Gashi tregon pse Thaçi dëshiron ta largojë VV-në nga pushteti dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Politika

Gashi tregon pse Thaçi dëshiron ta largojë VV-në nga pushteti dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Nga: G.B Më: 28 maj 2020 Në ora: 11:43
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet sipas Kushtetutës dhe jo të formohet Qeveria Hoti.

Por, a ka kushte që të mbahen ato?

Në një intervistë për gazetën "Bota sot", avokati i njohur Tomë Gashi, ka thënë presidenti ka bërë gabime të qëllimshme që ta largojë VV-në nga pushtetit, sepse ndjen rrezik për veten e tij për arsyet që ai i di.

"Presidenti ka bërë shumë gabime të qëllimshme për ta hequr nga pushteti Lëvizjen VV, sepse ai ndjen rrezik të madh për veten e tij nga LVV, e posaçërisht nga Kryeministri Albin Kurti, për arsye të cilat ne i dimë pjesërisht, ndërsa presidenti i di krejtësisht. Gabimi i presidentit është se nuk ka mundur të gjejë në Kushtetutë ndonjë Nen që LVV, pas mocionit të shkarkimit me 25 mars 2020 në një akt të caktuar nga presidenti, t'i dërgojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë pas mocionit të mosbesimit. Për çfarë arsye sipas presidentit qenkan të mjaftueshme 20 ditë, por jo për shembull 21 ditë. Ndoshta ngutja presidentit për ta larguar nga pushteti LLV dhe kryeministrin Albin Kurti, e ka detyruar që të bëjë gabime të tilla",është shprehur ai.

Sipas Gashit, zgjidhja e krizës janë zgjedhjet që mund të mbahen në bazë të rregullave të OBSH-së IKSHKP-së.

"E vetmja mënyrë e zgjidhjes së kësaj situate janë zgjedhjet dhe koha e pandemisë thuajse tani është e kaluar, por duke ju përmbajtur të gjitha rregullave të OBSH-së, dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pa asnjë problem dhe pa rrezikuar fare shëndetin e qytetarëve të Kosovës mund dhe duhet të mbahen zgjedhjet që të vazhdojmë më tutje në respektimin e Kushtetutës dhe implementimin e demokracisë. Nëse dikujt nuk i pëlqen Kushtetuta e tanishme, sigurisht që mund të iniciojë ndryshimin, amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, që të bëhen zgjidhje më të mira për situatat e ardhshme të njëjta apo të ngjashme që mund të ndodhin, dhe këto ndryshime mund të bëhen në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve të Kosovës. Se kjo është fare lehtë e mundshme dhe ka ndodhur, vërtetohet edhe me ndryshimin-amandamentimin e Kushtetutës që fatkeqësisht e bënë 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kur e ndryshuan Kushtetutën ”hatri” i formimit të Gjykatës Speciale në Hagë, kundër popullit shqiptar në përgjithësi, shqiptarëve të Kosovës në veçanti, e posaçërisht kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së", ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat