Pritja e Ramës në Kosovë, provokim i rëndë për shqiptarët

Politika

Pritja e Ramës në Kosovë, provokim i rëndë për shqiptarët

Idriz Zeqiraj  Nga Idriz Zeqiraj Më 30 qershor 2020 Në ora: 09:46
Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Për afro gjysmë shekulli Shqipëria e pushtuar nga banda komuniste-staliniste e Enver Hoxhës, e ringjalli fashizmin, me vrazhdësinë, egërsinë, brutalitetin, terrorin, kundër popullit shqiptar. Rrëzimi i Murit të Berlinit; Solidarnosti i Les Valeses polak; ekzekutimi i diktatorit rumun, Çaushevski, i paraprinë pluralizmit partiak në Evropën Lindore, rrjedhimisht, edhe në Ballkan. Rinia studentore e Tiranës, vrau frikën komuniste dhe shpalli, dhunshëm e përgjakshëm, pluralizmin politik në Shqipëri. 

Pas tri dekadash pluralizëm, mbeturina e komunizmit stalinist, Edvin Rama, me lakejtë e sojit të tij, ia arriti ta shkatërrojë sistemin demokratik plural partiak, duke e rikthyer monizmin diktatorial, një partiaksinë në shtet e pushtet! Është e kuptueshme se një popull i lindur dhe i rritur nën diktaturë, i lidhur zinxhirësh si qenër oborrësh, kërkon kohë të emancipohet me ndjenjën e demokracisë të mirëfilltë. Andaj, vazhdon robërinë paradoksale për kohët moderne.

Edhe populli i Kosovës e ka përjetuar komunizmin, si një fatalitet kombëtar, sepse, përveç monizmit, shtesë kishte dhunën e nacionalizmit serbo-sllavë, të shoqëruar me diferencime, burgime, vrasje individuale, madje, edhe masive, siç ishte lufta e fundit në Kosovë.

Kemi pritur që pushtetarët e Kosovës, qofshin ata zyrtarë apo partiakë, t`i ndërpresin të gjitha kontaktet me kreun e social-komunistëve të Tiranës zyrtare, Edi Ramën, partinë e tij dhe aleatët, bishtëra të liderit monist, në shenjë kundërshtie për zhbërjen e pluralizmit politik në shqipëri, deri në funksionimin e opozitës parlamentare. 

Është skajmërisht e turpshme, madje, kriminale për pushtetarët zyrtarë e partiakë të Kosovës, që sot presin rrënuesin e pluralizmit dhe të demokracisë shqiptare, Edvin Ramën. Është një provokim i rëndë që u bëhet të gjithë Shqiptarisë, në veçanti, të armatës prej dy milionë të persekutuarëve individual e familjarë në Shqipëri, të mijëra të burgosurëve politikë, që numëronte Shqipëria deri në vitin 1991.

Mohimi, me ironi e cinizëm neveritës, të pluralizmit politik në Shqipëri, është akti më i shëmtuar, më i turpshëm e kriminal, që ka ndodhur në epokën postkomuniste në Evropë. Ky është sinjal ogurëzi edhe për vendet me brishtësi demokracie, përfshi edhe Kosovën, të ngulfatur nga krimi i organizuar, korrupsioni galopant, drejtësia e bllokuar, haraçi, nepotizmi aktiv, zhvatja zyrtare e shtetit, në emër të luftës së pabërë dhe pisllëqe të tjera të bollshme. 

Ndërkohë që janë të njëzëshëm në mashtrimin, gënjeshtrën e madhe se, kinse, Kosova ka plotësuar kushtet, për liberalizimin e vizave se "Evropa kurvë e raciste po izolon shqiptarët" dhe broçkulla tjera të marrëzishme. Mjafton fakti demantues, i këtyre akuzave paushalle, kur dihet se Kosova ka arkivuar e stivosur 320 mijë lëndë penale, të cilat, qëllimshëm, i ka "harruar", për të pritur skadencën e afatit shqyrtues, parashkrimin e lëndëve penale, dështimin e drejtësisë.

Shqiptarët dëgjuan me mospërfillje, njëfarë fjalimi patetitk të Ramës në Kuvendin Shqiptar, me akuza bajate e hiç reale për Evropën. Por, këtë monstrum, mjerisht, kryeministër aksidental, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të përmend të ekzekutuarit pa gjyq në Kosovë dhe Shqipëri, përfshi këtu edhe zëdhënësin e parë të UÇK-së, gazetarin Ali Ukaj; Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin; shefin e Logjistikës të UÇK-së, Ilir Konushevcin; oficerin Sadri Ramçaj; furnizuesit për luftën në Koshare, vëllezërit Rexhep dhe Ibrahim Nikçi; vrasjen në pritë të kontraktorit të ushtrimores ushtarake të Kolshit dhe të Kalimashit, Rushit Elezi; hedhjen në humnerë të kuadrit ushtarak në Koshare, Qazim Jakupi, së bashku me kontraktorin e kampit ushtarak në Papaj të Tropojës, Muharrem Tafa; torturën, deri në mbytje, të luftëtarëve të FARK-ut, në kampin e Cahanit në zonën e garnizonit të Kukësit, me gjeneral Kudusi Lame dhe krime të tjera, të bëra nga zyrtarët potencialë shqiptarë, në koordinim me SHTAB-istët e UÇK-së. 

Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet t`i lejë mospajtimet aktuale, përfshi edhe Vjosë Osmanin dhe reformatorët, disi, në mëdyshje, të përgatitet për dy palë zgjedhje, njëkohësisht, fillimisht, ato partiake e pastaj parlamentare, të legjitimohen të gjithë, kuadrotë e partisë dhe ata pushtetarë të ardhshëm.

Qëndrimi i LDK-së, në raport me Edvin Ramën dhe social-komunistët e tij, duhet të jetë i prerë dhe dinjitoz: Asnjë marrëdhënie, asnjë kontakt me Ramën dhe sejmenët e tij, pa i dhënë fund monizmit tipik komunist në Shqipëri. Në të kundërtën ju bëheni palë me Ramën dhe sojsorollopin e tij ultra komunistë.

Çfarë përafrimi dhe pajtimi bënë Edvin Rama në Kosovë, kur me politikën e tij prepotente, mujshore, deri në rrugaçëri, banditeske e përçarëse, i ka sjellur shqiptarët e Shqipërisë londineze, në prag të luftës civile, qytetare. Është marrëzi të shpresohet se Rama ka qëllime të mira!? Familjet e viktimave të krimit të organizuar politik, prej dy dekadash vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Edhe shumica absolute e popullit, është i një mendjeje me këto familje, se krimi duhet hetuar, zbuluar dhe ndëshkuar. Shqiptarët e kanë shansin të bashkohen, për mbrojtjen e integritetit tokësor të vendit dhe hiç më shumë.

Deklaratat "rafalle" e patetike, gjithë anatemë, për Gjykatën Speciale, të një "biçim" komandanti, i dyshuar për shumçka, kanë dhënë efektin e kundërt. Sepse familjet e viktimave, nuk i ka bindur vendimi gjyqësor i matrapazit Komoni në Gjakovë. Andaj, sa më shumë të shpupurisish, aq më shumë kundërmon!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat