Deputetja e PDK-së: Qeveria nuk lejoi të varrosën të afërmit, por i lejon militantët të grumbullohen në shesh

Politika

Deputetja e PDK-së: Qeveria nuk lejoi të varrosën të afërmit, por i lejon militantët të grumbullohen në shesh

Nga: Hava Orana Xhukolli Më: 25 maj 2020 Në ora: 11:00
Ariana Musliu Shoshi

Lëvizja Vetëvendosje po planifikon të organizojë protesta në shenjë pakënaqësie për situatën e krijuar në vend. Situata aktuale erdhi si pasojë e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Kjo qeveri ra pas 50 ditësh punë dhe tashmë është propozuar edhe kandidati tjetër për të udhëhequr me qeverinë e re. Avdullah Hoti është kandidati i LDK-së për kryeministër nga një marrëveshje me AAK-në, Nismën e minoritetet. Megjithatë dekretin e Presidentit për të mandatuar kandidatin Hoti përkohësisht e ka pezulluar Gjykata Kushtetuese. E deri në një vendim të ri të kësaj gjykatë, është paraparë një protestë e inicuar nga Vetëvendosja, madje janë bërë edhe provat e para në sheshin Skënderbeu.

Kjo protestë është parë si joadekuate për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID 19. Përderisa qeveria aktuale ka ndërmarrë masa për mos grumbullimin e qytetarëve për shkak të rrezikut të përhapjes së mëtutjeshme të kësaj pandemie, të njëjtit po kërkojnë organizimin e një proteste.

Kështu deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se është e drejtë e secilit qytetarë për t’u mbledhur e protestuar paqësisht. Por, qytetarët nuk duhet të manipulohen me kauza të pavërteta.

“E drejta për t'u mbledhur dhe për të protestuar paqësisht është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me Konventa ndërkombëtare. Askush nuk mund ta cenoj këtë garanci për qytetarët e Kosovës. Por, qytetarët nuk bën të manipulohen me kauza të pavërteta”, vlerëson deputetja.

Ajo thekson se në këtë rast qeveria aktuale nuk ka lejuar varrimin e të afërmve, ndërsa lejon grumbullimin e militantëve partiakë.

“E sidomos kur kemi përdorim të standardeve të dyfishta nga ana e qeverisë në detyrë. Sepse ne kemi raste kur qeveria nuk u ka lejuar qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në varrimin e të afërmve, e ndërkohë ka lejuar grumbullimin e militantëve partiakë në qendër të qytetit”, thekson deputetja Musliu Shoshi.

Ndërkohë ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë për “Bota sot” se popull ka votuar për një ndryshim dhe të gjitha partitë politike duhet mbajtur premtimet e tyre nga fushata zgjedhore. Sipas saj, pas pandemisë vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Populli ka votuar për një ndryshim më 6 tetor dhe këtë duhet ta dinë të gjitha partitë politike e sidomos ,,paria,, e LDK-së, të gjitha partitë kanë dalë në fushatë me premtimet elektorale dhe këto premtime duhet mbajtur. Gjëja më e keqe është që t’u vidhet, devijojnë e mashtrojnë votën e qytetarit, andaj mendoj se menjëherë pas të kaloj kjo situatë e pandemisë të shkohet në zgjedhje”, thekson Millaku.

Ajo thotë tutje se kundërshtarët politikë po provokojnë me situata të ndryshme, andaj Vetëvendosje duhet pasur kujdes në secilin veprim.

“Kundërshtarët tanë politikë po provokojnë me situata me të çuditshme andaj duke e ditur se çka na pret në të ardhmen e afërt duhet të kemi kujdes në çfarëdo veprimi. Një fjalë popullore thotë ,,Ujku donë mjegull,, andaj në këtë mjegull të krijuar nga politikanë të interesave ditore dhe personale të kemi kujdes, mendimi im është se vota e lirë duhet të mbrohet”, vlerëson ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat