Çfarë po fshehët pas veprimeve të Thaçit pro Qeverisë Hoti

Politika

Çfarë po fshehët pas veprimeve të Thaçit pro Qeverisë Hoti

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 qershor 2020 Në ora: 21:23
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

“Nëse Thaçi s’do të kishte interes të formohet qeveria Hoti, të jeni të bindur se do e dërgonte vendin në zgjedhje. Interesat e Thaçit janë në dy dimensione: së pari të përmbyll marrëveshjen me Serbinë, nga e cila pritet të përfitoje amnesti, dhe e dyta të fitojë edhe një mandat në krye të shtetit. E para është më e rëndësishme, ndërsa e dyta si plotësim e të parës”, u shpreh analisti politik Faton Mehmeti.

Pas dekretit që miratoi Gjykata Kushtetuese atëhere nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit ku pritet të votohet Qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin.

Mirëpo me propozimin e presidentit Thaçi dhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese është rrëzuar qeveria Kurti kështu duke lënë hapësirë për një qeveri të re siç është ajo e Hotit.

Por se për çfarë qëllimesh e filloi këtë dekretim Thaçi dhe se a po vazhdon të jetë pro formimit të qeverisë flasin njohësit e çështjeve politike të cilët u shprehën që për të vazhduar mandatin si president atëherë këtë mund ta shfrytëzoj edhe përmes qeverisë Hoti.

Mehmeti: Do t'i kushtojnë për kohë të gjatë LDK-së flirtimet me Thaçin

Njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Thaçi nëse nuk ka interes të tij atëherë nuk do formonte qeverinë Hoti.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse Thaçi s’do të kishte interes të formohet qeveria Hoti, të jeni të bindur se do e dërgonte vendin në zgjedhje. Interesat e Thaçit janë në dy dimensione: së pari të përmbyll marrëveshjen me Serbinë, nga e cila pritet të përfitoje amnesti, dhe e dyta të fitojë edhe një mandat në krye të shtetit. E para është më e rëndësishme, ndërsa e dyta si plotësim e të parës”, u shpreh Mehmeti.

Më tej, Mehmeti thotë që këto flirtimet e LDK-së, me Thaçin do t’i kushtojnë për një kohë të gjatë LDK-së i cili ka në dorë Isën dhe klanin e tij.

“Fatkeqësisht LDK është shndërruar në vegël të Thacit, njeriut që urrejtjen në shpirt për Rugovën e ka akoma. Flirtimet e LDK me Thaçin e forcojnë Thaçin dhe dobësojnë LDK, një parti e cila ka miliona arsyeje të "shkel" Thaçin. Nuk është çudi që Thaçi të zgjidhet president me votat e LDK-së, fal të cilës edhe është sot në atë zyrë. Do t'i kushtojnë për kohë të gjatë LDK-së flirtimet me Thaçin, i cili ka futur në dorë Isën dhe klanin e tij”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Ahmeti: Thaçi çdo veprim të tij e kalkulon brenda interesave të tij personale

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që veprimet e fundit të Thaçit janë të kalkuluara për interesat e tij personale.

Ahmeti më tej shton që, pa dashur me vlerësua aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, veprimet e tilla të zotit Thaçi janë të mirë menduara për një skenar të zgjatjes së mandatit të tij prej presidenti.

Image
Hidajet Ahmeti

“Presidenti Thaçi prej një idealisti politik është transformuar në pragmatist politik, i cili çdo veprim e kalkulon brenda kornizave të interesave personale. Veprimet e tij të fundit janë shume të dyshimta, pasi karriera e tij politike me shume ka qenë me veprime brenda “makiavelizmit politik” se sa përfaqësimit të mandatit të tij që ka përfaqësuar e përfaqëson. Gjykoj se dekreti i tij më shuma ka qenë për ta akomoduar përkohësisht vetën dhe klientelen e tij kriminale se sa për të vepruar brenda frymës kushtetuese. Pa dashur me vlerësua aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, veprimet e tilla të zotit Thaçi janë të mirë menduara për një skenar të zgjatjes së mandatit të tij prej presidenti, pasi autoriteti dhe simpatia e tij janë rrënuar tejmase”, u shpreh Ahmeti.

Në fund, Ahmeti thotë që Thaçi me çdo kusht do të mundohet të zgjasë mandatin e tij pasi rënia që ka pësuar PDK-ja, nuk e lejon të mendoj të kthehet të veproj në këtë parti poltike.

“Kalkulimet e tij politike në asnjë mënyrë nuk të japin sinjal për t’iu kthyer jetës aktive politike në PDK, pasi është i vetëdijshëm për rënien drastike të përkrahjes në popull dhe asesi personaliteti i tij nuk duron të kthehet për të humbur. Prandaj, zoti Thaçi me çdo kusht mundohet që ta zgjasë mandatin e tij përmes pazareve të tij të ulëta dhe me skenar të rrezikshëm për të ardhmen e vendit”, përfundoi Ahmeti.

Duhanaj: Nëse do të ndodhë që të jemi në situatë ku kërkohet konsensusi politik, atëherë z. Thaçi do të pozicionohet në mënyrë që ta fitojë dhe një mandate

Ndërsa njohësi tjetër i çështjeve politike, Leon Duhanaj, për “Bota sot”, u shpreh që dështimet e LVV dhe LDK, ka bërë që Thaçi të rikthehet në fokus tek qytetarët e vendit duke e vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese së fundi.

Image
Leon Duhanaj

“Nëse u referohemi zhvillimeve politike të dy muajve të fundit, nuk mund të themi se janë pasojë e ndonjë skenari të z. Thaçi. Por, prap bazuar në këto zhvillime, mund të vërehet një rehabilitim i z. Thaçi në opinionin publik, pas rënies së imazhit të tij vitin e kaluar. Për ketë, ndryshim nuk shoh shumë merita të z. Thaçi, sa shoh dështimet e "kundërshtarëve" politik të tij, qoftë nga ana e LDK-së, qoftë nga ana e VV-së. Këto dy parti, duke bërë gabime të njëpasnjëshme i mundësuan z. Thaçi të rikthehet në fokusin e qytetarëve të vendit. Pas aventurave të pamatura të z. Kurti, z. Thaçi doli si mbrojtës i rëndit dhe ligjit, me çka e vërtetoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Duhanaj.

Tutje, Duhanaj thotë që nëse do ndodhë që të jemi në situatë ku kërkohet konsensusi politik, atëherë mund të ndodhë që z. Thaçi të pozicionohet në mënyrë që ta fitojë dhe një mandat, shkathtësitë për të bërë një manovër të suksesshme politike i ka.

“Tani, se a mund të ndodhë që në ndonjë kalkulim, t'i vazhdohet mandati z. Thaçi si President i vendit, kjo nuk përjashtohet. Megjithatë, nëse ka përpjekje të tilla nga ana e tij, unë e konsideroj legjitime. Megjithatë, mendoj që çështja do të varët nga situata apo momentumi politik, në të cilin do të gjëndet Kosova vitin e ardhshëm. Nëse do të ndodhë që të jemi në situatë ku kërkohet konsensusi politik, atëherë mund të ndodhë që z. Thaçi të pozicionohet në mënyrë që ta fitojë dhe një mandat, shkathtësitë për të bërë një manovër të suksesshme politike i ka”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat