Lëreni Vjosën në fisnikërinë e saj, merruni me problemin!

Politika

Lëreni Vjosën në fisnikërinë e saj, merruni me problemin!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 qershor 2020 Në ora: 22:34
Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij, qëllimshëm meren me Vjosën, gjithnjë në përgaditjen e anëtarësisë dhe të opinionit, për goditjen e saj. "Vjosa po kritikon, po sulmon LDK-në; po kundërshton zbatimin e vendimeve të saj!" "Zonja Osmani ka devijuar nga kursi që mbanë LDK-ja!" E deri ke thirrja për linçim: "Ata që kundërshtojnë vendimet e partisë, s`mund të mbajnë poste drejtuese!" Dhe, këtu kulmon faza e eleminimit politik. Mendje akademikësh, por, veprime e fjalë prapanice!

Qëndrimet e Vjosa Osmanit nuk lidhën me individë të caktuar, por me një klan të stazhionuar, uzurpues të partisë dhe flirtues me PAN-istët, që i lidhë biznesi korruptiv. Për rrjedhojë, klani brenda Kryesisë të LDK-së, është fort i shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-u i tij. Sforcimi i presidentit aksidental, për ta bërë pjesë të Parlamentit NISMA-n dhe AKR, si dhe bërjen e zorshme të Qeverisë Hoti, nëpërmjet organizmave zyrtare, të përzgjedhura nga ai, (Hashimi), janë dëshmi e konspiracionit të pistë Isa-Hashim. Këtu fillon plani për dështimin e koalicionit fitues!

"Nuk kanë qenë kundërshtimet ndaj partisë, por, ndaj koalicioneve të gabuara, që fondamentin e kanë pasur në krim e korrupsion. LDK e ka ditur për qëndrimet e mia, para se të më kandidojë për kryeministre", - deklaron Vjosë Osmani. Më qartë dhe më dinjitetshëm nuk ka si të shpjegohet.

Realisht, Vjosa është mbrotësja më e madhe, më dinjitoze, pikërisht, e LDK-së dhe e elektoratit të saj. Ajo, me guximin intelektual dhe qytetar, edhe pse e vetme, po reziston, për ta mbrojtur LDK-në dhe Kosovën, nga oligarkët, tashmë, uzurpues të të gjithë spektrit partiak politik në Kosovë. Ata janë bashkuar, si kurrë më parë, në mbrojtje të pozitave të tyre partiake, pushtetare dhe biznesore. 

Prova dhe fakte të reja dëshmojnë se prishja e koalicionit VV-LDK, Mocioni i mosbesimit, deri tek shkarkimi i Qeverisë Kurti, nuk ishte as taksa dhe as shkarkimi i një ministri. Të gjithë kësaj i priu marrëveshja konspirative Hashimi-Isa, me primatin drejtues dhe realizues presidentin fatal, të kurorëzuar me votat e LDK-së, nën presionin kriminal e rrugaçëror ndaj deputetëve të klanit Mustafa.

Vjosa është prodhim natyral i rugovizmit të dlirë, parimor, stoik e konsekuent. Nëse 165 mijë votat e 6 tetorit 2019, ishin të LDK-së, si bartëse e listës zgjedhore, të 64 mijë votat e zgjedhjeve paraprake, ishin të Vjosë Osmanit. Sepse, ajo i fitoi këto vota, duke qenë e listuar me numrin rendor 81! Ndërkohë që votuesit mund t`i shpërndanin tek 99 kandidatët tjerë për deputetë.

Shumësia e votave, besimi i madh ke Vjosa, sikur në gjallje të Rugovës, e shpëtoi LDK-në nga rënia e lirë që kishte, pikërisht, në prag të zgjedhjeve. Në këtë rënie LDK-në e kishte katandisur klani, brenda Kryesisë, në krye me mjeshtrin e kalkulimeve intriguese, Isa Mustafën. Simpatia e anëtarësisë dhe e elektoratit, deri në adhurim, për Vjosë Osmanin dhe brezin e Republikës, reformatorët në perspektivë të LDK-së, i tmerroi klanorët. Angazhimi i rinorëve, me frymëzimin rugovian, shtoi entuziazmin dhe ringjalli shpresën për rimëkëmbjen e LDK-së dhe shpresën për ndryshime në Kosovën tonë.

Vjosa Osmani vendosi të jetë e drejtëpërdrejtë. Ajo nuk preferoi të bëjë diplomaci me anëtarësinë e LDK-së, me votuesit, elektoratin, popullin e Kosovës. Premtimin e dhënë e mbajti, nuk e bëri zhele si klani i Mustafës. Dhe, vuri pikën mbi "i", duke denoncuar paligjshmërinë drejtuese në partinë e Rugovës, në partinë e saj LDK-e. Me këtë denoncim zyrtar, risi për të gjithë skenën politike të Kosovës, të cilët e kanë plot gojën demokraci, por, në fakt, e kanë dhjerë atë, pikërisht, me rizgjedhjet partiake aklamative, 99 %-she, siç bënin Stalini, Hitleri, Enveri dhe soji i tyre kriminal e rrugaçërorë.

Njerëzit që duan të vërtetën, më shumë se vetën, jo rrallë sfidohen në jetë. Megjithatë, asnjëherë në jetë nuk i kam bishtënuar sfidës. Në vitet `60-a, duke lënë modestinë me një anë, unë, natyrisht, me shokë, isha i pari që u përballa me pushtuesin, me kërkesat që do të shpaloseshin në demonstratat e vitit 1968.

Në Shqipëri edhe pse isha student dhe mësues i privilegjuar, kundërshtova mungesën e demokracisë, diktaturën e egër staliniste dhe e pësova me humbjen e rinisë burgjeve politike.

Në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, duke parë maskaradën zgjedhore, ku u shkelën tri parimet bazë të demokracisë, si: debati i munguar; konkurrenca e përjashtuar dhe votimi i fshehtë demokratik i mohuar, isha kundërshtues i zëshëm i vetëm, me thirrjen e bërë në sallën e Kuvendit: O skllevër të shekullit digjital, këndelluni, mos heshtni, reagoni, kundërshtoni këtë maskaradë zgjedhore të klanit të Isa Mustafës! 

Vuajtjen time jetësore, e kam kompensuar me ngushëllimin e madh se e vërteta ka qenë gjithëherë në anën time.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat