Elezaj: Do të ketë edhe protesta masive - Bota Sot
Elezaj: Do të ketë edhe protesta masive

Politika

Elezaj: Do të ketë edhe protesta masive

Nga: D.RR Më: 28 maj 2020 Në ora: 22:19
Rexhep Elezaj

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar protestën e sotme nga VV-ja, të cilën e quan të drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Protesta provë, e organizuar sot nga anëtarësia e LVV-je, pa marrë parasysh vlerësimet e ndryshme që po i bëhen këtij si dhe tubimit të para disa ditëve, është e drejtë e themelore dhe e patjetërsueshme e qytetarëve të Republikës së Kosovës, e shoqërive civile, shoqatave të ndryshme si dhe e subjekteve politike, të cilat, sa herë që mendojnë dhe e ndjejnë se të drejtat e tyre në çfarëdo lloj forme u janë cenuar ose shkelur, ata kanë të drejt të organizohen në protesta, tubime si dhe manifestime tjera, që mospajtimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre ta shprehin në forma të mos dëgjueshmërisë civile, natyrisht të lejuara me ligje dhe normat demokratike të shoqërisë dhe shtetit të cilit i përkasin”, tha ai.

Elezaj arsyen për protestë nga të rinjtë e VV-së, e sheh shkaktarë klasën e vjetër politike, të cilët sipas tij e kanë shkatërruar shpresën e vendit.

“Mirëpo, në çdo shtet demokratik në Evropë dhe botë, nuk ndodhë kështu qysh ngjet me individë, politikanë, medie dhe analistë politik në Kosovë, të cilët pa menduar fare si dhe pa bërë kurrfarë analize, merren më shumë me pasojat se sa me shkaktarët, e që janë, pse dhe kush po i shtyn që të protestojnë, dhe ky është defekti më i rënd në mendësinë politike të shoqërisë kosovare, sidomos tek diskursi politik i partive tona, të cilat nuk zgjedhin mjete dhe as fjalor për ta fyer, sharë dhe etiketuar palën tjetër me lloj-lloj akuzash dhe shpifjeve të pa verifikuara! E them këtë, sepse të rinjtë e LVV-je të cilët sot për të dytën herë dolën në shesh të Prishtinës për të bërë provën se si mund të organizohet një protestë e mirë, në fakt duhet thënë hapur dhe pa ekuivokë, se faktorët që ata po i shtynë me organizuar prova për protesta, e nesër ndoshta edhe protesta masive, përgjigja është shumë e thjesht; shkaktarët kryesorë janë puro politik, janë pra partitë opozitare të cilat iu kanë bashkëngjitur LDK-së së Isa Mustafës, si AAK-ja, NISMA dhe AKR-ja, në veprimet dhe luftën e saj për pushtet, siç ishte së pari rrëzimi i qeverisë “Kurti”, pjesë e të cilës ishte edhe vetë ajo, pastaj tendenca antikushtetuese e saj, që në koordinim me presidentin e vendit H. Thaçin, të formojnë qeveri të re ilegjitime, duke ia marrë fitoren LVV-je nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, e cila qeveri asnjëherë nuk do ta ketë përkrahjen e popullit, janë shkaktarët që të rinjtë e LVV-je i kanë qitur në shesh, dhe askush tjetër”, u shpreh Elezaj.

Për shkak të kësaj, ai thotë se anëtarësia e VV-së nuk do e pranojë dhunimin e votës së tyre.

“Prandaj, ky veprim hakmarrës, inatçor, të luftës për pushtet dhe mos pranimit të humbjes në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nga ana e LDK-së dhe pasueseve të saj, e bën anëtarësinë e LVV-je, që mos ta pranojnë në asnjë mënyrë dhunimin e votës së tyre, që ta mbrojnë lirinë e mendimit si dhe të drejtën e dhënies së votës atyre përfaqësuesve në Kuvend që ata mendojnë se më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e tyre qytetare dhe kombëtare”, u shpreh ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat