Merkel nuk lëkundet nga qëndrimi i saj për Kosovën, s’ka ndryshim të territoreve

Politika

Merkel nuk lëkundet nga qëndrimi i saj për Kosovën, s’ka ndryshim të territoreve

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 maj 2020 Në ora: 08:11
Angela Merkel

Ditë më parë është mbajtur një debat në Bundestag të Gjermanisë, për zgjatjen e misionit të Bundesëehr-it në kuadër të KFOR-it, ku doli në pah edhe njëherë se si e shohin deputetët gjermanë situatën aktuale të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo se çfarë bëri bujë ishte deklarata e deputetit të Alternativës për Gjermani (AfD) Anton Frizen që theksoi se qeveria do duhej të mbështeste idenë për shkëmbimin e territoreve.

“Në vend që të vazhdohet me këto gënjeshtra të përjetshme, qeveria gjermane do të bënte mirë të angazhohej për një këmbim territoresh, në mënyrë që serbët në Kosovën e Veriut të mbrohen në kuadër të shtetit të tyre, dhe zonat shqiptare të prirura për destabilizim në jug të Serbisë, të stabilizohen duke u bashkuar me territorin e Kosovës", u shpreh Frizen në këtë debat.

Njohësit e çështjeve politike shprehën që kjo deklaratë është në një pozicion të njëjtë me atë serbo-rus mirëpo që nuk duhet ngatërruar me qëndrimin e Gjermanisë që ka për Kosovën.

Voca: Opinionet e Frizen, janë të ngjashme me qëndrimet serbo-ruse

Në lidhje me këtë temë, doktori i shkencës dhe ligjërues i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që kjo deklaratë e deputetit Frizen nënkupton që ai mbanë një pozicion të tij unilateral të njëjtë me atë serbo-rus. Gjithashtu Voca përmend që partia AfD është parti euroskeptike dhe që një kohë të gjatë ajo është kundër politikës së BE-së.

Image
Mirsad Voca

“Opinionet e Z. Anton Frizen, janë të ngjashme në mos të njëjta me qëndrimet serbe dhe ato ruse. Ky përmend trafikimin me organe që sipas tij ende është aktual në Kosovë, ka qenë kundër krijimit të ushtrisë së Republikës së Kosovës dhe e quan Kosovën të “ashtuquajtur Shtet”. Nga këto qëndrime nënkuptohet qartë pozicioni i tij unilateral i njëjtë me atë serbo-rus. AfD është një parti euroskeptike që daton nga viti 2013, kundër BE-së dhe politikës së saj monetare, me një ideologji populiste nacionale, e popullarizuar më shumë në Gjermaninë lindore. Edhe pozicionimi ideologjik i kësaj partie është i njëjtë me atë të Rusisë apo me ato vende që shohin BE-në si konflikt e jo si proces paqeje. Nga fakti që Z. Frizen shprehet në favor të këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky natyrisht se vihet në anën e atyre që e mbështesin këtë ide dhe të politikës serbe si dhe të qëndrimit rus”, u shpreh Voca.

Më tej, Voca thotë që qëndrimet e Merkel për shkëmbim të territoreve janë të palëkundura dhe se ajo nuk bënë pjesë dhe nuk mbështet ata që lobojnë kundër paqes në Ballkanin perëndimor dhe Brenda BE-së.

“Kancelarja Angela Merkel është e palëkundur në qëndrimet e saj kundër shkëmbimeve të territoreve, sepse nuk është në kampin e atyre që mbështesin konflikte të reja dhe që lobojnë kundër paqes në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe brenda BE-së”. përfundoi Voca.

Ahmeti: Deklarata e deputetit gjerman nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që deklaratat e deputetit gjerman mund të ngjallin polemika mirëpo nuk duhet të keqinterpretohet si qëndrim i shtetit Gjerman pasi kjo e fundja ka përkrahur gjithmonë Kosovën.

Image
Hidajet Ahmeti

“Deklarata e deputetit të Alternativës për Gjermaninë (AfD) Anton Frizen se qeveria duhet të mbështeste idenë për shkëmbimin e territoreve më shumë mund të konsiderohet një deklaratë politike apo edhe qëndrim personal i tij, e cila edhe mund të ngjallë polemika, por assesi të kuptohet dhe të keqinterpretohet si qëndrim i shtetit të Gjermanisë. Gjermania në vazhdimësi ka përkrahur Kosovën që nga çlirimi, mbikëqyrja ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës e tash edhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës , por në vazhdimësi kancelaria Merkel bën thirrje për politika reformiste të cilat potencialisht do të prodhon një shtet të së drejtës, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e efikasitet në shërbime publike e administrative”, u shpreh Ahmeti.

Tutje Ahmeti, thotë që edhe në Kosovë kemi lider e deputetë të cilët përkrahin idenë për shkëmbim të territoreve por që as këta zëra e as deklarata e deputetit gjerman nuk mund të ketë efekt në rendin ndërkombëtar.

“Mendoj se deklarata e deputetit gjerman nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike si brenda vendit ashtu edhe jashtë, pasi politikanet karrierist mundohen në çdo kusht të shfrytëzojnë deklarata të tilla për t’i realizuar ambiciet e tyre të sëmura për shkëmbim territoresh. Jemi të vetëdijshëm se në Kosovë ka disa lider institucionesh, deputetë, por edhe zyrtar partiak që përkrahin për idenë e shkëmbim territoresh dhe mund të paragjykojmë se deklarata e deputetit gjerman ka rrjedhur nga këta zëra të margjinalizuar në shoqërinë tonë, por mendoj se nuk prodhon asnjë efekt në rendin ndërkombëtar”, përfundoi për “Bota sot”, Ahmeti.

Burjani: Rendi ndërkombëtar aktual nuk duhet të lejoj asnjë ide të tillë

Juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që nuk duhet të hapet më kjo temë pasi është e tejkaluar në shek. XIX dhe juristi shprehët se duhet pasur kujdes në këto tema që prekin rendin shtetëror ndërkombëtar.

Image
Blerim Burjani

“Zgjidhja nuk është e shkëmbim territorial, po të ndodhë një gjë e tillë do të kishte hap shumë probleme ndërkombëtare në rajon dhe Evropë dhe më gjerë. Pra rendi ndërkombëtar aktual nuk duhet të lejoj asnjë ide të tillë që është e tejkaluar në shekullin e XIX dhe më herët, sidoqoftë duhet pas kujdes në tema të kësaj natyre që prekin rendin shtetëror ndërkombëtar. Kosova ishte rasti i fundit që u bë pjesë e rendit ndërkombëtar, Rusia dëshiron të bëhet e mundur lëvizja e tillë e asaj që të i hap një shpresë të saj për territorin e uzurpuar të Krimes -Pjesë e Ukrainës”, përfundoi Burjani, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat