Rritja e numrit me koronavirus: Kritikohet ministri Zemaj

Politika

Rritja e numrit me koronavirus: Kritikohet ministri Zemaj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 30 qershor 2020 Në ora: 07:58
Armend Zemaj

Gjendja me pandeminë COVID 19 është përkeqësuar edhe në Kosovë, si kudo në botë. Shifrat e të infektuarve vetëm sap o shtohen çdo ditë. Ndërkaq pothuajse të gjitha masat janë lehtësuar nga qeveria aktuale e kryesuar nga Avdullah Hoti.

Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj vazhdimisht bën thirrje për kujdes nga qytetarët, megjithatë këta të fundit nuk po shqetësohen si në fillim të përhapjes së këtij virusi.

Ndonëse numri është shumëfishuar i të infektuarve, me gjasë nuk do të ketë masa të reja, as karantinë e as masa tjera të rrepta.

Gazeta ka kontaktuar me deputetët e të gjitha partive politike për të marr një mendim të tyre rreth çështjes së shtrëngimit të masave, pas gjendjes aktuale.

Sopi Krasniqi: Hapja u bë pa e menduar mirë

Image
Mirlinda Sopi Krasniqi

Kështu, deputetja e AKR-së, në grupin parlamentar të Nismës, Mirlinda Sopi Krasniqi, thotë se faza e hapjes është bërë pa u monitoruar mirë, pasi jo të gjithë janë të vetëdijshëm për infeksionin e këtij virusi.

“Si punëtore shëndetësore mendoj se faza e hapjes është bërë pa u menduar mirë e që besa edhe pa u monitoru si duhet, kjo është pjesa kruciale e menaxhimit të Covid 19 në Kosovë ngase jo e gjithë popullata janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe infeksiozitetin e këtij virusi. Faza e parë e menaxhimit të Covid 19 ishte më e lehte sepse ishin pothuajse  të gjitha aktivitetet të mbyllura, lëvizjet e njerëzve ishin shumë të vogla, e këtë e ka dëshmu edhe numri i vogël i pacientëve të infektuar”, vlerëson ajo.

Deputetja Sopi Krasniqi, thotë se në këtë periudhë, kur jeta është kthyer normales duhet mobilizim më i madh institucional.

“Duke filluar nga inspektorati në monitorimin fillimisht të kafiterive dhe pjesës së gastronomisë se a po respektohen rekomandimet e institutit, sepse besoj jeni edhe vetë dëshmitarë se kafiteritë sidomos të kryeqytetit janë të stërmbushura në çdo kohë. Mandej duhet monitorim i rreptë i personave të diagnostifikuar me Covid pozitiv, organet e rendit duhet të kryjenë punën e tyre me më përgjegjësi”, vlerëson ajo.

Deputetja e AKR-së, thotë më tutje se vetëdija qytetare duhet të ngritet dhe të përfill çdo rekomandim të profesionistëve shëndetësor, e të kuptojnë një herë e mirë që ky virus nuk është lojë.

“Mendoj se situata me Covid 19 aktualisht është nën kontrollë duke u bazu në ato se ҫfarë po na raporton IKSHP- ja neve si Komision”, thekson ajo.

Uka kritikon ministrin Zemaj

Image
Fitim Uka

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka thotë se gjendja me testime për Covid 19 nuk është e mirë, nuk ka transparencë.

“Testet për Covid 19 po vonohen disa ditë. Nuk ka transparencë se kur merren mostrat e kur dalin rezultatet. Kush e di, se të cilës ditë janë rezultatet e testimit që u raportuan sonte? Në një anë premtojnë testime masive, pastaj testojnë vetëm ata me simptoma të rënda”, vlerëson ai.

Deputeti Uka thotë më tutje se  nuk ka dakordim as rreth lehtësimit ose jo të masave, madje as për dasma e as trajtim të duhur të mërgimtarëve që qon deri në rrezikim të shëndetit të qytetarëve.

“Një herë kontestojnë masat, pastaj bëjnë lehtësim masash. Njëri thotë do t’i kthejmë, tjetri thotë nuk i kthejmë kurrë.  Lejohen dasmat, nuk lejohen dasmat?!  Duhet të testohen mërgimtarët, nuk duhet të testohen dhe nuk do të testohen ata, apo ndoshta është e rekomandueshme, por jo e domosdoshme?! Çakordim, humbje e rrugës në oborr, paaftësi dhe rrezikim i shëndetit të qytetarëve”, vlerëson Uka.

Deputeti i Vetëvendosjes thotë më tutje se Ministria e Shëndetësisë e ka për obligim të mbrojë jetën e qytetarëve dhe mosveprimi i tyre është i dënueshëm.

“Sa për rikujtim - MSh ka për obligim ta mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve - ka për detyrë të reagoj dhe marr vendime kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Përndryshe, sa rrezikimi i jetës, është po aq i dënueshëm mosreagimi dhe mos mosveprimi per ruajtjen e shëndetit. Me manuale dhe me komisione të reja nuk luftohet virusi”, thotë Uka për “Bota sot”.

Ai thotë më tutje se për shkak të gjendjes së krijuar ku numri i rasteve është tre shifror, duhet të bëhen mbi 20 mijë testime.

“Sa i përket manipulimit me testim, ministri ilegal i shëndetësisë, harron se prej kur e ka marrë detyrën, numri i rasteve është dyfishuar dhe numri i të hospitalizuarve nga një shifror është bërë tre shifror. Prandaj, sipas logjikës, do të duhej të bëheshin jo 5 mijë por mbi 20 mijë teste. Por, logjika e ministrit përmblidhet në një fjalë që e ka shpikur kjo Qeveri ilegale dhe akoma askush nuk e kupton - Inteligjenca Pandemike”, thekson deputeti Fitim Uka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat