Goran Rakiqi përballë Kosovës, vendos vet për veriun!

Politika

Goran Rakiqi përballë Kosovës, vendos vet për veriun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 korrik 2020 Në ora: 08:36
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Ditë më parë është futur në karantinë Mitrovica Veriore me urdhër të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Goran Rakiq, i cili vendosi që për karantinimin e katër komunave dhe vendosjen e ndalimit të lëvizjes nga 21:00 deri në 5 të mëngjesit.

Pas këtij vendimi pati reagime të mëdha për heshtjen e kryeministrit të vendit Avdullah Hoti dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

KMDLNJ reagoi duke u shprehur që kryeministri, Avdullah Hoti duhet ta shkarkojë zëvendëskryeministrin, Goran Rakiq pas rikthimit të disa masave anti COVID-19, në komunat në veri.

Gjithashtu KMDLNJ thotë se Serbia e riktheu gjendjen e jashtëzakonshme ku u përfshinë komunat që gjeografikisht janë pjesë e Kosovë kurse faktikisht, përmes Listës Serbe kontrollohen nga Serbia.

Basha: Hapat e një lideri të ndërgjegjshëm do ishin shkarkimi i Goran Rakiçit

Image
Dimal Basha

Deputeti nga radhët e LVV, Dimal Basha në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky veprim i kësaj qeveri është skandal dhe pa asnjë fuqi politike e as morale.

“Ky është skandal i vërtetë i kësaj Qeverie që nuk ka fuqi as politike, e as morale. Hapat e një lideri të ndërgjegjshëm do ishin shkarkimi i Goran Rakiçit, dhe gjithashtu pres deklarimin e z. Haradinaj që struket sikur nuk ndodh asgjë, kurse për Qeverinë Kurti deshën t’ia shtinë flakën Kosovës pse në kohë pandemie erdhën 1,000 teste”, u shpreh Basha.

Me tej, Basha thotë që për këtë arsye dhe shumë të tjera të shkohet në zgjedhje është ajo se çfarë i duhet Kosovës tani për ta kthyer legjitimitetin e Qeverisë.

“Kjo s’do fjalë tjera përveç se turp dhe marrëzi të një Qeverie që s’ka as legalitet as legjitimitet. Prandaj, është e domosdoshme që të shkohet në zgjedhje për t’ia kthyet dinjitetin dhe legjitimitetin Qeverisë”, përfundoi Basha.

Bytyçi: Tolerimi i Hotit para këtij veprimi të Rakiqit dëshmon se Kosova është e kushtëzuar nga Serbia

Profesori universitar Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që urdhri i Rakiqit për ta futur në karantinë Mitrovicën është një akti i urdhëruar nga Beogradi që ka dëshiruar të përçoj një mesazh se Kosova është e varur plotësisht nga Beogradi.

“Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lista Srpska, Rakiq, ka urdhëruar të fusë në karantinë Mitrovicën e Veriut. Duhet thënë që në fillim se ky akt është politik dhe jo vetëm politik. Është një akt diversiv i urdhëruar nga Beogradi. Që një zv.kryeministër të nxjerrë urdhra duhet që ai ta ketë për këtë autorizimin e kryeministrit. Zoti Hoti duhet të njoftojë publikun nëse ka dhënë një urdhër të tillë dhe nëse e ka ngarkuar zotin Rakiq me detyrë të veçantë për Mitrovicën e Veriut. Por mesa duket ky veprim synon të japë mesazhin se Veriun e Kosovës e qeveris Beogradi direkt ose përmes Listës Srpska në qeverinë e Prishtinës. Pra është një provokim. Zoti Rakiq mund t'ia propozonte këtë masë kryeministrit ose ministrit përkatës që është i autorizuar të shpallë karantinën për qytete të ndryshme. Kur u shpallën masat e kufizimeve për Prishtinën, Prizrenin etj, mund të bëhej kjo edhe për Mitrovicën e Veriut”, u shpreh Bytyçi.

Tutje, profesori thotë që nëse këtë propozim Rakiq do ja propozonte kryeministrit atëherë do të ishte më ndryshe. Mirëpo profesori cek kur qeveria Kurti vendosi për karantim dhe fjalët që Hoti përmendi që nuk është e drejtë e tash është duke vepruar njësoj qeveria Hoti.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Fakti që kryeministri Hoti toleron këtë akt të paprecedentë edhe në procedurë dëshmon se qeveria e sotme e Kosovës është e kushtëzuar plotësisht nga Serbia dhe serbët në Kosovë. Dhe kur mendon se kjo situatë erdhi si rezultat i konspiracioneve të një presidenti, të cilin tash e kanë bojkotuar edhe Europa, edhe Amerika, përveç Beogradit, atëherë situata bëhet më tragjike. Jo vetëm në rastin konkret, të cilin e përmendni ju, por edhe në rastin e vendimit të qeverisë për Prishtinën dhe tri qytete të tjera shihet se janë përdorur dy standarde. Kur kryeministri Kurti shpalli masat kufizuese për t'u mbrojtur nga Covid-19, presidenti e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo Gjykatë vendosi heqjen e këtyre masave, pasi "cënohën të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të garantuara me kushtetutë". D.m.th qeveria Kurti u shpall qeveri arrogante, sepse mori masa për ta mbrojtur jetën e njerëzve. Ishte një vendim krejtësisht politik i diktuar nga Hashim Thaçi. Por tani çfarë po bën Hashimi e Isa përmes Abdullah Hotit? Jo vetëm po kufizojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por po i japin shansin Listës Srpska të imponohet në mënyrë anti-kushtetuese ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe ta paraqesë veten si institucion shtetëror i vetëm që qeveris veriun e Kosovës”, tha Bytyçi.

Kryeministri Hoti të kërkoj falje për qëndrimet politike të mëparshme

Profesori më tej thotë që kryeministri Hoti duhet të kërkoj falje për qëndrimet politike e mëparshme pasi ka kërkuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, gjithashtu të kërkoj falje edhe në ato kushte trysnie nga ana e presidentit, partnerit në koalicion dhe opozitës.

“Situata e krijuar dhe shqetësimet në rritje sa i përket përhapjes së virusit duket se kanë prapavijë politike. Kur Kurti vendosi masat kufizuese, kryeministri i sotëm bënte thirrje për heqjen e atyre masave. Më pas të motivuar politikisht e nënvleftësuan situatën e krijuar dhe kemi trefishin e të infektuarve si dhe të atyre që po humbasin jetën. Unë besoj se duhen marrë masa masa të jashtëzakonshme në këto kushte por së paku pasi të kërkosh ndjesë për qëndrimet politike të mëparshme. Para së gjithash pasi të kërkosh ndjesë që kërkove shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 21 raste infektimi dhe tri viktima, kur sot janë shumë herë më shumë. Të kërkosh ndjesë se gjendjen e jashtëzakonshme e kërkoi kreu i LDK-së për arsye politike, siç rezulto,i për t'u larguar nga koalicioni me Vetëvendosjen. Të kërkosh ndjesë se edhe në ato kushte trysnie nga ana e presidentit, partnerit në koalicion dhe opozitës, qeveria e mëparshme dhe ministri i mëparshëm ishin shumë më të suksesshëm sesa qeveria e sotme”, tha profesori.

Në fund Bytyçi thotë që nuk ka zgjidhje tjetër përveçse zgjedhjeve të reja parlamentare dhe kështu do të largohet ndikimi i Listës Srpska.

“Çfarë mund të bëhet, pyesni ju? Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse zgjedhjeve të reja parlamentare. Vetëm kjo largon ndikimin e Listës Srpska dhe të Rakiq në vendimmarrjen e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Sa kohë kemi një qeveri të varur te Rakiq e te Thaçi, d.m.th në Beograd, këto do jenë situatat që do të kalojë Kosova. Prandaj themi vazhdimisht se qeveria e sotme nuk është legjitime. Legjitimiteti rikthen normalitetin. Pa legjitimitet nuk ka e nuk mund të ketë normalitet. Me këtë legjitimitet të munguar qeveria e Kosovës do të ketë vetëm dështime. Edhe nëse zoti Hoti do ta ishte vullnetin e plotë për të realizuar mrekullitë e qeverisjes në Kosovës, ai nuk mund të veprojë, sepse e komandon Rakiqi e Lista Srpska, e komandon Hashimi dhe Isa, shkurt e dikton Beogradi”, përfundoi profesori për “Bota sot”.

Duhanaj: Mos të biem në grackat e Listës Serbe

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që Lista Serbe ka një program të destabilizoj shtetin e Kosovës dhe se ky veprim ka qenë për qëllim që të përçaje shqiptarët.

“Lista serbe e ka në programin politik sabotimin dhe destabilizimin e Kosovës. Ata nuk kanë mision tjetër veç se krijimin e kushteve që një ditë shtetin e Kosovës ta shpallin të dështuar. Kjo është politika e Beogradit, ketë politikë e zbaton edhe lista serbe. Madje, shumë veprime i marrin edhe me qëllim të përçarjes së faktorit shqiptarë, e që për fat të keq vazhdimisht ja dalin. Është për keqardhje se si faktori politik shqiptarë bie preh e lehtë e manipulimeve serbe. Pse duhet të shërbehemi me disa teori të cilat nuk na çojnë asgjëkundi”, u shpreh Duhanaj.

Më tej, Duhanaj thotë që Lista Serbe duhet të jetë në përfshirje të çdo qeverie mirëpo që nëse do të kishte koordinim atëherë qeverisja do të ishte ndryshe por që ne si popull s’duhet të biem në grackat e tyre.

“Çdo qeveri në Kosovë, e ka për obligim përfshirjen e listës serbe në të. Në ketë kontekst nuk besoj që ka vend për polemika nga faktori shqiptarë. Mendoj që qëllimi i dhe interesi shqiptarëve duhet me qenë koordinimi, bashkërendimi i politikave në mënyrë që ndikimi i listës serbe të mbetet inferior. Ne duhet të shikojmë pak me larg se hunda jonë. Mos të biem në grackat e listës serbe, sepse ajo s’ka punë tjetër për të bërë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat