Ftesa nga Gjykata Speciale për Hashim Thaçin, analisti tregon nëse presidenti do të jap dorëheqje

Politika

Ftesa nga Gjykata Speciale për Hashim Thaçin, analisti tregon nëse presidenti do të jap dorëheqje

Nga: N. H Më: 8 korrik 2020 Në ora: 23:09
Hashim Thaçi

Rreth dy javë pasi Prokuroria Speciale në Hagë bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit si dhe ndaj ish 9 pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte, Presidenti Thaçi sot ka bërë më dije se është ftuar për t’u intervistuar në kryeqytetin holandez. Atje do të udhëtojë të hënën e ardhshme.

I pari i vendit gjithashtu tha se Kosova edhe pse viktimë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë. E si rezultat i kësaj, shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë dhe jashtë saj.

presidenti ftoi qytetarët që t’i përballojnë këto sfida së bashku derisa shumë luftëtarë të UÇK-së do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.

Ai edhe njëherë kujtoi se besimi në institucione është e domosdoshme që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë çështje, “Bota sot”, ka kontaktuar politologun e njohur, i cili edhe ka dhënë disa versione rreth kësaj ftese.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se do ishte normale, sikurse i pari i vendit do ta deklaronte tashmë edhe dorëheqjen e tij nga pozita aktuale.

Image
Nexhat Haziri

“Do të ishte normale që presidenti Thaçi tashmë të deklaronte dorëheqjen e tij në momentin kur e bëri publike se ai ka një ftesë për të udhëtuar të hënën në Hagë”, është shprehur fillimisht Haziri, të mërkurën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Haziri ka theksuar se shkuarja e Thaçit në Hagë si president, e dëmton imazhin e vendit.

Andaj, krejt në fund, analisti nënvizon se pret që kreu i shtetit të reflektojë dhe kështu të jap dorëheqje.

“Duke u paraqitur si president i Kosovës përballë prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, nuk i ndihmon asgjë Thaçit, përkundër që dëmton imazhin e vendit dhe vet institucionin e presidentit, dhe unë vlerësoj së këto i ka parasysh edhe vet Thaçi dhe pres që mbi këtë bazë edhe të reflektojë dhe të jap dorëheqje nga detyra e presidentit të vendit”, ka përfunduat analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se në ditën kur Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, presidenti Hasihm Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialog, Richard Grenell.

Ky takim u anulua menjëherë pas publikimit të aktakuzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat