A do të jetë në gjendje ta ruaj Avdullah Hoti territorin e Kosovës? Analisti politik jep parashikimin e tij për sfidat që e presin vendin

Politika

A do të jetë në gjendje ta ruaj Avdullah Hoti territorin e Kosovës? Analisti politik jep parashikimin e tij për sfidat që e presin vendin

Nga: N. H Më: 30 maj 2020 Në ora: 16:26
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u tha se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit, profesori universitar, Enver Bytyçi ngritje një çështje se a do të jetë në gjendje i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, që ta ruajë territorin e Kosovës.

Bytyçi mes të tjerave në shkrimin e tij tha se do ta urojë dhe duartrokasë Avdullah Hotin, nëse e ruan territorin e Kosovës.

Për të folur rreth sfidave të cilat e presin qeverinë në ardhje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar analistin dhe njohësin e çështjeve politike në vend, Fatmir Bajra.

Ai fillimisht thotë se dialogu me Serbinë ishte ‘patatja e nxehtë’ për ish-kryeministrin Kurti dhe qeverinë e koalicionit LVV-LDK, fakt ky që, sipas Bajrajt, e detyroi Kurtin të gjejë strategji dalëse nga ky labirinth.

“Dialogu dhe skenarët e errët të ndryshimit të kufijve. Copëtimi i Kosovës, me pretekstin e korrigjimit të kufirit, siç e quante presidenti Thaçi, dhe ‘përkufizim’ siç e quante presidenti serb Vuçiq, kishte të njëtin qëllim e synim; ndarjen dhe copëtimin e Kosovës në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë si shtet, si zgjidhje kompromisi në mes dy popujve dhe shteteve dhe stabilitetit në rajon e me gjerë”, ka thënë fillimisht Bajraj.

Me tej ai deklaron se ideja për korrigjimin e kufijve ishte dhe mbetet serbe, por fatkeqësisht brenda saj u involvuan edhe lojtarët shqipfolës, presidenti Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Image
Fatmir Bajra

“Ideja e serbe me bashkëlojtarët shqipfolës u dekonspirua dhe u refuzua fuqishëm nga pala shqiptare në Kosovë dhe në Shqipërinë Londineze, përjashto këtu Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Samiti i Berlinit 2019, dhe në veçanti qëndrimi gjerman dhe i kancelares Merkel, i dha goditjen përfundimtare idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan, si një opsion dhe skenar i rrezikshëm i cili do hapte kutinë e pandorës dhe të efektit domino, pasojat e të cilit do ishin të paparashikueshëm për rajonin dhe Ballkanin e trazuar. Ndryshimi i kufijve, alias; copëtimi i Kosovës, ishte interes jetik, jo vetëm për Serbinë hegjemoniste, por edhe për Rusinë e Putinit e cila do përdorte si kartë ndryshimin e kufijve për interesat e veta në ish Republikat Sovjetike”, tha ai.

“Dështimi i skenarit të copëtimit të Kosovës, u pa edhe si dështim i BE-së dhe i zonjës Mogherini në arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi, e cila do relaksonte raportet dhe hapte rrugë Serbisë drejt integrimeve në BE me kalimin e kapitullit 35 në njërën anë, dhe do e mbante larg ndikimin dhe influencën Ruse në Ballkan”.

Qeveria Hoti dhe dialogu me Serbinë

Kurse, për sfidat të cilat e presin Hotin e LDK-së, Bajraj deklaron se ky i fundit është i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, por edhe i gatshëm që të përballet me këtë temë.

“Dështimi i BE-së dhe kyçja serioze e SHBA-vë dhe e administratës së Presidentit Trump, përmes zotërinjve; Palmer e Grenell, sikur ka aktivizuar edhe diplomacinë e BE-së, e cila insiston që të mbetet në ‘lojë’, dhe të drejtoj bisedimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke emëruar edhe përfaqësuesit e vetë në këtë dialog, siç janë zotërinjtë; Borell dhe Lajçak. Qeverinë Hoti, e pret që në start dialogu me Serbinë, dhe kryeministri i ri, është i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, por edhe i gatshëm që të përballet me këtë temë, nga e cila dezertoi realisht ish-kryemnistri Kurti, duke provokuar shkarkimi e Qeverisë dhe më pas, jo-gatishmërinë për një mandat tjetër nga ana e LVV-së”, deklaron analisti Bajraj.

Ai shton gjithashtu se në një tavolinë të dialogut, ku përveç palëve, është edhe BE-ja dhe SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj, Avdullah Hoti, nuk ka pse të ndihet inferior.

“SHBA-të dhe BE-ja, janë deklaruar hapur se një marrëveshje për ndryshim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ekziston, andaj lehet të kuptohet se zgjidhja e një marrëveshje eventuale, është në duart e palëve dhe se asnjë marrëveshje nuk do t’u imponohet palëve, por do të ndihmohen deri tek arritja e asaj marrëveshje. Në një tavolinë të dialogut, ku përveç palëve, është edhe BE-ja dhe SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj, Avdullah Hoti, nuk ka pse të ndihet inferior në bisedime dhe duhet insistuar me ngulm që aty të jetë palë e barabartë dhe assesi objekt i bisedimeve, pra që Kosova në ato bisedime të jetë subjekt dhe jo objekt trajtimi”, ka shtuar ai.

Ndryshimi i kufijve

Analisti politik ka bërë më dije po ashtu se qeveria e kryeministrit në ardhje, Avdullah Hoti, duhet të këmbëngul në barazinë në dialog, duke mos përjashtuar asnjë temë trajtimi eventual me Serbinë në të ardhmen.

“Ndryshimi i kufijve si opsion dhe skenar në praktikat juridike ndërkombëtare, mund të shtrohet e trajtohet vetëm nga shtetet që kanë njohur njëra-tjetrën, pra nga vendet të cilat kanë kufij të pranuar shtetëror dhe i njohin sovranitetin dhe integritetin territorial, njëra-tjetrës gjë që nuk është rasti ynë me Serbinë fqinje, e cila jo vetëm që se njehë sovranitetin shtetëror të Kosovës, por se në preambulën e Kushtetutës se vetë, Kosovën e ka si pjesë të Serbisë, por të pushtuar me forcë dhe e privuar përkohësisht nga e drejta e ushtrimit të sovranitetit mbi atë territor (Kosovë e Metohi). Qeveria e Kryeministrit në ardhje, Avdullah Hoti, duhet të këmbëngul në barazinë në dialog, duke mos përjashtuar asnjë temë trajtimi eventual me Serbinë në të ardhmen, por pasi që kjo e fundit të njoh integritetin dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, nga 17 shkurti i 2008”, është shprehur analisti politik.

Sipas njohësit të çështjeve politike, mosnjohja e Kosovës nga Serbia, dhe ekzistimi në preambulë të saj si pjesë integrale, apriori përjashton trajtim të çështjes së kufijve, pra një trajtim i tillë, është i pa objekt.

“Kosova, po dialogut, por jo marrëveshjes e cila ka çmim, copëtimin e Kosovës. Copëtimin e Kosovës, do arrinim edhe pa luftë dhe pa viktima në radhët tona dhe dëmet të cilat pësuam si popull dhe shoqëri, por një gjë të tillë e refuzuam me projektin nacional për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, e cila u kurorëzua më 12 qershor 1999, me çlirimin e Kosovës dhe me pavarësimin e arritur në koordinim me sponsoret e shtetësisë, në krye me Amerikën më 17 shkurt 2008, dhe pse ta pranonim tani? Marrëveshjes e cila presupozon kompromis, tkurrjen e territorit të Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008, duhet thënë përfundimisht jo, dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Hoti dhe LDK-ja, më shumë se një herë, dhe një vullnet i tillë, nuk është në BE dhe as në Amerikë dhe në administratën e presidentit Trump”, ka theksuar ai.

Ai nënvizon se i vetmi kompromis që duhet bërë palës serbe në Bruksel, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por pa pushtet të tretë, përkatësisht, pa kompetenca ekzekutive, me ç’rast, statuti i këtij Asociacioni duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“I njëjti, është paraparë në Pakon për Pavarësi të Ahtisaarit dhe Kosova e ka detyrim kushtetues respektimin e Asociacionit. Ç’kapja e shtetit dhe lufta kundër krimit e korrupsionit, është një nga prioritetet e programit qeverisës të LDK-së dhe kryeministrit Hoti, pra krahas zhvillimit ekonomik, dialogut dhe integrimeve, drejtësia dhe shteti i së drejtës janë në fokus të këtij orientimi, ku lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant, do jetë detyrë mbi detyra në planin e brendshëm. Një luftë e tillë, me një AAK dhe NISMA në koalicion të cilat lanë shije të keqe në qeverisjen paraprake, nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. ‘Pronto’, siç quajmë kapësit e shtetit nga krahu i luftës, kanë depërtuar thellë në të gjitha poret e jetës publike dhe institucionale, duke kthye në sistem abuzimin, shkarjet dhe nepotizmin”, ka nënvizuar Bajraj.

Krejt në fund, analisti politik konsideron se Hoti ka vullnetin, dijen dhe guximin të përballet me të gjitha dukuritë negative që kanë ngulfat perspektiven dhe shpresën e vendit

“ Hoti prapa vetës ka edhe LDK-në, dhe me shpresë, tanimë edhe AAK-në dhe NISMA-në e Limajt, të cilët kanë dhënë premtimin se do pasojnë me përkushtim e seriozitet angazhimin dhe agjendën qeverisëse të Hotit. Shteti ligjor dhe sistemi drejtësisë, nuk duhet kuptuar si hakmarrje, por si një ‘luftë’ imediate kundër krimit dhe korrupsionit të kthyer në sistem, dhe kjo ‘luftë’ duhet bërë, pavarësisht çmimit deri në triumfin përfundimtar. Qeveria Hoti, jep këtë shpresë, pamëdyshje”, ka thënë në fund, analisti politik, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat