Teki Dervishi, sui generis i shqiptarisë

Politika

Teki Dervishi, sui generis i shqiptarisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 qershor 2020 Në ora: 09:40
Teki Dervishi

Padyshim se njëra nga detyrat tona njerëzore, intelektuale, morale e kombëtare, është edhe përkujtimi dhe nderimi i figurave të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të veçanta dhe që kanë bërë kthesë rrënjësore në historinë e kulturës sonë. E tillë është edhe figura e poetit, prozatorit, dramaturgut, publicistit të spikatur e drejtorit disa vjeçar të gazetës “Bota sot”, Teki Dervishi.

Ai u lind në vitin 1941 në Gjakovë, ku kaloi një fëmijëri tepër tronditëse e dramatike duke i përjetuar trysnitë dhe padrejtësitë e shumta që i bënte regjimi komunist jugosllav, kur më vonë, në moshën 17 vjeçare u arrestua, u dënua dhe vuajti disa vjet në burgun famëkeq të Goli Otokut.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978.

Deri në vdekjen e tij, Dervishi ishte drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”.

Nëntë vite pas shkuarjes në amshim, miqtë e afërt, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të.

Don Lush Gjergji: Njerëzit si Teki Dervishi nuk vdesin kurrë

Image
Don Lush Gjergji

Përfaqësuesi Ipeshkisë të Kosovës Imzot Don Lush Gjergji, është një nga personat që njohu për së afërmi shkrimtarin dhe artistin e madh Teki Dervishi.

Ai për gazetën “Bota sot” ka vlerësuar lartë figurën dhe kontributin e Teki Dervishit, për të cilin thotë se është i pavdekshëm sepse njerëzit e tillë nuk vdesin kurrë, teksa ka theksuar si ai ishte një dramaturg i rrallë, shumë i shquar e i dalluar për shumëçka.

Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë. Ata janë të pavdekshëm. Ata vazhdojnë të jenë në mesin e të gjallëve, ndonëse nuk janë të pranishëm fizikisht. Kështu unë e përkujtoj, “jetoj” me Mikun dhe Vëllain tim Teki Dervishin sot dhe gjithnjë, pasi ai ka lënë vulë të pashlyeshme kulturore jo vetëm në mua, por në kulturën tonë kombëtare. Ai për mua ishte dhe mbetët një Mik, një Vëlla, një krijues, një artist e një dramaturg i rrallë, shumë i shquar e i dalluar për shumëçka. Përse dhe si? Si një njeri i formuar dhe i kompletuar në shumë dimensione dhe horizonte, si nga aspekti i kaluarës, si nga aspekti i jetësimit dhe përgjegjësisë për të tashmen, por edhe nga vizioni i qartë dhe largpamës që kishte për të ardhmen”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Duke treguar se Dervishi ishte një intelektual i mirëfilltë, Don Lush Gjergji thotë se ai kishte dy shtylla, besonte në Zotin dhe Popullin.

Kjo vërtetohet dhe dëshmohet në jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij shumëdimensionale: Ai ishte një intelektual i mirëfilltë në tri elementët bazë të jetës, në histori, si mësuesja dhe nëna e jetës; në të tashmen, për guxim dhe dituri për t’u ballafaquar me baticat dhe zbaticat e jetës së përditshme siç ishte koha e tij dhe e jonë; sidomos për të ardhmen, një njeri që kishte vizion dhe profetizim. Sepse ai kishte dy shtylla, besonte në Zotin dhe Popullin, në lashtësi, traditë, kulturë dhe qytetërim euro-kristian gjatë shekujve, deri në ditët tona”, thotë tutje ai.

Sipas Don Lush Gjergjit, njerëzit karizmatik si Teki Dervishi, në shumë raste janë të papërsëritshëm dhe nuk lënë askënd prapa. Ai tregon se Dervishit i pëlqente shumë thënia latine: "Të shërbesh domethënë të mbretërosh".

Fatkeqësisht nuk la kënd prapa, se njerëzit karizmatik, siç ishte Teki Dervishi, në shumë raste janë të papërsëritshëm dhe janë pa trashëgimtar në kuptimin kulturor, sepse gjenitaliteti nuk bartet brez pas brezi, por është tek njerëzit të cilën dinë ta shfrytëzojnë këtë gjenitalitet dhe të vihen në shërbim të së mirës të përbashkët për popullin. Njerëz të tillë fatkeqësisht janë shumë rrallë, mu për këtë krijojnë shumë, e kur kalojnë në amshim, atëherë, përpos krijimtarisë dhe dëshmisë, shembullit të mirë, lënë shumë zbrazëti dhe mangësi. Stili i jetës dhe krijimtarisë së tij ishte dashuria dhe shërbimi, pa pritur prej askujt asgjë, por prej të gjithëve pranimin e vlerave dhe virtyteve të historisë dhe aktualitetit. Për këtë atij i pëlqente shumë thënia latine: "Të shërbesh domethënë të mbretërosh", pasi që dashuria dhe shërbimi është krijimtaria, kontributi më i madh ndaj së kaluarës, të tashmes dhe ardhmërisë”, u shpreh Gjergji.

Miku dhe Vëllau im Tekiu jeton te Zoti dhe me Zotin, si dhe në mendjen dhe zemrën time, por shpresoj dhe uroj edhe te Populli Shqiptar, ata që me veprat e tija rriten, ushqehen, frymëzohet dhe jetojnë. Pushoftë në paqe”, ka shtuar në fund ai.

Foniqi: Tekiu ishte i veçantë dhe tepër i sinqertë, nuk i donte servilët

Image
Shaqir Foniqi

Ndërsa gazetari Shaqir Foniqi njëherësh edhe miku i Teki Dervishit duke shpalosur kujtimet për mikun e tij të dashur thotë se Tekiu ishte i thellë mendërisht dhe kombëtarisht.

TEKIU I VEÇANTË! Në karrierën time me ka rënë të bashkëpunoj me shumë revista dhe gazeta shqipe, nga e gjithë gjeografia jonë. Kësisoj, edhe me botën sot, pikërisht për hapësirën që me krijonte Teki Dërvishi. Ai ishte i veçantë, i drejtpërdrejtë dhe tepër njerëzor. Nuk kisha hasur deri atëherë njeri më të thellë mendërisht dhe kombëtarisht. Ç’është e vërteta, bashkëpunimin me të e kisha filluar kur Tekiu ishte në gazetën, 'Flaka e vëllazërimit' të Shkupit. Temat e mia ishin ekskluzive dhe të karakterit kulturor. Ndonëse, nuk mund të them se kisha ndonjë njohje të hershme dhe aq të thellë, megjithatë, e hetoja se tek ai, unë kisha një besim dhe vlerësim të lartë. Teki Dërvishi ishte mendjehollë dhe do të thoja një shkollë gazetarie ,profesioniste, të guximshme dhe udhërrëfyese, natyrisht me taban kombëtar. Tekiu ishte një intelektual komplet: publicist, shkrimtar, dramaturg dhe eseist i rrallë. Ai ishte i veçantë dhe tepër i sinqertë. Kam përshtypjen se kishte aftësi, që njerëzve t'ua lexonte edhe mendimet. Nuk i donte servilët dhe i përbuzte ata që krekoseshin pa mbulesë. Në anën tjetër, i përkrahte të sinqertët dhe ata që nuk e kishin ‘shpinën e fortë'. Unë ruaj shumë respekt për të dhe natyrisht edhe falënderimin tim më sublim për përkrahjen që kisha nga ai”, thotë Foniqi.

Ai tregon një detaj për Dervishin, kur për herë të parë kishte bërë intervistë me të, e që ishte edhe intervista e parë e Tekiut.

Dua ta ndajë me ju për herë të parë edhe një detaj, i cili nuk ka të bëjë me gazetën, 'Bota e re'. Teki Dervishi një kohë ishte drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërkohë që unë isha gazetar i kulturës në RTK. Natyrisht se kisha dëshirë të zhvilloja një intervistë me të,në cilësinë e drejtorit, por Tekiu nuk e donte kamerën dhe vetëm pas insistimit tim, ai pranojë të flasë dhe, më duket se është intervista e tij e parë dhe e fundit para kamerës. Intervista zgjati diku 13 minuta dhe Tekiu ,meqë ishte modest, vazhdimisht më thoshte, mos e emeto, nëse nuk kam thënë gjë, ndërkohë që ai kishte folur për mrekulli dhe si duket edhe atij i kishte pëlqyer dhe, më bëhet se e theu akullin! Kemi patur rastin edhe të pinim kafe bashkë dhe bisedonim ,kryesisht për figurat e kulturës, si për Aleksandër Moisiun, Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë(njërën nga veprat e të cilit e ka dramatizuar dhe është luajtur nga Teatri shqip i Shkupit, me prezencën edhe të Kadaresë),pastaj për Nexhmije Pagarushën, Gjlosh Gjokajn etj. Që ta mbyllë: Tekiu dinte gjithçka. Lavdi jetës dhe veprës së tij, sot e mot”, tregoi Foniqi.

Prof. Bytyçi: Lidhja midis Teki Dervishit dhe gazetës “Bota sot” nuk ishte e rastësishme, së bashku mbrojtën kombin

Image
Enver Bytyçi

Ndërsa profesori e publicisti Enver Bytyçi, thotë se Teki Dervishi dhe gazeta “Bota sot” ishin një ngjizje në protestën e padrejtësive ndaj kombit shqiptar. Sipas Bytyçit, veprat dhe karriera e Teikut janë model për gjeneratat e reja.

Teki Dervishi dhe BOTA SOT një̈ ngjizje në protestën e padrejtësive ndaj kombit shqiptar.  “Arti është protestë e kujtimit”, thoshte shkrimtari, poeti, novelisti, dramaturgu dhe publicisti si ai, Teki Dervishi. Ndërsa në vitet 1970-1980 ai u përkushtua në krijimtarinë letrare, në vitet e 90’ta u shfaq një talent tjetër i Teki Dervishit, dramaturgjia. Ndoshta shpirti i protestës së tij vinte më fuqishëm në skenën e teatrit, ndaj dhe u përkushtua në këtë zhanër. Tashmë nga shkrimtar, ai do shfaqej si artist, sepse nuk mundet që dikush të shkruajë dramë dhe të mos jetë në subkoshiencë artist. Teki Dervishi në çdo formë që krijonte u shfaq gjithmonë si një protestues idealist, i pashembullt për gjeneratën e tij. Dhe protesta nuk e njeh kompromisin e pistë. Ndaj dhe vepra e tij artistike, poetike e në prozë, drama dhe publicistika e tij mbeten si model për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme. Nëse kombet e qytetëruara krijojnë modelet e tyre të kulturës dhe të civilizimit, atëherë duhet thënë se modeli që krijoi Teki Dervishi është i tillë, qytetërues, civilizues, i bazuar në traditë e në vlerat e shoqërive të përparuara, një model i pahuazuar nga fqinjët tanë, shkurt një model që u frymëzua nga muza kulturore e dishepujve të Perendimit. Por publiku i Kosovës dhe sidomos ne bashkëkohësit e tij të sotëm e njohim protestën dhe vlerën intelektuale dhe filozofike të Teki Dervishit përmes publicistikës së tij”, tha Bytyçi për “Bota sot”.

Duke theksuar se gazeta “Bota sot” ishte  dhe mbetet mediumi kryesor i publikimit të ideve, vizionit dhe mendimit të tij politik, kulturor e filozofik, Bytyçi thotë se si Teki Dervishi zor se mund të ketë në ditët e sotme.

Gazeta BOTA SOT ishte dhe mbetet mediumi kryesor i publikimit të ideve, vizionit dhe mendimit të tij politik, kulturor e filozofik. Nuk besoj se ka ndonjë publicist tjetër, si Teki Dervishi, që të ketë zënë rrënjë në ndërgjegjen e qytetarëve shqipfolës nga ato që ata kanë lexuar prej tij kolumne, analiza, pamflete, komente, opinione, editoriale etj. Nuk besoj se gjendet dikush tjetër në plejadat e derisotme të publicistëve shqiptarë që të ishte çdo ditë në dritaren e diturisë, informimit dhe rekomandimeve që jepte Teki Dervishi. Nga kjo pikëpamje ai konsiderohet si gjeni, i paarritshëm, i papërsëritshëm. Produktiv, kreativ, deduktiv, arsyetues, argumentues, rekomandues dhe gjithmonë moralizues i vlerave etike dhe civile kulturore si Teki Dervishi zor se mund të ketë në ditët e sotme. Si i tillë ai ishte i fuqishëm në mendimin politik e kulturor shqiptar. Forca e mendimit të tij ngjitej në memorie dhe e shoqëron njeriun e pasionuar pas dijes e civilizimit edhe në gjumë. E mbi gjithçka, fryma nacionaliste e Teki Dervishit ishte dhe mbetet risi e rrallë në mendimin shqiptar”, u shpreh ai.

Sipas Bytyçit, idetë nacionaliste të Teki Dervishit janë sindroma e tij e së vërtetës, të vërtetë që shumë kolegë të tij e shitën sa herë deshën, në raport me interesat e tyre personale.

Idetë nacionaliste të tij buruan nga shpirti i protestës kundër padrejtësive. Idetë nacionalistë të Teki Dervishit janë sindroma e tij e së vërtetës, të vërtetë që shumë kolegë të tij e shitën sa herë deshën, në raport me interesat e tyre personale. Ai nuk ishte i tillë, ai ishte thellësisht i lidhur në rrënjë me atdheun e vendlindjen e tij, Gjakovën. Ai nuk bëri kompromis me fjalën. Nuk e rrotulloi asnjëherë gjuhën dh nuk e devijoi majën e lapsit të tij kundër ndërgjegjës së tij kombëtare dhe kulturore. Prandaj dhe Teki dervishi mbetet e do të jetë një ikonë e krijimtarisë artistike dhe publicistikës shqiptare në përgjithësi e të asaj në Kosovë, në veçanti. Gazeta BOTA SOT pati fatin ta kishte Teki Dervishin drejtor, kryeredaktor, redaktor, e thënë shkurt shtyllën e saj për shumë vite. Lidhja midis shkrimtarit dhe gazetarit Teki Dervishi si dhe gazetës BOTA SOT nuk ishte e rastësishme. Mes tyre pati një ngjizje të pashpallur, por të përjetuar ne hullinë e mbrojtjes së interesave nacionale të shqiptarëve. Kësisoj pati një ngjizje të natyrshme edhe me lexuesin e saj, aq sa për sa kohë Teki Dervishi u angazhua në BOTA SOT, lexuesit e panumërt nuk mund t’i perceptonin këto dy elementë të ndarë nga njëri-tjetri. Gazeta dhe Tekiu plotësonin aq mrekullisht njëri-tjetrin! Ndonëse Teki Dervishi nuk jeton prej vitesh, ai gjendet në memorien tonë si bashkëkohës dhe do të jetë në memorien e brezave që vijnë me veprat e tij artistike, letrare, krijuese e publicistike”, tha në fund Bytyçi.

Zogaj: Teki Dervishi është personalitet i panteonit të krijimtarisë̈ dhe të atdhetarisë̈ së pastër

Image
Skender Zogaj

E publicisti Skender Zogaj tregon për “Bota sot” se Teki Dervishin e kishte njohur pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut, ndërsa thotë se ai ishte një njeri me vlera të veçanta kulturore e arsimore dhe si mësues, ishte një pishtar i fuqishëm i dritës, që ngjashëm me Migjenin, iu kundërvua mjerimit të kohës.

Teki Dervishin kam pasur fatin ta njoh nga afër menjëherë pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut, kur, edhe pse pushteti e kishte shpallur armik, një burr i madh i arsimit dhe atdhetarisë, Avdyl Kelmendi, që ishte drejtor shkolle, guxoi që Tekiun ta pranonte në punë, arsimtar, në shk. fill. “Mustafa Bakija” në katundin Carrallukë të Malishevës. Tekiu ishte një njeri me vlera të veçanta kulturore e arsimore dhe si mësues, ishte një pishtar i fuqishëm i dritës, që ngjashëm me Migjenin, iu kundërvua mjerimit të kohës! Mësuesi i Carrallukës edhe më fuqiplotë u tregua më vonē, pas vitit 1972, në letërsi e në publicistikë, si poet, dramaturg, romansier, kritik teatror, analist dhe mbi të gjitha si një zëdhënës kryengritës demokrat, që me bagazhin dituror iu kundërvu ligësive të shumta të shoqërisë shqiptare”, u shpreh Zogaj.

Edhe pse u mor me gazetari, Dervishi prapa saj krijoi vrullshëm e me shumë sukses letërsi, thotë Zogaj.

Tekiu rrezaton dritë të fuqishme shpirtërore, mirëpo, kjo nuk është e dëshiruar nga pushteti i kohës, sepse idetë e Teki Dervishit janë të rrezikshme për pushtetin në Kosovë, që për ta larguar nga rrethi i miqve dhe shokëve të vendlindjes, dhe për ta mbajtur nën mbikqyrje, ia lejon punësimin në Shkup të Maqedonisë, në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të kontrolluar rreptë nga pushteti maqedonas. Tekiu i vetëdijshëm për rrethanat, mirret "kujdesshëm" me gazetari, por, prapa saj krijon vrullshëm e me shumë sukses letërsi. Në saje të kësaj, pas vitit 1974, kur ndodh forcimi i autonomisë së Kosovës, Tekiut i lejohet kthimi në Kosovë, dhe kjo është koha e tij më mirë si shkrimtar, dramaturg e publicist. Në të gjitha këto, e përhershme është ndjenja e demaskimit të “...nekrofilisë gjenetike sllavo-staliniste (urrejtja politike) e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit...” siç shprehet ky atdhetar i madh në një shkrim të tij”, theksoi ai.

Zogaj tutje thotë se lexuesit e kujtojnë Tekiun si drejtues të zotin të gazetës “Bota sot” për disa vjet, e gjithashtu edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa thekson se ai ka lënë zbrazëti të madhe.

Lexuesit vazhdojnë udhëtimin me shkrimet e Tekiut, që e kujtojnë si drejtues të zotin të gazetës “Bota sot” për disa vjet, e gjithashtu edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Padyshim se ishte dhe mbetet njera nga penat më tē mprehta dhe më të sukseshme në letërsinë e re moderne, dramaturgjinë dhe gazetarinë shqipe! Në artin e Tekiut kemi akuzën e thellë ndaj injorancës dhe urrejtjen ndaj pseudointelektualëve që për interesa personale bëheshin lecka të pushtetit! Si i këtillë Tekiu ka lënë zbrazëti të madhe, sepse shkoi herët dhe kur më së shumti i duhej Kosovës! Mirëpo, si që të jetë Teki Dervishi tërë jetën ka qëndruar si gjeneral dhe i tillë ka shkuar në amshim! Teki Dervishi është personalitet i panteonit të krijimtarisë dhe të atdhetarisë së pastër”, tha Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat