Zogaj flet për jetëgjatësinë e Qeverisë Hoti dhe përfshirjen në koalicion të Listës Serbe

Politika

Zogaj flet për jetëgjatësinë e Qeverisë Hoti dhe përfshirjen në koalicion të Listës Serbe

Nga: G.B Më: 4 qershor 2020 Në ora: 12:27
Avdullah Hoti

Dje është formuar Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti nga LDK, e votuar nga 61 deputetë të Kuvendit.

Në mesin e tyre 10 vota ishin nga deputetët e Listës Serbe, të cilët janë pjesë e koalicionit.

E Hoti, tani kryeministër i zgjedhur me votat e serbëve, dy vite më parë kishte deklaruar se nuk është stabile një qeveri e zgjedhur nga Lista Serbe dhe se LDK asnjëherë nuk do të lejojë që ajo të vendosë për fatin politik të Kosovës, të cilin ia vendosi dje.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se përfshirja e Listës Serbe nuk është asgjë e re dhe pjesëmarrja e tyre është e garantuar me Kushtetutë.

"Përfshirja e Listës serbe në Qeveri nuk është asgjë e re, sepse pjesëmarrja e serbëve në qeverisjen e Kosovës është e drejtë e garantuar me Kushtetutën që e ka aprovuar Parlamenti i Kosovës. Përpjekja për interpretime tjera është spekulim rrugaçëror dhe përpjekje për manipulime të fëlliqura denigruese që po bëhen nga koluaret e zeza të nëntokës subverzive, thellësisht antikosovare, të cilat po duan ta vënë zjarrin Kosovës dhe të tregojnë se shqiptarët janë të pazot për t'u vetqeverisur", është shprehur ai.

Sa i përket deklaratës së Hotit, Zogaj thotë se ka deklaruar sikur të gjithë kryeministrat para tij dhe se serbët nuk mund të vendosin me dy poste, kundrejt shqiptarëve.

"Avdullah Hoti sikurse edhe të gjithë kryeministrat para tij, ka deklaruar se nuk do të lejojë që serbët të vendosin për fatin politik të Kosovës. Në këtë deklaratë nuk ka asgjë të keqe, sepse serbët i kanë marrë postet që janë të detyrueshme me Kushtetutë. E dyta, si u bëka që serbët me dy të vendosin për fatin politik të Kosovës, kundrejt shqiptarëve me 15 poste, brenda një qeveri demokratike ku gjithçka vendoset me votim. Edhe më injoranti e kupton se, nuk është e vërtetë se serbët mund të vendosin për fatin politik të Kosovës! Kjo është mënyrë e kobshme e sjelljes nga e cila duhet pasur frikë, sepse, është me shenja tepër të rrezikshme", ka vlerësuar Zogaj.

Ndërsa, sa i përket jetëgjatësisë së Qeverisë, ai thotë se nuk mund të thotë asgjë, por përmdn punën si ministër i financave të Hotit si të suksesshme.

"Sa i përket jetëgjatësisë së Qeverisë Hoti nuk mund të them asgjë, mirëpo jam i bindur se, kjo qeveria ka emra ministrash që dinë dhe duan që ta kryejnë punën e tyre mirë. Kryeministri Avdullah Hoti, të mos e harrojmë se si ministër i financave me (laps e jo me britma) ka qenë nga më të suksesshmit e të gjitha qeverive të Kosovës së lirë", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat