A mund Gjykata Kushtetuese ta kufizoj forcën e politikanëve? - Bota Sot
A mund Gjykata Kushtetuese ta kufizoj forcën e politikanëve?

Politika

A mund Gjykata Kushtetuese ta kufizoj forcën e politikanëve?

Nga: D.B. Më: 2 qershor 2020 Në ora: 15:14
Foto Ilustrim

Gjykata Kushtetuese është institucion shumë i rëndësishëm shtetëror i cili merret me shqyrtimin dhe analizimin e ligjeve për të parë se a thua këto akte juridike janë apo nuk janë në përputhje me kushtetutën.

Por krahas kësaj Gjykata Kushtetuese gjithashtu duhet që të analizojë dhe shqyrtojë se athua vallë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore a janë në përputhje me parimet dhe standardet demokratike.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ejup Berisha i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet gjithashtu që të merret me këto punë dhe aktivitete.

Image
Ejup Berisha

“Gjykata gjithashtu duhet që të analizoj dhe shqyrtoj se athua ligjet dhe aktet nënligjore se athua këto a janë në përputhje edhe me parimet dhe standardet demokratike. E them këtë gjë pasi që shumica e vendeve të botës e kanë instaluar sistemin demokratik të qeverisjes prandaj duhet të ekzistojë edhe një mekanizëm i përshtatshëm institucional që do të shqyrtoj dhe analizoj dhe më vonë edhe të konstatoj se ligjet dhe aktet e tjera nënligjore janë apo nuk janë në përputhje me kushtetutën dhe me ligjet. Dhe jo vetëm aktet juridike por në sistemet demokratike duhet që të shqyrtohen dhe analizohen edhe aktivitetet dhe veprimet konkrete të politikanëve në praktikë dhe ato gjithashtu të shihen dhe analizohen se athua vallë edh këto a janë në përputhje jo vetëm me kushtetutën dhe me ligjet por edhe me parimet dhe standardet demokratike. Pra këtu e kamë fjalën për sjelljet veprimet si dhe aktivitetet e politikanëve”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, me këtë aktivitet të Gjykatës Kushtetuese do të ndërpritej vet vullneti dhe kryeneçësia e aktorëve politik në ambientin politik që janë shumë prezentë në praktikën politike të shumicës së vendeve të botës por të njëjtat nuk mungojnë edhe te ne.

“Pse është i nevojshëm një aktivitet i tillë Përgjigja është se nëse demokracia është përcaktuar si vlerë kulmore kushtetuese atëherë kjo e imponon nevojën që parimet dhe standardet demokratike jo vetëm të mundësohen por gjithashtu të njëjtat edhe të mbrohen nga shkeljet dhe keqpërdorimet me Kushtetutë. Nuk duhet të lejohet që Kushtetuta të mos e mbrojë Demokracinë. Po të bëhet kjo atëherë marrja me politikë në aspektin praktik e imponon obligimin që politikanët të kenë kujdes gjatë veprimeve tyre praktike në politikë. Nuk mund që shumica e politikanëve të futen në politikë dhe të mos mbajnë llogari e më vonë edhe të mos japin llogari apo mos të përgjigjen për aktet dhe veprimet e tyre kundër kushtetuese e kundërligjore bile dhe antidemokratike”, ka thënë analisti Berisha.

Ai ka thënë se veprime të tilla sot ka shumë dhe është bërë praktikë që askush jo vetëm të mos japë llogari por edhe të mos-sanksionohet apo edhe të mos dënohet për asgjë.

“Praktika e mos gjykimit dhe mos dënimit të individëve qofshin ata të rëndomtë apo dhe njerëz që merren me politikë është nëna e të gjitha të këqijave që mund ti ndodhin jo vetëm shoqërive njerëzore por edhe shteteve. Praktika të tilla këtu te ne kemi mjaft dhe askush nuk mundohet ti ndërpres ato. Nëse njerëzit janë të barabartë para ligjeve atëherë këta duhet të jenë të barabartë edhe gjatq bartjes së përgjegjësive dhe nëse imponohet nevoja për dhënie të llogarive për veprimet apo aktet e tyre të bëra në politikë. Në jetën e përditshme ekziston një realitet absurd e ai konsiston me faktin se qytetarët e rëndomtë për çdo gjë bile edhe më të imtë dhe të parëndësishme përgjigjen dhe japin llogari këta jo vetëm përgjigjen por edhe dënohen bile në procedura të shpejta dhe afatshkurta. Ndërsa politikanët edhe pse kanë dhënë premtimin se gjatë aktiviteteve dhe veprimeve të tyre do ti respektojnë kushtetutën dhe ligjet ata këto i shkelin në vazhdimësi dhe për këtë gjë asnjëri prej tyre jo që nuk dënohet bile asnjëri edhe nuk jep llogari”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, ka kohë këtu që gjithkush futet në politik bën plot vepra të këqija dhe shumë të shëmtuara bile edhe akte makabre dhe pastaj o vazhdon akoma të merret me politikë apo o tërhiqet tërësisht nga politika pa dhënë asnjë llogari dhe pa ju nënshtruar fare bartjes së të paktën të minimumit të përgjegjësisë.

“Nëse jo më shumë të paktën të tregojnë se pse dhe për çfarë shkaqesh dhe arsyesh ata i kanë bërë këto akte dhe veprime në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet. Prandaj në politikë ka aq shumë kriminalitet dhe shumë korrupsion sepse aktet dhe veprimet e politikanëve askush nuk i vëzhgon dhe nuk i shqyrton e as nuk i analizon. Ndërsa veprimet e këqija dhe makabre bile askush nuk i vlerëson dhe nuk i gjykon prandaj në politikë secili individ bën çfarë ti teket dhe çfarë të dojë. Prandaj pse Gjykata Kushtetuese nuk ngarkohet edhe me një mision të tillë. Ashtu kështu Gjykatësit Kushtetues marrin paga dhe përfitime shumë të mëdha si rezultat i angazhimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë analisti Berisha.

Ai tutje ka shtuar se duke i pasur parasysh këto gjëra le të kontribuojnë pak për kufizimin e forcës të stërtepruar dhe të stërmadhuar të politikanëve.

“Edhe pse në aspekt kushtetues e juridik këtë mision duhet ta kryej Kuvendi Republikan por në rrethanat aktuale ky institucion shumë i rëndësishëm kontrollues nuk po arrin ta kryej këtë obligim kushtetues të tij për shkak se e tërë pesha dhe ndikimi politik ka kaluar te Qeveria dhe organet administrative të saj. Ndërsa Kuvendi e ka marrë një rol apo dhe mision të ri pra ai sot i mbyll sytë përballë veprimeve të këqija që i bëjnë politikanët bile edhe ato që duhet ti kontrolloj dhe kufizoj vet Kuvendi e për të tjerët as të mos flasim” është shprehur analisti  politik Ejup Berisha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat