“Qeveria Hoti më shumë do jetë qeveri e kuislingëve të Vuçiqit e Grenellit, sesa e popullit të Kosovës”

Politika

“Qeveria Hoti më shumë do jetë qeveri e kuislingëve të Vuçiqit e Grenellit, sesa e popullit të Kosovës”

Nga: D.B. Më: 4 qershor 2020 Në ora: 15:15
Vuçiq-Grenell

Qeveria e Hotit mund ta krahasojmë me Qeverinë e Esat Pashë Toptanit, për shkak se kjo qeveri më shumë do dukej e huaj, sesa e popullit të Kosovës.

Kjo qeveri është formuar për të eliminuar Albin Kurtin dhe për të dëmtuar demokracinë parlamentare e në të mirë të Serbisë.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se, kjo Qeveri nuk mund të lëviz në të mirën e Kosovës për shkak gishtave të dhjetë deputetëve të Listës serbe.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij kjo qeveri më shumë është Qeveri e kriminelit serb Goran Rakiq sesa e Hotit.

“Si mund të jetë Qeveri e Kosovës kur të gjitha ligjet do varen prej deputetëve serb. Kemi thënë edhe më parë se Qeveria e Hotit do jetë e përkohshme, e dialogut me Serbinë për shkëmbime territoresh dhe kaq. Kjo është qeveri e marrëveshjeve të partive të korruptuara për t'u mbrojtur nga krimet e bëra njëzetvjeçare. Ish-qeveria e Haradinajt shiti Çakorrin, qeveria e Hotit e formuar nga Thaçi do shes Veriun e Mitrovicës dhe pjesët tjera serbe në Kosovë. Forca e kësaj qeverie është e brishtë me 51 deputetë të Kosovës dhe 10 deputetë të ardhur nga Serbia e Vuçiqit”, ka thënë Mehazi.

Ai konsideron se edhe sikur të themi se Qeveria e Hotit do jete e suksesshme, nuk mundemi të besojmë për shkak Listës serbe dhe Zëvendës Kryeministrit të parë të kriminelit Goran Rakiq.

“Po ashtu, qeveria e Hotit është krijuar për t'u ikur zgjedhjeve të Jashtëzakonshme e për të plotësuar dëshirat politike të Thaçit, Vuçiqit e Grenellit. Kjo na detyron që mos t'i besojmë kësaj qeverie, ky mos besim do bie revolta të mëdha popullore. Edhe sikur të mendojmë mirë, as se si s'del llogaria e të vepruarit politik në të mirë të Kosovës, për shkak se është qeveri e inateve politike e jo dëshirave popullore. Të eliminohet Vjosa Osmani me afër 200,000 vota e të zëvendësohet me Hotin kryeministër, pa zero vota, është e pa tolerueshme për qytetarët e Kosovës, Vjosa gjatë kampanjës zgjedhore të lodhej duke prezantuar programin e LDK-së në çdo skaj të Kosovës e Hoti pa pikë djerse të marrë postin e Kryeministrit është jo etike, mashtruese e nënçmuese. Dhe jo vetëm për Vjosën, por edhe për votuesit e LDK-së e popullatës në përgjithësi. Qeveria e Hotit më shumë do jetë qeveri e kuislingëve të Vuçiqit e Grenellit sesa e popullit të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat