Ka dhunë, ka burg, ka gjobë, por mungon autoriteti i fjalës!

Politika

Ka dhunë, ka burg, ka gjobë, por mungon autoriteti i fjalës!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 17 maj 2020 Në ora: 10:39
Shqipëri

Para tri ditësh në sheshin “Nënë Tereza” para unversitetit të Tiranës u bë ceremonia e akt-dorëzimit të 196 automjeteve në dispozicion të policisë së shtetit. Ndër to ishin dhe 49 xhipa dhe 96 mikrobuza me fletë çeliku, me qëllim që t’u rezistojnë gurëve dhe mjeteve të forta të protestuesve imagjinarë. U shfaqën në këtë demonstrim force kundër qytetarëve shqiptarë gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi. Ky i fundit, dy ditë më vonë u shfaq në një ekran dhe mburri forcën e policisë së shtetit, madje edhe policët që tërhoqën zvarrë një grua të pafajshme në sheshin tjetër të Tiranës, duke përdhosur edhe emrin e këtij sheshi!

Ishte shfaqja më e shëmtuar që mund të ndodhte: Së pari se për skenë të saj u përdor sheshi me emrin e shenjtores së madhe Nënë Tereza, e cila u bë e tillë dhe e përbotshme me autoritetin e fjalës dhe humanizmit. Së dyti në sheshin para godinës kryesore të Universitetit të Tiranës si dhe Qendrës Ndëruniversitare Albanologjike, dy institucioneve të dijes, kulturës, mendimit, fjalës dhe besimit. Ndaj ceremonia u përjetua si nga transmetuesit televizivë të shfaqjes edhe nga qytetarët e vendit si shfrenim dhune, si sfidë kundër paqes dhe si etje për gjak e tragjedi në këtë vend! Të tillë u dukën si gjithnjë dy shtetarët, të cilët nuk lenë rast pa u mburrur me dhunën që ushtrojnë! Shteti është instrument i dhunës, por edhe instrument i dijes, kulturës, fjalës, mendimit, ideve, vizioneve dhe shembullit të vet në ushtrimin e detyrëss. Shteti është gjithashtu instrument i ruajtjes së ekuilibrit të shoqërisë. Për pasojë drejtësia dhe humanizmi, krahas dhunës kur ajo është e pashmangshme dhe e domosdoshme, janë e duhet të jenë tipar i qeverisjes. Eshte e ditur se ata që drejtojnë shtetin e kanë më të vështirë të përdorin autoritetin e fjalës e më të lehtë t[ ushtrojnë autoritetin e dhunës.

Të përdorësh autoritetin e fjalës duhet shumë mund. Para së gjithash duhet të privohesh nga kafshimi i “mollës së kuqe e të ndaluar” sipas moralit të politikës. Nëse një lider a politikan tundohet nga “molla e kuqe” dhe e sheh qeverisjen si mjet për t’u pasuruar përmes korrupsionit, atëherë ai nuk mund t’i drejtohet fjalës si autoritet, por përdor dhunën për t’i nënshtruar të qeverisurit. Shembulli klasik i sotëm dhe kohëve të kaluara për përdorimin e dhunës në vend të fjalës si institucion, është dhe, besoj se do të mbetet për gjithë historinë e qeverisjes në Shqipëri, kryeministri Rama. Ai gjobit, arreston, dhunon, burgos, pret këmbë e krahë, si dhe kokat e njerëzve, por kurrë, kurrë ama, nuk nxit me fjalë inkurajuese dhe energji pozitive qytetarët e vendit të vet! Ai çirret, shformohet, bërtet, betohet, urren, shfryn, nxjerr pasthirrma të çuditshme, por vetëm fjalë jo. Autoriteti i fjalës është i papranueshëm për kryeministrin e Shqipërisë, sepse votën e sheh si mjet legjitim vetëm për dhunë. Ai e nisi qeverisjen dhunshëm dhe po e përmbyll me më tepër se dhunë! Dhunë verbale me efekt ngjitës seriale te të gjithë vartësit e tij. Veç ta dëgjoje Spiropallën sot në parlament si fyente artistët, ose ta shihje Taulant Pallën dje tek dhunonte një gazetare TV SYRI! Nuk ka nevojë të kuptosh sesa të etur janë vasalët e Edi Ramës për të ushtruar dhunë në këtë vend. Ata thjesht imitojnë shefin dhe shpërblehen për mënyrën se si sillen me qytetarët! Dhunë mbi artistët ushtron një karafil në krye të Bashkisë së Tiranës, fjalori i të cilit përmban vetëm 100 fjalët më të përdorshme të njerëzve të rrugës! Dhunë mbi artistët ushtron Edi Rama që prej 22 vitesh kur ishte ministrër i Kulturës me funksion mbrojtjen e kulturës, artit dhe artistëve! Madje këtë e ripohon vetë me mburrje në rastin e vendimit të tij për rrënimit të Teatrit Kombëtar!

Dhunë kundër naftëtarëve, dhunë kundër studentëve, kundër profesorëve, kundër akademikëve, madje kundër Akademisë së Shkencave, kundër rektorëve, dekanëve. Dhunë kundër gazetarëve, gjithkund dhunë, dhunë, dhunë! Periudha e koronaviruesit nxori më në dukje këtë tipar mizor të kryeministrit shqiptar. Ai numëron nga tamponët e të infektuarit e deri te arkivolet. Nuk guxon njeri të raportojë shifra dhe fakte reale, ai dikton gjithçka, madje planifikon numrin e rasteve të infektimit, me qëllim përdorimin e dhunës. Nëse i duket se numri i ulët i të infektuarve nxit lirinë qytetare, urdhëron rritjen e raportuar të tyre, me qëllim përdorimin e dhunës! Në ndonjë rast bën babaxhanin: I fal të gjitha aktet e dhunës mbi qytetarët, pa e ditur sa mund, sa ryshfet është paguar për t’i shpëtuar kartonit të kuq që Edi Rama, Erion Veliaj, Sandër Lleshi, Spiro apo Taulan Palla mbajnë 24 orë në ditë përballë shqiptarëve. Edhe faljen e bën me mesazhin luigjian “Shteti jam unë, ligji jam unë”! Kësisoj do të vazhdojmë të jetojmë me dhunën, me burgun, me gjobat dhe do të na mungojë autoriteti i fjalës. Se autoriteti i fjalës është institucion që mund ta përdorin vetëm njerëzit me dinjitet, integritet dhe që krijojnë besim te qytetarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat