Ndarja e Kosovës nuk është tabu, çfarë do të ndodh në Shtëpinë e Bardhë?

Politika

Ndarja e Kosovës nuk është tabu, çfarë do të ndodh në Shtëpinë e Bardhë?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 qershor 2020 Në ora: 11:44
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Delegacioni i Kosovës pritet që të takohet më 27 qershor me delegacionin se Serbisë në Uashington me ftesë të emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialog Richard Grenell.

Në këtë takim është raportuar se mund të arrihet marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, udhëheqësit e vendit kanë njoftuar se nuk do të ketë ndarje të vendit, kurse Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të pretendoj se ekziston një marrëveshje të tillë.

Ekspertët shprehen se nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e territorit të shtetit tonë, pasi që në të janë të përfshirë Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Bajraj: SHBA-të impulsuan Dialogun Kosovë-Serbi!

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se në dialogun e Kosovë –Serbi do të kulmoj me njohje reciproke, integrime veri-atlantike dhe futjen e palëve nën ombrellën sigurisë së Amerikës.

Image
Fatmir Bajraj

Ai e ka quajtur lajm të mirë përfshirjen e SHBA-në në bisedime, ku sipas tij, nxori në sipërfaqe dy faktor relevant.

“Nën patronatin e SHBA-vë, dialogu Kosovë-Serbi, kurrë s'do të promovoj & prodhoj ndarjen dhe copëtimin e Kosovës dhe as dobësimin e subjektivitetit shtetëror të saj, përkundrazi; dialogu do kulmoj me njohje reciproke, integrime veri-atlantike dhe futjen e palëve nën ombrellën sigurisë së Amerikës. Ftesa e palëve në Uashington për dialogun Kosovë-Serbi nga ana Shtëpisë së Bardhë, përkatësisht nga ana e Administratës së Presidentit amerikan, Donald Tump përmes përfaqësuesit special të Presidentit amerikan, ambasadorit Richard Grenell, është një lajm i mirë dhe i shumëpritur nga klasa politike e Kosovës, e cila ndër vite ka kërkuar dhe insistuar që SHBA-të, të përfshihen ma seriozisht në këtë proces të vështirë dhe kompleks, përjashto LVV-në e Kurtit e cila ka kundërshtuar të gjitha proceset politike që ka kaluar Kosova dhe shqiptarët që nga Konferenca e Rambujes e këndej”.

Sipas tij, liderizmi i konfirmuar i SHBA-vë në proces, nxori në sipërfaqe dy fakte relevante të cilat determinuan promovimin e nevojës imediate të kyçjes së Uashingtonit drejtpërdrejt në procesin e dialogut.

“E para; Dështimi i Brukselit si lehtësues i dialogut në mes palëve, dhe, e dyta : Orbita gjeopolitike dhe gjeostrategjike e SHBA-së në krye të NATO-së dhe si liderë  botërore. BE-ja si union i kombeve të Europës dhe i shteteve nacionale, nuk ia doli t'i tejkaloj dallimet dhe konvergjencat të cilat në vend të unitetit dhe njëjtësimit të qëndrimeve, prodhuan heterogjenitet dhe jo qartësisë të procesit, për pasojë, edhe stërzgjatje të procesit dhe komplikim të tij. Kriza e unionit dhe e zgjerimit të tij, ndikoj edhe në kursin e institucioneve të BE-së karshi zgjerimit dhe dialogut Kosovë Serbi, për çfarë ky proces doli nga binarët real dhe synimet fillestare”, ka shpjeguar Bajraj.

Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk do të ketë marrëveshje të gatshme që u servohet palëve ngase një e tillë nuk ka ekzistuar kurrë.

“SHBA-të, janë të interesuara ma shumë se kurrë, që të shtrijnë influencën dhe primatin e superfuqisë edhe në Ballkanin Perëndimor, duke zgjeruar rrezet e stabilitetit në këtë pjesë të Europës, pasi që ia dolën mbanë me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, për të vazhduar fuqishëm me Kosovën dhe Serbinë, kjo e fundit si një oazë e ndikimit të ndjeshëm rus dhe qarqeve anti-perëndimorë. Me 27 Qershor 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në tavolinën e dialogut në mes palëve, nuk ka marrëveshje të gatshme që u servohet palëve ngase një e tillë nuk ka ekzistuarkurrë, dhe aq më pak nga SHBA-të të cilat mbajnë autorësinë e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Bajraj shtuar se delegacioni i Kosovës nuk do tënegocioj çështjen e kufijve të Kosovës dhe as rregullimin e brendshëm Kushtetues.

“Në Uashington me 27 qershor palët në dialog; Kosovë Serbi, do të kenë fokus konturat dhe parimet bazë të një marrëveshje e cila mbyllë armiqësitë, i hap rrugë zhvillimit, proceseve dhe njohjes reciproke si frutë i një finale të dakorduar nga palët dhe të mbikëqyrur nga SHBA-të. Në dialogun e sponsorizuar nga SHBA-të, Kosova dhe institucionet e saja, nuk do të negociojnë, statutin e Kosovës, integritetin territorial dhe as sovranitetin e vendit. Në dialogun e iniciuar dhe të udhëhequr nga SHBA-të  në Uashington, Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Hoti nuk do të negocioj çështjen e kufijve të Kosovës së 17 shkurtit 2008 dhe as rregullimin e brendshëm Kushtetues i cili tejkalon pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, nuk do ketë kompetenca ekzekutive, pra pushtet të tretë, dhe Statuti i Bashkësisë do të miratohej vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bajraj ka komentuar edhe qëndrimet e ish kryeministrit Albin Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka thënë se është i gabuar dhe i dëmshëm.

“Qëndrimi i VV-së, me apo pa dashje , konverton me interesat ruse në Ballkan, të cilat përjashtojnë çfarëdo marrëveshje Kosovë-Serbi, të arritur me ndërmjetësimin e SHBA-vë. Qëndrimi i VV-së dhe i Kurtit karshi procesit të dialogut dhe udhëheqjes së tij nga ana e SHBA-vë, është i gabuar dhe i dëmshëm, ngase SHBA-të nuk kanë një plan të gaditur dhe të gatshëm për palët dhe aq më pak një plan që hartës së Kosovës ia fut thikat dhe akterët vetëm vejnë firmat. Kauza e VV-së dhe e Kurti, se SHBA-të duan një marrëveshje të shpejtë, të ngutshme dhe në dëmë të Kosovës, është e rrejshme, e sajuar dhe kundër interesit nacional shtetëror të Kosovës dhe shqiptarëve. SHBA-të, nuk kanë ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët "për sy t`zi", por për interesa strategjike për vete dhe jetike për Kosovën dhe shqiptarët. Sikur të mos ishte kështu ; si mund të arsyetohen investimet enorme të Amerikës në Kosovë dhe për shqiptarët, rreth tri dekada...! SHBA-të, i kanë dhënë vulën ; çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qëndruar fortë dhe fuqishëm në strategjinë e sofistikuar gjeopolitike , të cilën ndjekin presidentet e SHBA-vë dhe administrata amerikane pavarësisht se cili krah i politikes është në Shtepinë e Bardhë dhe në Senat apo në Kongres !”, ka thënë Bajraj për “Bota sot”.

Berisha: Ndarja e Kosovës nuk është tabu

Ndërkaq, politologu Ejup Berisha, ka deklaruar se kohëve të fundit si duket  nuk është më  temë e paprekshme as  për palën e Kosovës ndarja e vendit.

Image
Ejup Berisha

“Çështja e ndarjes së Kosovës si duket nuk është më temë tabu. Kjo asnjëherë nuk ka qenë tabu për palën serbe apo për Serbinë,  por kohëve të fundit si duket  nuk është më  temë e paprekshme as  për palën kosovare. Do të thotë se tanimë të dyja palët flasin hapur për mundësinë që të ndodh ndryshimi i mundshëm sa i përket çështjes së kufijve apo territorit të Republikës së Kosovës. Përderisa disa vite me radhë pala serbe dhe pala kosovare kanë biseduar së bashku gjerë e gjatë me ndërmjetësim ndërkombëtar në Bruksel atëherë dalëngadalë po qartësohet një çështje e ajo është se atje fatkeqësisht nuk është tema e kufijve të Kosovës apo nuk është lënë pa u hapur edhe kjo çështje apo se të dyja palët realisht kanë biseduar për diçka më të madhe dhe më delikate e ajo çështje si duket  është më e dhimbshmja për palën kosovare siç është tema për kufijtë apo për territorin e Kosovës. Për palën serbe kjo çështje është shumë e rëndësishme që të ndodh duke i pasur parasysh angazhimet  dhe aktivitetet e tyre të parreshtura disa dekadëshe  në këtë drejtim, ndërsa për palën kosovare kjo çështja e ndarjes së Kosovës deri para disa vitesh ishte çështje e padiskutueshme ndërsa tani si duket për dikë  është bërë  çështje lehtë e  diskutueshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai shprehtë  se vetëm akterët kryesor mund të dinë se a ka pasur negociata për ndarjen e territorit të Kosovës, po ashtu ai ka përmendur edhe faktin se presidenti Thaçi ka folur me herët për këtë çështje.

“Lidhur me çështjen se a ka pasur negociata për ndarje në Bruksel apo në ndonjë tjetër shtet të botës p.sh në Uashington e gjetiu në ndonjë vend tjetër të botës këtë e dinë vetëm se aktorët kryesor kosovar e serb bile edhe ato të BE-së  që kanë qenë të kyçur në bisedimet në relacionin Beograd Prishtinë. Edhe pse Presidenti i Republikës së Kosovës tani një kohë të gjatë ka folur për mundësinë e njëfarë korrigjimi të kufijve ai jo vetëm formalisht por edhe faktikisht ka bërë me dije se në tavolinat ku është zhvilluar dialogu i ndërsjellë shqiptaro-serb është biseduar edhe çështja që për palën kosovare sipas tij është mundësi për korrigjimin e kufijve e për palën serbe kjo është një  mundësi ideale  apo dhe dëshirë e kamotshme e tyre për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës. Do të thotë se edhe korrigjimi i kufijve edhe ndarja asocojnë në të njëjtën gjë pra asocojnë në ndryshimin e realiteteve ekzistuese sa i përket temës së kufijve apo dhe territorit të Kosovës. Pra këto dy fjali korrigjimi i kufijve dhe ndarja e territorit janë çështje të njëjta apo  realisht e kanë një emërues të përbashkët ndarjen. Apo siç thuhet  shkurt e shqip ndër popull  ‘u përmend Ali Hoxha o Hoxhë Alija ky është i njëjti person’”, ka thënë Berisha për “Bota sot”.

Ai e sheh si veprim të gabueshëm mos presionin e opinionit publikë ndaj presidentit Thaçi që të tregoj se çfarë është biseduar në Bruksel.

“Si duket gabimi më i madh në Kosovë është se opinioni më i gjerë publik në  Republikën e Kosovës nuk po bën presion të duhur që Presidentin ta detyron që ky ta thotë deri në fund realitetin apo ta elaboron edhe më shumë çështjen lidhur me atë se çfarë angazhimi apo detyrimi ka marrë i njëjti në tavolinat e bisedimeve në Bruksel apo për çfarë angazhimi të fshehtë  është zotuar i njëjti kundrejt palës serbe apo dhe evropianë. E aty ‘ku ka tim fshihet edhe zjarri’ thotë një fjalë popullore”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Berisha ka komentuar edhe akuza e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj presidentit Thaçi

“Lëvizja Vetëvendosje kur i referohet bisedimeve dhe angazhimit të Presidentit Hashim Thaçi në ato  bisedime tre paleshe në Bruksel nuk ka rreshtur që Presidentin ta akuzon për angazhim të dyshimtë në procesin e bisedimeve me palën serbe apo se ky është angazhuar më shumë për çështjen e ndarjes së Kosovës sesa për çështjet që duhet të ishin në interes shtetëror apo  dhe në të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra shkurt e shqip Lëvizja vetëvendosje Presidentin Thaçi e ka akuzuar edhe më keq apo për tradhti kombëtare sa i përket temës së çështjes së korrigjimit të kufijve. E Presidenti Thaçi po mundohet ta bind opinionin kosovar se nuk bëhet fjalë për ndarje por për mundësinë e korrigjim të kufijve”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Politologu Berisha thekson se për takimin e 27 qershorit duhet të flasin përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe  presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëse do të ketë korrigjim të kufijve.

“Tani më në opinion po flitet se më 27 qershor pritet të mbahet një takim i rëndësishëm mes Kosovës dhe Serbisë ku sipas disa analizave pritet të arrihet ndonjë marrëveshje finale për ndarjen apo me zhargonin e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve se a do të ndodh një gjë e tillë për këtë çështje duhet të flasin përfaqësuesit amerikan e  më i detyruar duhet të jetë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ky pra është i detyruar ta thotë realitetin kundrejt qytetareve të Kosovës sepse ky edhe paguhet shumë shtrenjtë për këtë çështje. E sa i përket mundësisë për ndarje të Kosovës derisa ekziston territori i Republikës së Kosovës dhe insistimi dhe interesi i dikujt që atë ta ndaj atëherë ndarja është e pashmangshme për neve si shqiptar kjo çështje duhet të jetë e papranueshme dhe e ndaluar”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat