Tomë Gashi thotë se aktakuzat e para të Speciales janë bërë, tregon kur bëhen publik emrat - Bota Sot
Tomë Gashi thotë se aktakuzat e para të Speciales janë bërë, tregon kur bëhen publik emrat

Politika

Tomë Gashi thotë se aktakuzat e para të Speciales janë bërë, tregon kur bëhen publik emrat

Nga: G.B Më: 29 maj 2020 Në ora: 13:04
Tomë Gashi

Janë bërë gati pesë vjet që kur është votuar Gjykata Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Por, aktakuzat e para ende nuk janë ngritur, e së fundmi ka pasur lajme se ato mund të ngriten në korrik të këtij viti.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se deri tani janë ngritur së paku tri aktakuza nga kjo gjykatë dhe lëndët gjenden tek gjyqtari i procedurës paraprake dhe deri në korrik do të ju dorëzohen të akuzuarve dhe emrat e tyre do të bëhen publik.

"Deri më tani janë ngritur së paku tri aktakuza në Gjykatën Speciale dhe lëndët gjenden tek gjyqtari i procedurës paraprake, i cili nëse i konfirmon këto aktakuza, ato do të ju dorëzohen të akuzuarve, emrat e tyre do të bëhen publik dhe kjo mund të ndodhë deri në korrik apo gusht të këtij viti, sepse aktakuzat e para janë ngritur në shkurt të vitit 2020 dhe aktakuza e fundit në prill të këtij viti", është shprehur ai në një intervistë për gazetën "Bota sot".

Sipas Gashit, të gjithë kanë të drejtë të reagojnë apo edhe protestojnë kundër këtyre aktakuzave, përpos deputetëve që e kanë votuar këtë gjykatë, që është gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës të cilën ia ka bërë vetes.

"Ne të gjithë kemi të drejtë të reagojmë dhe të jemi të pakënaqur, ndoshta edhe të protestojmë kundër aktakuzave që janë ngritur ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, por këtë të drejtë së paku në aspektin moral nuk kanë 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët me 03 gusht 2015 e votuan këtë gjykatë dhe roli i presidentit të tanishëm për formimin e kësaj gjykate është i ditur. Kosovës asgjë nuk ka mundur t'i ndodhë më keq se që të voton një gjykatë kundër vetvetes dhe këtë ta bëjë 16 vite pas çlirimit, 7 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së duke iu dhënë imunitet nga ndjekja penale në këtë Gjykatë Speciale ushtarëve serb, policëve serb, atyre që vranë mbi 15 mijë civilë shqiptarë, vranë më tepër se 1000 fëmijë 0-7 vjeçar, vranë të moshuar dhe e bënë Kosovën shkrumb e hi vetëm për shkak se ne ishim shqiptarë dhe ata serb, ndërsa tani shqiptarët – deputetët e Kuvendit të Kosovës formuan Gjykatë kundër vetvetes-kundër çlirimtarëve –pjesëtarëve të UÇK-së", ka vlerësuar Gashi.

Avokati thotë se disa deputetë edhe krenohen me këtë që kanë bërë, derisa me këtë gjykatë kënaqet Serbia, që ne vet t'i dërgojmë në Hagë ata që luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës.

"Më keq se kaq nuk mund të bëjnë këta deputetë dhe disa prej tyre ende krenohen se kanë votuar drejt- e kanë ndryshuar Kushtetutën për të formuar një gjykatë, e cila më në fund i kënaq kërkesat e Serbisë, që ne vet t'i dërgojmë në Gjykatë Speciale në Hagë ata që luftuan për të mbrojtur popullin e Kosovës", ka deklaruar Tomë Gashi për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat