Takimi në Washington, Shahu: Së pari flet SHBA pastaj BE, do të ndalen lodrat për copëtimin e Kosovës

Politika

Takimi në Washington, Shahu: Së pari flet SHBA pastaj BE, do të ndalen lodrat për copëtimin e Kosovës

Nga: G.B Më: 19 qershor 2020 Në ora: 08:57
Richard Grenell

Takimi që do të mbahet me 27 qershor në Washington është tema më e përfolur aktualisht.

Këtë takim e ka konfirmuar emisari Richard Grenell, duke thënë se në atë takim do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.

E përfshirjen e SHBA-së në dialog, njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu, e sheh si vlerësim për Kosovën dhe se për Kosovën së pari flet Amerika e më pas BE.

“Përfshirja e drejtpërdrejtë e Amerikës në udhëheqjen e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, përmes emisarit special Grenell, të presidentit amerikan, është lartësi e vlerësim për Kosovën dhe pohim politik e diplomatik se për Kosovën se pari flet Amerika e pastaj BE”, është shprehur ai.

Vizitën e Lajçak në Prishtinë ai e quan ndezje të motorëve nga BE, duke shtuar se zvarritja e problemeve nga diplomacia evropiane nuk tolerohet më nga Amerika.

Image
Rexhep Shahu

“Vizita e Lajçak në Prishtinë është ndezje e motorëve edhe nga BE e cila tani do të jetë një zbatuese e asaj që mund të vendoset në Amerikë. Të gjithë politikanët në Evropë në çdo rast e për çdo çështje i mbajnë sytë nga Amerika dhe nuk flasin as udhëheqin asgjë para Amerikës. Ngadalësimi e zvarritja e problemeve nga diplomacia evropiane duket nuk tolerohet më nga Amerika e cila është investitorja politike dhe ushtarake e lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe duket se po i del zot investimit të saj”, ka vlerësuar Shahu për “Bota sot”.

Sa i përket faktit se nuk dihet nëse Lajçak do të jetë pjesë e takimit në Washington, ai vlerëson se ata pohojnë realitetin në Evropë.

“Diplomatët e BE që ende nuk e dinë a do të ftohen në bisedimet e udhëhequra nga Grenell ne Amerikë pohojnë realitetin që është në Evropë. Shqiptarët çobanë, partizane me pushkë druri që rrinë e përgojojnë Amerikën e zyrtarët e saj duke thënë Amelika Amelika dhe përgojojnë emisarin special Grenell, vazhdojnë të vjellin rrjeteve sociale kundër Amerikës”, ka thënë Shahu.

Nga takimi në SHBA ai pret që të ndalen lodrat e copëtimit të Kosovës, derisa shton se nuk pret marrëveshje të shpejtë.

“Nga takimi në Amerikë pres që të ndalen lodrat e copëtimit të Kosovës, pres që të mos ndihen më faqe gazetash dhe ekrane televizionesh me projekte të sponsorizuara për copëtimin e Kosovës. Unë nuk po mendoj për marrëveshje të shpejtë por po mendoj të bien thashethemet për copëtim Kosove”, ka deklaruar Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat