Hoti ta ndjekë politikën Rugoviane, e jo të Isa Mustafës!

Politika

Hoti ta ndjekë politikën Rugoviane, e jo të Isa Mustafës!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 qershor 2020 Në ora: 07:56
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Pas rrëzimit të qeverisë në krye të cilës ishte Albin Kurti, Kosova formoj pak ditë më parë qeverinë e re të cilën e drejton Avdullah Hoti nga LDK-ja. Hoti erdhi në këtë pozitë falë një koalicioni shumëpartiak, duke përfshirë LDK-në e dalë si parti e dytë nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, bashkë me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet. Të bashkuara në një koalicion të përbashkët, këto parti arritën minimumin e votave për të formuar qeverinë.

Avdullah Hoti ishte zëvendëskryeministër në qeverinë paraprake dhe Ministër i Financave në Qeverinë Mustafa.

Ndonëse i përket të njëjtës parti që dikur e themeloj Presidenti historik, Ibrahim Rugova, a do të mundet Avdullah Hoti të ndjekë rrugën e tij, pasi njihet për një urtësi të tillë?

Njohësit e çështjeve politike, thonë se ndonëse Avdullah Hoti njihet si një profesionist në fushën e ekonomisë dhe një figurë e urtësisë, askush nuk mund të ndjekë rrugën që bëri Presidenti Rugova.

Zeqiraj: Hoti nuk mund të bëjë politikë si Rugova

Kështu Idriz Zeqiraj vlerëson shumë figurën e kryeministrit Avdullah Hoti, duke thënë se ai ka sjellë ‘risi në kërkesa llogarie, duke mos u mjaftuar, siç veprohej më parë, me llogari paushalle shifrore, por, të detajuara, me emërtesa përcaktuese, ku dhe për çka janë bërë shpenzimet’.

Image
Idriz Zeqiraj

“Avdullah Hoti njihet si ekonomist i vyeshëm, i përkushtuar në profesionin e tij. Autor i 6 librave me trajtesa ekonomike si dhe i disa punimeve profesionale ekonomike, të botuara në medien ndërkombëtare në gjuhën angleze. Si Ministër i Financave, është shquar për aftësi menaxhuese. Më ka rastisur të bisedoj me nëpunës financash nëpër komuna. Sipas tyre, ministri Hoti solli risi në kërkesë llogarie, duke mos u mjaftuar, siç veprohej më parë, me llogari paushalle shifrore, por, të detajuara, me emërtesa përcaktuese, ku dhe për çka janë bërë shpenzimet”, vlerëson Zeqiraj.

Sipas Zeqirajt, Avdullah Hoti, edhe pse shquhet për thjeshtësi, maturi e urtësi, cilësi këto që e karakterizonin Presidentin Rugova, është vështirë të ndjekë politikë si ai. Sepse politika devijante nga fryma rugoviane e krerëve aktual të LDK-së, reflekton edhe tek kuadrot e saj, në rastin konkret edhe tek kryeministri Hoti.

Ai thotë më tutje se dy çështje e kanë zbehur dhe dëmtuar figurën e Hotit.

“Dëgjueshmëria e tepruar, dakordimi i zotëri Hotit me shefin e partisë, Isa Mustafa, madje, edhe për çështje të ndjeshme, fort të dëmshme për Kosovën. Në dy palë zgjedhjet e fundit, anëtarësia, elektorati i ndëshkoi, me votë, disa klanorë të kreut të LDK-së. Megjithatë, Hoti, deri tani, mençurisht, i ka shpëtuar komprometimit dhe u provua pozitivisht me votën zgjedhore, si dhe, ish-kryeministri Mustafa, me oreksin e tepruar për të mbetur, madje, me çdo kusht në pushtet, filloi pagesën e Veteranëve të UÇK-së, prej një shifre enorme 46.300, prej tyre rezultojnë të jenë 33.600 "veteranë" të rrejshëm. Deri para disa muajve janë shpërdoruar 89 milionë euro (nëse vazhdon ky abuzim, shifrat do të jenë miliardshe), për shpërblimin e "veteranëve" fiktivë. Ky abuzim, me paranë publike, e implikon edhe ish-ministrin e Financave, Avdullah Hotin, i cili iu bind verbërisht shefit të partisë së tij”, vlerëson ai.

Sipas tij, janë, pikërisht, këto dy çështje që e kanë vënë në provë Hotin dhe nuk e ka përballuar presionin e shefit autokrat të LDK-së, i cili ka mbetur peng i mendësisë së shkuar moniste.

“Si ministër i Financave, ai duhet të reagonte, me bllokim të fillimit të dhënies të parave, pa i verifikuar fare emrat listorë me "Dëshmi të Veteranit", thotë Zeqiraj.

Zogaj: Nuk mund t’i përsërisë askush vlerat e Rugovës

Image
Skender Zogaj

Poashtu edhe analisti Skender Zogaj, thotë se niveli intelektual, por edhe niveli prej burrështetasi e strategu janë vlerat e papërsëritshme të Presidentit Ibrahim Rugova.

“Niveli intelektual, shkencor, politik, diplomatik, por dhe prej burrështetasi e strategu me vizionaritet të jashtëzakonshëm, janë vlerat e papërsëritshme të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili e ka shënuar epokën më të ndritshme të demokracisë shqiptare  dhe të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.  Prandaj, nuk mund të kërkohet që të kemi një kalibër të tij”, vlerëson Zogaj.

Ai thotë më tutje se ndjekës të platformës së  ideve dhe vizioneve politike të Presidentit Rugova padyshim që ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen.

“Unë jam thellësisht i bindur se, ndjekës i denjë i politikës rugoviane ka dëshmuar se është Avdullah Hoti, i cili ka përgatitje të larta shkencore e intelektuale, ka urtësi dhe mençuri, ka treguar së është udhëheqës me profil modern dhe me aftësi më të mirëfillta menaxhuese politike  e profesionale, dhe se nuk i mungon përkushtimi prej institucionalisti demokrat! Të gjitha këto them se e bëjnë të nderuar figurën e Avdullah Hotit, prandaj shpresoj dhe besoj që të dëshmohet edhe si kryeministër i Kosovës, në frymën e idealeve të Presidentit Rugova”, thotë tutje Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat