Gjykata Speciale nuk e njollos luftën e UÇK-së, ajo e pastron atë!

Politika

Gjykata Speciale nuk e njollos luftën e UÇK-së, ajo e pastron atë!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 qershor 2020 Në ora: 10:29
Ndertesa e Gjykates Speciale ne Hage

Zyra e Prokurorit Special ka iniciuar aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Thaçi dhe Veseli gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kanë mbajtur poste të larta.

Por a do të vihet në pikëpyetje lufta e ndershme UCK-së nga këto akuza që mund të ngritën nga Gjykata Speciale, për këtë ekspertë vlerësojnë se nuk mundet të njollosët lufta tyre ndaj okupatorëve serb.

Mehmeti: Hije keqe nëse dënohen krerët e UÇK-së

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, ka thënë se në çdo luftë ka pasur njerëz të dënuar për krime, por kjo nuk do të thotë se komplet lufta ka qenë kriminale.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse dënohen krerët kryesor të UÇK-së natyrisht se i bie hije e keqe UÇK-së, megjithatë duhet pritur përfundimi për të parë se a do shpallën apo jo fajtor. Në anën tjetër në çdo luftë ka pasur njerëz të dënuar për krime, por kjo s’do të thotë se komplet lufta ka qenë kriminale. Të kujtojmë këtu se UÇK-në askush, as Departamenti i Shtetit nuk e ka shpallur terroristë sepse nuk ishte”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Mehmeti ka deklaruar se çfarëdo vendimi të jetë asgjë nuk mund të baltos UÇK-në.

“Të presim përfundimin për të parë epilogun, megjithëse çfarë do vendimi të jetë asgjë nuk mund të baltos UÇK, edhe pse mund të ketë pasoja me ca njolla, e të cilat me sqarime edhe mund të largohen. Gjithsesi Thaçi dhe Veseli nuk duhet të fshihen pas luftës për vrasjet e kundërshtarëve politike, kjo s’ka të bej fare me UÇK-në”, ka deklaruar Mehemti për “Bota sot”.

Specialja ka qëllim zbardhjen e vrasjeve

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se qëllimi i paraqitjes së aktakuzës është zbardhja e e vrasjeve të disa personaliteteve shqiptarë gjatë luftës dhe pas saj.

“Aktakuzat të ngritura nga Gjyqi Special i Hagës ndaj Presidentit Hashim Thaçi, dhe ish Kryeparlamentarit të Kosovës dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve që nuk janë konfirmuar emrat e tyre, e që ngarkohen për vrasje të 100 personave dhe shumë të tjerëve gjatë luftës dhe pas saj, e që qëllim kryesor e ka zbardhjen e vrasjeve të disa personaliteteve shqiptarë gjatë luftës dhe pas saj, e që numri i tyre nuk është i vogël por e kalon njëqindëshin. Nëse po jetojmë një shtet të pavarur demokratik dhe të njohur nga 116 shtete me pavarësi të konfirmuar nga GJND, dhe qytetarët e vendit tonë punojnë dhe kontribuojnë që ta zhvillojnë shtetin e tyre edhe demokraci në këtë shtet, se vetëm në këtë mënyrë Kosova mund ta fitoj liberalizimin e vizave që kemi mbet si i vetmi shtet në Ballkan më i izoluar, të anëtarësohet në organizatat e BE si INTERPOL, UNESCO e shumë të tjera, si dhe në OKB si shtet i pavarur. Prandaj pa luftimin e te gjitha te këqijave ne vend e sidomos krimit te organizuar dhe korrupsionit, Kosova nuk mund ti arrije ato privilegje dhe te pranohet ne ato institucione ndërkombëtare sikur i numërova”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava është shprehur se dikush ka për qëllim të dezinformomi të opinionet, por Gjykata Speciale nuk e ka për qëllim të njollosjes së UÇK-së.

Zbulimi i vrasjeve sukses për Kosovën

“Duhet ta bëjmë një dallim që dikush po e dezinformon opinionin, se ky gjyq nuk e ka qëllimin  e njollosjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me aktakuza të ngritura nga Gjykata Speciale,. Sepse edhe këtë gjykatë vetë Parlamenti i Kosovës e ka miratuar, prandaj përkundrazi e ka qëllimin e pastrimit të UÇK-së, nga ata persona që i kanë vra rreth 100 njerëz e ndoshta edhe ata që kanë vra thirren dhe i gëzojnë benifitet e veteranëve të luftës, qe supozohen se viktimat janë të vrarë gjatë e pas luftës, e sidomos kur në territorin e Kosovës atëherë nuk kishte forca të Serbisë. Dyshimet më të mëdha janë të krijuara se si është e mundshme që një numër i njerëzve aq i madhe të vrarë, e kur në mesin e tyre si të vrarë kishte emra të devotshëm që kishin punuar dhe kontribuar për çlirimin e Kosovës, e që janë emra të njohur për opinionin kosovar. Zhgënjimi më i madh nga ana e qytetarëve është në institucionet e shtetit të Kosovës që pranë numrave të mëdhenj të policëve, gjykatësve, prokurorëve dhe institucioneve tjera që i luftojnë krimet në përgjithësi, mos të zbardhet asnjë si i vetmi raste të këtyre vrasjeve. Do të thotë  se zbulimi i vrasësve të këtyre njerëzve do të jetë një sukses për Kosovën e sidomos për familjarët të cilët tash e mbi 20 vite janë në pritje ta dinë të vërtetën e vrasjeve të njerëzve më të dashur të tyre, dhe mos ta ndijën nënçmimin apo njollosjet që ju vijnë nga opinione të ndryshme, dhe të jenë të njollosur si armiq të Kosovës, por njëherë e mirë kur të zbulohen vrasësit, do të dihen se kush janë ata vrasës, dhe qëllimi i atyre vrasjeve. Çdo kosovar ka respekt dhe është krenar për ushtrinë e Kosovës (UÇK) sepse po ata djalë janë bijtë e Kosovës që iu bashkëngjitën luftës, duke sakrifikuar jetërat e tyre për çlirimin e Kosovës, por njëherit janë kundra atyre që për qëllime të panjohura i kanë vrarë kuadrat shqiptarë pa një sqarim të hollësishëm, prandaj çdo kush që donë më e ndje ndenjen e atyre familjarëve që ju kanë vra familjaret e tyre, letë të mbesin me ndjenjat dhe shpirtin e tyre se si kishin me e ndije veten sikur të ju kishin vra anëtarët e familjarëve të tyre, dhe mos me u ditë tani e mbi 20 vite se kush i vrau? “, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Tërnava është shprehur se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare nuk do të njolloste.

Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se aktakuza e Gjykatës Speciale munden të shfrytëzohen si fushatë nga Serbia dhe Rusia.

“Marrë në tersi lufta e UÇK-së nuk do të njolloset përkundrazi do të spastrohet. Shtetet armiqësisht të orientuara ndaj Kosovës si Serbia dhe Rusia rastin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së, këtë situate do ta shfrytëzojnë  si fushate kundër Kosovës, dhe njohjeve të pavarësisë së saj, si dhe do të bëjnë presion tek disa shtete për ç ‘njohjet ndaj pavarësisë që i janë bërë dhe po i bëhen Kosovës”, ka deklaruar Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat