti politik.

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, duke i komentuar përplasjet e vazhdueshme mes presidentit Thaçi, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për gazetën”Bota sot”, ka thënë se kjo është pasojë e një historie të gjatë të rivalitetit mes këtyre dy krerëve të vendit.

“Përplasjet në distancë në mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyre Kurti vijnë si pasojë e një historie të gjatë të rivaliteti të tyre politik me akuza e kundërakuza, asnjëherë të pajtuar me njëri-tjetrin dhe për asgjë, ku për presidentin Thaçi, kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të financuar nga Irani dhe mbështetës të organizatës terroriste “Syri i Popullit”, ndërsa vet presidenti Thaçi mban titullin e “tradhtarit” si i shpallur nga Kurti dhe subjekti që ky drejton, dhe po ashtu këta të fundit e shohin presidentin Thaçi si njeriun kryesor të mocionit ndaj qeverisë Kurti që qoi në rrëzimin e saj”, ka thënë Haziri.

Sipas Haziri, kjo përplasje po ndodhë edhe si rezultat i paqëndrueshmërisë politike dhe polarizimit të skajshëm të skenës politike.

Image
Nexhat Haziri

“Pra, është një histori e gjatë e këtyre përplasjeve që po vazhdon edhe sot kur të dytë mbajnë poste të larta shtetërore. E tëra kjo po shfaqet tani në këtë situatë të paqëndrueshmërisë politike dhe polarizimit të skajshëm të skenës politike, situatë për të cilën tashmë i kanë bërë llogaritë e tyre edhe presidenti Thaçi edhe kryeministri në detyre Kurti, si një teren të përshtatshëm për ta vazhduar betejën e nisur kahmoti se cili do ta mbizotërojë skenën politike të Kosovës”, tha ai.

Analisti politik mendon se këto përplasje me kalimin e kohës do të thellohen edhe më shumë.

“Dhe këto përplasje do të ashpërsohen me kalimin e kohës për faktin se presidenti Thaçi është në fundin e mandatit të tij si president, e në anën tjetër kryeministri në detyrë Kurti po synon që ta marrë edhe një mandat në krye të qeverisë duke e quar vendin në zgjedhje të parakohshme, gjë që kjo varet edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili sido që të jetë, pritet t’i ashpërsoj përplasjet Thaçi-Kurti”, ka shtuar Haziri.

Në fund, analisti Haziri ka theksuar se akuzat dhe kundërakuzat mes Thaçit e Kurtit janë mjaftë të dëmshme për vendin, në veçanti për procesin e dialogut me Serbinë.

“Dhe, krejt në fund dua të them se kjo përplasje në distancë në mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Kurtit në këtë gjendje nëpër të cilën po kalon vendi, është mjaftë e dëmshme për vendin dhe ka prodhuar edhe një polarizim shoqëror në këtë kohë kur kërkohet konsenzues politik e qytetar sidomos për proceset që i kemi përpara, e në veçanti procesi i dialogut me Serbinë që pritet të rifillojë me relaksimin e situatës nga pandemia e COVID-19”, ka përfunduar analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat