Alarm për Kosovën: Fuqia e Qeverisë është në duart e Thaçit dhe Rakiqit, jo në duart e kryeministrit Hoti

Politika

Alarm për Kosovën: Fuqia e Qeverisë është në duart e Thaçit dhe Rakiqit, jo në duart e kryeministrit Hoti

Nga: G.B Më: 9 korrik 2020 Në ora: 13:55
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaç dhe kryeministri Avdullah Hoti. Foto nga arkivi.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar dje nga partitë politike që të bëhen bashkë dhe të miratojnë një rezolutë për të larguar Listën Serbe nga Qeveria.

Kjo vjen pas vendimit të zëvendëskryeministrit Goran Rakiç, për të shpallur karantinë për 7 ditë katër komunat në Mitrovicën e Veriut.

Shkarkimin e tij e kërkoi edhe KMDLNJ, PSD dhe të shumtë nga shoqëria civile.

Lidhur me këtë, profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Lista Srpska është zgjatim i politikave të Serbisë, duke shtuar se Rakiç nuk mund të marrë vendime për pandemi, pasi ato i merr kryeministri, por në këtë rast ai ka vepruar me urdhër të Vuçiq.

“Është e ditur tashmë se Lista Srpska ka qenë dhe mbetet zgjatim i politikave të qeverisë së Beogradit në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye kam qenë dhe mbetem i mendimit se një koalicion qeverisës, të cilin e kushtëzon Lista Srpska e dëmton rëndë shtetësinë dhe ardhmërinë e Kosovës e të qytetarëve të saj. Rakiq nuk është titullar as i qeverisë, as i ministrisë përkatëse, që të marrë vendime për t’i mbrojtur qytetarët nga Covid-19. Por ai dha urdhër në zbatim të vendimit të qeverisë serbe që Mitrovica e Veriut të karantinoret. Nga ç’pozita e mori ai këtë vendim?! Si zv.kryeministër i Kosovës? Si kryetar i Listës Srpska? Apo si përfaqësues i Vuçiç në Kosovë? Praktikisht vendimet në emër të qeverisë i merr kryeministri. Ndaj detyra si zv. Kryeministër nuk e ndihmon në këtë aventurë. Si kryetar partie nuk mund të marrë asnjë vendim ekzekutiv për jetën e qytetarëve. Këtë e bëjnë vetëm diktaturat që qeverisin me një parti-shtet! Atëherë i takon që Rakiq të ketë vepruar me urdhër nga Vuçiç”, është shprehur ai.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas tij, për këtë do të duhej të shkarkoj dhe të alarmoheshin institucionet ndërkombëtare për provokimin serb në Kosovë, derisa shton se Hoti nuk ka fuqi ta shkarkojë atë.

“Në këto kushte qeveria e Kosovës, kryetarja e Parlamentit, presidenti, nëse do ishte vërtet president i Kosovës, do të duhej të alarmonin institucionet ndërkombëtare, sepse kjo është dëshmi e vazhdimit të provokimeve të Beogradit në Kosovë. Kryeministri do të duhej deri tani ta kishte shkarkuar zëvendësin e tij. Por nuk e ka bërë. Dhe besoj se nuk do ta bëjë, sepse zoti Hoti nuk ka fuqi ekzekutive në Kosovë. Kjo fuqi praktikisht qëndron në duart e Hashim Thaçit dhe Rakiq është në qeveri si koncesion që Vuçiç ia ka bërë presidentit të Kosovës për ta rrëzuar qeverinë e mëparshme Kurti”, ka vlerësuar profesori.

Bytyçi thotë se vendimi i Rakiç është skandal dhe shkelje e Kushtetutës, andaj kjo çështje do të duhej të debatohej në Kuvend dhe se Osmani duhet ta ruajë vendin edhe nga Thaçi e Rama.

“Të marrësh vendime për Kosovën në emër të një shteti tjetër që sillet armiqësisht, pra të Serbisë e qeverisë së saj, është shkelje e rëndë e kushtetutës dhe të drejtës shtetërore. Prandaj Rakiq duhet shkarkuar. Ky është skandal dhe meriton gjithashtu vëmendjen e një debati parlamentar, në të cilin përfaqësuesit e zgjedhur nga shqiptarët duhet të bashkohen. Në këtë kuptim zonja Osmani dëshmon ndjeshmërinë e saj jo vetëm ndaj fatit të vendit të saj, për edhe ndaj përgjegjësisë shtetërore për mbrojtjen e institucioneve. Ndoshta parlamentit do t’i duhet ta mbrojë veten dhe qeverinë e tij jo vetëm nga Rakiq e Vuçiç, por edhe nga Thaçi e Rama, të cilët ia kanë bërë Kosovës të njëjtat provokime si edhe Beogradi. Që kur ka ardhur Rama në pushtet është bashkuar me Thaçin e Vuçiçin që ta izolojë Kosovën. Prej asaj kohe asnjë njohje, vetëm ç’njohje, asnjë hap para për forcimin e shtetësisë, vetëm probleme që i kanë provokuar ata të tre së bashku! Prandaj Vjosa duhet t’i kujtojë parlamentit që ta mbrojnë Kosovën e shtetësinë e saj jo vetëm prej këtij Rakiqit”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Por, sipas tij shkarkimi nuk është zgjidhja, derisa shton se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ndërsa para kësaj presidenti ta lirojë zyrën e tij.

“Megjithatë nuk mendoj se zgjidhja vjen prej shkarkimit ose prej një diskutimi në parlamentin e Kosovës. Kosova është në një krizë, e cila meriton vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë deputetëve të Kosovës. Nëse këta duan vërtet të mos lejojnë që Rakiqët, Vuçiçët, Ramiqët, Thaçiçët të mos tallen me Kosovën dhe fatin e saj, duhet ta çojnë vendin në zgjedhje të reja. Por para kësaj urgjentisht duhet t’i thonë Hashimit ta lirojë zyrën e presidentit., si kusht për ta çliruar shtetin e Kosovës nga kapja e krimit serbo-shqiptar”, ka deklaruar Bytyçi.

Profesori shton se beson në sinqeritetin e Hotit por që ai është i kapur dhe duhet të nisë të çlirojë veten me shkarkimin e Rakiç dhe hapjes rrugë zgjedhjeve të reja.

“Zgjedhjet e reja do ta forcojnë subjektivitetin e institucioneve të vendit e do t’i japin atyre legjitimitet të plotë. Unë besoj te sinqeriteti i Abdullah Hotit. Nuk mund të vendos kurrë një shenjë barazimi për të me Thaçin, Ramën e çdo politikan tjetër që punon për interesat e Serbisë. Por ai është i kapur. Duhet të bëjë përpjekje ta çlirojë veten nga pengmarrja që ia kanë kurdis Thaçi e Mustafa. Le ta nisë me shkarkimin e Rakiqit dhe çuarjen e qeverisë në votëbesim, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Nëse kryeministri i Kosovës do ta bëjë këtë do të rritë kreditit e Lidhjes Demokratike te elektorati dhe do ta shpëtojë atë nga katastrofa elektorale, ku e çuan Isa dhe Hashimi”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat