Vendimi i Rakiç ‘shuplakë’ për Hotin, kjo është arsyeja pse ai nuk mund ta shkarkojë atë - Bota Sot
Vendimi i Rakiç ‘shuplakë’ për Hotin, kjo është arsyeja pse ai nuk mund ta shkarkojë atë

Politika

Vendimi i Rakiç ‘shuplakë’ për Hotin, kjo është arsyeja pse ai nuk mund ta shkarkojë atë

Nga: G.B Më: 8 korrik 2020 Në ora: 15:03
Qeveria e Kosovës

Reagime të shumta ka pasur pas vendimit të zëvendëskryeministrit Goran Rakiç, për të shpallur karantinë për 7 ditë katër komunat në Mitrovicën e Veriut.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga partitë politike që të mbështesin miratimin e një rezolute në Kuvend, për të shkarkuar Listën Serbe nga Qeveria.

Shkarkimin e Rakiç e ka kërkuar edhe KMDLNJ dhe PSD.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se kanë qenë të informuar dhe në koordinim me Rakiçin për këtë vendim.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Hoti nuk mund ta shkarkojë Rakiçin, por ai mund ta shkarkojë qeverinë, pasi ka fuqi dhe e përdor atë për të realizuar qëllimet e tij.

Image
Faton Mehmeti

“Faktikisht Rakiçin nuk mund dhe nuk guxon ta shkarkojë askush, mund të ndodhë që Rakiçi e shkarkon qeverinë. Rakiçi është njeriu më i fuqishëm sot në qeveri dhe duke pasur këtë fuqi natyrisht se e përdor për të realizuar qëllimet dhe interesat e Serbisë. Më shumë se kurrë sot Serbia kontrollon jo vetëm Veriun por tërë Kosovën, me qeverinë Hoti që varet kryekëput nga votat e Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas Mehmetit, vendimi i tij është shuplakë për Hotin dhe ai nuk e shkarkon pasi qeveria është e varur nga Lista Serbe.

“Megjithëse vendimi i Rakiç për të shpallur Veriun karantinë me vendim të Serbisë është skandaloz, dhe shuplakë për kryeministrin Hoti, i cili nga pafuqia duhet të hesht. Nëse s’do varet nga Lista Srpska, z.Hoti do e shkarkonte Rakiçin, por duke qenë i varur duhet të jesh. Priten edhe vendime tjera nga Rakiç, të cilat do zhvlerësojnë në tërësi qeverinë e Kosovë përballë Serbisë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat