Serbia merr Veriun, Kosova merr Preshevën, ky do të jetë epilogu i bisedimeve në SHBA - Bota Sot
Serbia merr Veriun, Kosova merr Preshevën, ky do të jetë epilogu i bisedimeve në SHBA

Politika

Serbia merr Veriun, Kosova merr Preshevën, ky do të jetë epilogu i bisedimeve në SHBA

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 19 qershor 2020 Në ora: 18:09
Hashim Thaçi dhe Richard Grenell

Ndonëse është verë, ethet politike në Kosovë janë shtuar si asnjëherë më parë, në vigjilje të takimit në Shtëpinë e Bardhë. Fillimi i bisedimeve politike ka ndodhur kah fundi i vitit 2012, megjithëse ato të quajtura teknike filluan që nga viti 2011.

Që nga fillimi i dialogut deri më tani janë arritur më shumë se 33 marrëveshje, shumica ende të pazbatuara. Qysh në fillim është ditur se me Serbinë nuk ka bisedime teknike, çdo gjë është politike. Vënia në pikëpyetje e legjitimitetit të Kosovës shtet ka ardhur si pasojë e klasës politike, që nuk ka pasur strategji të qartë, duke u munduar të përfitojnë politikisht në ngritjen e rejtingut politikë të tyre. Kjo qasje e ka dëmtuar shumë Kosovën, për fajin e politikanëve të papërgjegjshëm ka dëmtuar shumë pavarësinë e saj, me tezat e marra për shkëmbim të territoreve.

Tanimë ndodhemi në një realitet krejtësisht të pa injorueshëm, me shumë pikëpyetje se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, dhe çfarë do të mund të arrihet në Shtëpinë e Bardhë. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë theksuar disa herë për kompromise të dhimbshme, pa e saktësuar asnjëherë se çfarë në të vërtetë nënkupton.

Me shkëmbimin e territoreve në xhep të presidentit të Kosovës, dhe të vërtetën përballë president serb të realitet të pavarësisë së Kosovës, nuk përjashtohet mundësia që Serbia të marrë një pjesë të Veriut, duke arsyetuar para popullit serb se “fituam aq sa mundëm”.

Në anën tjetër krahas ndarjes, Kosova do të përfitojë një pjesë të Preshevës, liberalizim të vizave dhe fonde të mëdha, ilaç për të shëruar dhimbjen e ndarjes. Duket në perspektivë një mundësi e tillë, nëse nuk del diçka e papritur që do të ndryshonte kahjen e krejt rrjedhës së ngjarjes.

Nëse kështu ndodh, Kosova s’ka kuptim edhe nëse njihet nga Serbia, apo edhe nëse fiton shumë benefite tjera. Të gjitha mund t’i përfitojmë me kohë, vetëm toka më nuk kthehet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat