Dorëheqja morale e “Gjarprit”!

Politika

Dorëheqja morale e “Gjarprit”!

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 3 korrik 2020 Në ora: 19:25
Hashim Thaçi

Në paraqitjen e fundit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, ishte shikuar mundësia se ky i fundit do të jap dorëheqje nga i pari i vendit, ani pse një gjë e tillë nuk ndodhi.

Thaçi si gjithmonë ishte lëvduar për punën e tij, por kësaj herë kishte thënë se pa konfirmimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale ai nuk do të jap dorëheqje.

Dorëheqja e Hashim Thaçit do të ishte e rrugës të bëhej qysh në momentin kur Gjykata Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj tij dhe se kështu do të mund të drejtonte vendin si ushtruese detyre Vjosa Osmani, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës se Kosovës.

Pas ngritjes se aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin e vendit Hashim Thaçi, ka pasur diskutime nga më të ndryshmet nëse ai duhet të jep dorëheqje apo jo.

Gashi: Thaçi të përballet në Speciale si qytetar, jo si president

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për “Bota Sot” ka thënë se është mjaft e pakuptueshme që presidenti i vendit Hashim Thaçi është deklaruara me vonesë para qytetarëve të vendit, ani pse kishin kaluar ditë nga bërja publike e aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Sipas avokatit Gashi, presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk ka asnjë alternativë tjetër dhe se duhet të jap menjëherë dorëheqje dhe këtë duhet ta bëjë për arsye morale e etike dhe jo ligjore, pasi që sipas tij dorëheqja nuk është kategori ligjore e paraparë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës e as me Ligjin për Gjykatën Speciale.

Image
Tomë Gashi

“Presidenti nëse jep dorëheqje sado pak do ta zbus goditjen që është bërë me ngritjen e kësaj aktakuze për të cilën shpresojmë që presidenti të shpallet i pafajshëm, në të gjitha mediat botërore ka dalë tashmë lajmi se është akuzuar presidenti i Kosovës. Tani është radha që Hashim Thaçi të jep dorëheqje si president dhe të përballët me Gjykatën Speciale si qytetar ani pse shpresojmë që aktakuza ndaj Hashim Thaçit mos të konfirmohet. Nëse konfirmohet aktakuza do të mbahet edhe gjykimi në Hagë dhe për kur do të ndodh gjykimi i mundshëm ndaj tij atë askush tani nuk e din përveç gjykatës speciale” ka thënë avokati Tomë Gashi për “Bota Sot”.

Pas ngritjes se aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe nëse ai jep dorëheqje atëherë Vjosa Osmani mund të ushtroj detyrën e presidentes në aspektin kohor prej gjashtë muajsh.

Bytyçi: Thaçi nuk largohet lehtë

Opinionisti dhe profesori Enver Bytyçi ka thënë për “Bota Sot” se propagandë e madhe dhe angazhim i jashtëzakonshëm po shihet për ta mbajtur Hashim Thaçin në rol.

Image
Enver Bytyçi

“Edi Rama shkoi në Prishtinë për ta mbrojtur dhe mbajtur presidentin e Kosovës në agjendën e bisedimeve me Serbinë, si dhe për t’i rihapur rrugë Minishengenit proserb. Ndërsa po atë ditë që kryeministri i Shqipërisë mori në mbrojtje Thaçin, duke mallkuar të gjithë ata që janë kundër idesë së tyre për ndarjen e Kosovës dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj, foli edhe Aleksandër Vuçiç. Presidenti i Serbisë tha se vendi dhe qeveria e tij nuk janë kundër të bisedojnë me zotin Thaçi për të ardhmen e marrëdhënieve midis Prishtinë dhe Beogradit, pavarësisht akt-akuzës ndaj tij”, tha Bytyçi.

Tutje ai mendon se presidenti Thaçi duhet ta ndjek shembullin e Ramush Haradinajt, i cili dha dorëheqje gjatë kohës sa ishte kryeministër, për shkak të ftesës nga Specialja.

“Të dy këta, bashkëpunëtorë të ngushtë të Hashim Thaçit, kanë vendosur dhe po e inkurajojnë presidentin e Kosovës të mos japë dorëheqje pavarësisht se botës i është komunikuar një aktakuzë shumë e rëndë për të. Dhe ai ka vendosur të mos dorëhiqet. Nuk e tundon as shembulli i Ramush Haradinajt, i cili nuk pranoi as të intervistohet në Gjykatën Speciale në ushtrim të detyrës se kryeministrit. Jo, tha Haradinaj, nuk mund të paraqitem para prokurorit special me kostumin e kryeministrit. Ndërsa Hashim Thaçi nuk po intervistohet, për të është një shkallë shumë më e rëndë e përgjegjësisë. Akuzohet për krime lufte. Çdo president ose shtetar në botë, përveç diktatorëve të tipit Milosheviç e Sadam Husein, nëse do të kishte mbi supe një akuzë të tillë do të kishte dhënë dorëheqje. Hashimi tha se do të priste gjykatësin dhe nëse ai do ta pranonte akuzën e prokurorit, më pas do të japë dorëheqje. Po pse presidenti nën akuzë i Kosovës nuk jep dorëheqje nga posti i tij? Sepse Rama dhe Vuçiç i kanë dhënë një detyrë: Të garantojë trashëgiminë e tij në bisedimet Kosovë-Serbi. Në mos për vazhdimin e zbatimit të projektit për shkëmbim territoresh, së paku të fshihen dhe zhduken provat sekrete që shpërfaqin angazhimin e Thaçit dhe Ramës në këtë projekt” tha ai.

Sipas Bytyçit, alarmi i Ramës dhe Thaçit lidhet tashmë edhe me frikën se do të dalin në dritë dokumente dhe fakte, të cilat implikojnë drejtpërdrejt këta të dy, si dhe Baton Haxhiun, në formulën serbe e ruse të ndryshimit të kufijve.

“Ndaj Thaçi nuk largohet lehtë. Koha deri në dorëheqje i duhet të përzgjedhë dhe të imponojë si president ose presidente një person, i cili nuk hyn në arkivin e presidencës dhe garanton heshtjen për ato që zbulon aty. Një president ose presidente që do të kishte besimin e Aleksandër Vuçiç dhe do ta joshte atë të mos publikonte të dhëna komprometuese për Ramën e Thaçin. Nëse ndodh e kundërta, pra, nëse president ose presidente e vendit bëhet dikush që nuk i përket linjës së Thaçit, atëherë ky ose kjo nuk do të pajtohet kurrë me projektet serbe e ruse për Kosovën. Në këtë rast Rama dhe Thaçi kanë frikë se Vuçiç do të përdorë si mjet imponues fakte tronditëse të pranuara nga presidenti nën akuzë dhe kryeministri me antiplumb”, u shpreh ai.

Bytyçi për më tepër ka thënë se akuza për Thaçin nuk e dëmton Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Më bën përshtypje qëndrimi i Vetëvendosjes dhe partive tjera në Kosovë, të cilat sillen e mbështillen dhe nuk ia kërkojnë dorëheqjen Hashim Thaçit. Kanë frikë se mos ndoshta presidenti ka mbështetje të qytetarët dhe mund të humbasin elektorat. I siguroj ata se 80-90 përqind e qytetarëve të Kosovës nuk mendojnë se akuza për Thaçin e dëmton Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, aq më pak e dëmton Kosovën. Kjo do të thotë se këta qytetarë të Kosovës edhe nëse nuk do ta donin Thaçin në Hagë, nuk do ta donin atë as trashëgiminë e tij në qeverisje. Në këtë kuptim dorëheqja e Thaçit është shpëtim për Kosovën”, potencoi ai.

Sipas tij, partnerët evropianë dha ata amerikanë nuk do ta pranojnë Thaçin në tavolinë të bisedimeve, përderisa ai ka aktakuzë.

“Ndërkohë dua të theksoj se edhe nëse Rama e Vuçiç do ta duan Hashim Thaçin në presidencë dhe në krye të negociatave, këtë gjë nuk do ta pranojnë partnerët evropianë dha ata amerikanë.  Prandaj presidentit Thaçi dhe kryeministrit Rama i intereson trashëgimia e Thaçit në presidencë. Por nuk mendoj se edhe Avdullah Hoti ka legjitimitet për të udhëhequr dialogun. Fatkeqësisht ai pranoi të jetë produkt i Thaçit. Ndërkohë që është e dyshimtë mënyra se si erdhi në pushtet. Ndaj ai duhet të refuzojë udhëheqjen e dialogut. Nëse Hoti dhe LDK duan legjitimitet dhe janë të vendosur për të kryesuar bisedimet, atëherë ata duhet t’i drejtohen votës së qytetarëve. Legjitimitetin ta jep votuesi, nuk ta jep Hashim Thaçi, edhe pse president i vendit”, ka thënë për “Bota Sot” opinionisti dhe profesori Enver Bytyçi.

Kelmendi: Dorëheqja është morale, jo obligim ligjor

Njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, Muhamet Kelmendi ka treguar se si duhet të veprohet nëse presidenti i vendit Hashim Thaçi do të jep dorëheqje nga posti i presidentit apo edhe nëse nuk e benë një gjë të tillë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në fushën kushtetuese nuk është përcaktuar se më akuzë të ngritur kërkohet dorëheqja ose duhet të jepet dorëheqje. Akti i tillë në rastin konkret është kryesisht moral.  Në Kushtetute theksohet sëmundja e rëndë, dënimi mbi pese vite burg ose kapja në flagrancë për vepër penale dhe shkarkimi me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur paraqitet peticioni nga deputetet, asnjë rast të tillë nuk e kemi. Kemi thjeshte anën morale dhe pjekurinë presidenciale që duhet të tregoi niveli i tillë kur akuzohet” ka thënë Kelmendi për “Bota Sot”.

Sipas tij, nëse jepet dorëheqja në mënyrë kushtetuese kalojnë kompetencat e presidentit tek kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Kryetarja e ushtron funksionin e presidentit deri në zgjedhje. Kompetencat janë të njëjta.

Elezaj: Akti i dorëheqjes së tij është i pashmangshëm

Analisti politik Rexhep Elezaj ka thenë për “Bota Sot” se aktakuza e ngritur me 2 prill dhe e publikuar me 24 qershor 2020 nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pa dyshim se është një aktakuzë tepër e rëndë e cila rëndon sot mbi Hashim Thaçin.

Image
Rexhep Elezaj

“Sado që ka qenë shokues aktakuzae Gjykatës Speciale për të akuzuarin në fjalë, pra H. Thaçin, duhet cekur faktin se është pikërisht Hashimi ai i cili ka bërë presion të paparë, madje edhe i ka detyruar deputet e Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë ligjin për themelimin e kësaj gjykate, kështu që sot nuk mund të arsyetohet se nuk e ka ditur se e njëjta gjykatë pas themelimit të saj akuzën e parë do ta ngritë ndaj tij.  Mbase, çdo arsyetim tjetër apo fajësim i të tjerëve për veprimet e tij të gabuara politike, tani pas aktakuzës së ngritur ndaj tij,  nuk kanë më kurrfarë ndikimi për ndryshimin e situatës së komplikuar politike në të cilën është futur Kosova, veçse akti i vetëm, i mençur dhe i domosdoshëm, është dhënia e dorëheqjes pa hezitim nga posti i presidentit të Kosovës” ka thënë Elezaj.

Analisti politik  ka thënë se nëse Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje, rezulton qartë se do të merr vendim të gabuar për ta kundërshtuar dhe refuzuar vendimin e Gjykatës speciale për aktakuzën e ngritur ndaj tij,  gjë që do ishte rruga më e keqe për Kosovën.

“Hashimi, së paku do duhej ta kursente popullin shqiptar nga ndonjë ndëshkim i ri që mund t’i vjen më pas Kosovës nga vendet evropiane, dhe këto masa do ishin fundi i pavarësisë dhe lirisë së Kosovës të fituara me aq shumë gjak, sakrifica dhe mijëra dëshmorë të rënë për liri..!? Akti i dorëheqjes së tij është i pashmangshëm, sepse kthim prapa nuk ka, Evropa i ka marrë vendimet e saja dhe asgjë nuk mund ta ndryshon politikën e saj kundrejt Kosovës, sepse ishte  vetë H. Th., ai që e kishte shpërdoruar pa ndjenja kombëtare luftën çlirimtare, siç e shkeli edhe rastin që e pati Kosova para disa muajve që të bëhej pjesë aktive e proceseve të reja ekonomike dhe politike në Evropë dhe më gjerë. Republika e Kosovës është shumë më e madhe dhe më e vlefshme se cilido politikan shqiptar, tek e fundit çdo shqiptar e ka obligim ligjor që ta mbrojë atdheun e vet sa herë që ai rrezikohet nga jashtë, por edhe sado që një individ apo një grup ka sakrifikuar dhe luftuar në mbrojtje të atdheut të vetë, askush nuk guxon e as nuk mundet që meritat kolektive për mbrojtjen e atdheut t’i përvetësojë si merita personale, duke i keqpërdorur ato për qëllime politike dhe karrieriste, ndoshta edhe si kamuflim për disa veprime, siç ka vepruar shumë herë H. Thaçi në këto 20 vitet e fundit” ka thënë për “Bota Sot” Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat