Akuzat pozitë – opozitë, pa argumente dhe dëshmi

Politika

Akuzat pozitë – opozitë, pa argumente dhe dëshmi

Nga: A.M. Më: 27 maj 2020 Në ora: 20:49
Ilustrim

Politologu, Ejup Berisha, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar diskursin politikë i cili po zhvillohet në mes pozitës dhe opozitës, ku sipas tij ka filluar menjëherë me formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

“Diskursi politik mes pozitës dhe opozitës gjithmonë është kundërshtues akuzues  dhe në disa raste bile ai mund të jetë edhe armiqësor. Kjo gjë është e arsyeshme sepse bëhet fjalë për forca kundërshtare politike në skenën politike të cilave edhe në bazë Kushtetutës dhe ligjeve u është përcaktuar që të zbatojnë apo luajnë role të kundërta në ambientin politik. Në politikë ka dy tabore politike që veprojnë në  njërën anë janë forcat që e përbëjnë pozitën të cilat promovojnë dhe zbatojnë politikën zyrtare të shtetit dhe nga ana tjetër janë forcat opozitare të cilat në vazhdimësi i kundërshtojnë dhe i kontestojnë ato politika të cilat i promovojnë forcat politike që ndodhen në pushtet. Kjo është një lloj lufte permanente që zhvillohet mes forcave politike që ndodhen në pozitë dhe opozitë. Përjashtim në këtë çështje nuk paraqet as diskursi politik mes pozitës dhe opozitës në Republikën e Kosovës. Ky diskurs i ashpër ka filluar menjëherë me formimin e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e fundit të parakohshme Parlamentare që u mbajtën në muajin tetor të vitit të kaluar në RKS, e ku fitues dolën Partitë politike  L.VV dhe LDK të cilat në bazë të votave të fituara në zgjedhje fituan të drejtën që ta formojnë Qeverinë e re. Siç thash komunikimi fillestar mes pozitës së re dhe opozitës gjithashtu  të re ishte i ashpër shumë kërcënues dhe në të shumtën e rasteve edhe armiqësorë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Politologu ka përmendur diskursin e opozitës ndaj kryeministrit në detyrë, të cilin e quan qesharak.

Image
Ejup Berisha

“Forcat e reja politike opozitare qysh në mbledhjen e parë të Kuvendit kur u votua Qeveria e re e udhëhequr nga Kryetari i L. VV Albin Kurti këtë të fundit dhe anëtarët e Qeverisë së re i kërcënonin në stilin “Ej kujdes se ne nuk do të rrimë duar kryq, nuk do të tolerojmë e nuk do të lejojmë gjëra negative të ndodhin në Kosovë gjatë qeverisjes tuaj”, sepse siç pretendonin disa përfaqësues opozitar ata kanë kontribuar dhe punuar shumë për çështjen e lirisë  pavarësisë si dhe të shtetësisë së Kosovës.  Ishte shumë qesharak një diskurs i tillë sepse Kryeministri i ri trajtohej si një element tepër  destruktiv të cilit duhet ti tërhiqet vërejtja në krye të Qeverisë me paragjykime se ky nuk do të sillet mirë gjatë qëndrimit të tij në krye të organit më të lartë ekzekutiv  dhe nënteksti ishte se prej tij mund të pritej gjithçka e keqe dhe negative që pritet ti ndodh Kosovës dhe qytetarëve të saj. Dhe se  këta pra përfaqësuesit opozitar janë aty dhe se ata assesi nuk do ta lejojnë jo vetëm se Kryeministrin por edhe anëtarët e tjerë Qeveritar që të keq-qeverisin dhe ta keqpërdorin pushtetin gjatë kohës sa janë në detyrë”, ka theksuar Berisha për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka potencuar se diskursi përherë ishte shumë i tensionuar dhe shpërthyes dhe i stër-ngarkuar me plot akuza dhe kundërakuza.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe të shkurtër të qëndrimit në detyrë të Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë L.VV dhe LDK komunikimi politik mes forcave politike në opozitë dhe në pushtet asnjëherë nuk ishte i freskët e i matur por përherë ishte shumë i tensionuar dhe shpërthyes dhe i stërngarkuar me plot akuza dhe kundërakuza. Ky diskurs shpërthyes dhe armiqësor po vazhdon edhe më tej bile është intensifikuar me inicimin e mocionit për mosbesimin e Qeverisë Kurti i cili mocion edhe u votua nga ana e më shumë se 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me të cilin iu shpreh mosbesim Qeverisë së Koalicionit L.VV LDK. Tanimë forcat opozitare në Kosovë të trimëruara nga akti i votimit të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës e kanë intensifikuar fushatën e akuzave kundër Qeverisë dhe Kryeministrit  tanimë në detyrë. Në këtë fushatë është kyçur edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi i cili nuk ka ditë që nuk po adreson jo vetëm nga një por nga dy apo dhe tre akuza të ashpra ndaj Kryeministrit në detyrë dhe ndaj Qeverisë së tij.  Dhe duke i dëgjuar përditë dhe në vazhdimësi këto akuza të krijohet përshtypja se Kryeministri edhe gjatë kohës kur Qeveria e tij e kishte mbështetjen e shumicës në  Kuvend por edhe pas humbjes së kësaj mbështetjeje nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë gjë tjetër përpos që tërë kohës janë marrë dhe po merren me veprime destruktive dhe me keqpërdorime dhe me keq menaxhime në shtet. Konsideroj se kjo fushatë e ashpër do të vazhdoj dhe do të intensifikohet edhe më shumë deri kurë? Pra derisa Kryeministri në detyrë dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë së rrëzuar të mos i braktisin postet dhe të akomodohen në rolin e ri në atë opozitar”, ka deklaruar Berisha për “Bota sot”.

Në fund, ai ka thënë se akuzat e opozitës aktuale më shumë janë fjalë sepse përfaqësuesit nuk po paraqesin argumente dhe dëshmi konkrete për pohimet për keqpërdorime dhe për keqmenaxhim të pushtetit.

“Mirëpo si duket akuzat e opozitës aktuale më shumë janë fjalë sepse përfaqësuesit apo frontmenët e saj nuk po paraqesin argumente dhe dëshmi konkrete dhe të bollshme për pohimet për keqpërdorime dhe për keqmenaxhim të pushtetit dhe shtetit nga ana e përfaqësuesve të pushtetit të tanishëm. E për të qenë më bindëse akuzat ato duhet të mbështeten në dëshmi dhe në fakte konkrete sepse thuhet se para fakteve bindet edhe Perëndia ndërsa me akuzat e tanishme forcat opozitare duhet ta bindin edhe  opinionin më e gjerë në Kosovë për vërtetësinë dhe realitetin që e paraqesin para tyre cili tani për tani po bombardohet me akuzat ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë në detyrë”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat