Tomë Gashi: Këto janë arsyet pse Avdullah Hoti nuk po e shkarkon Goran Rakiçin

Politika

Tomë Gashi: Këto janë arsyet pse Avdullah Hoti nuk po e shkarkon Goran Rakiçin

Nga: G.B Më: 10 korrik 2020 Në ora: 11:14
Tomë Gashi

Për shkak të vendimit që mori që të shpallë karantinë katër komunat në Mitrovicën e Veriut, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kërkoi që të miratohet një rezolutë për të shkarkuar Listën Serbe nga Qeveria, për të cilën nuk mori mbështetje.

Shkarkimin e tij e kërkoi edhe KMDLNJ, PSD e shoqëria civile.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Rakiç nuk e ka fshehur kurrë lidhjen direkte me Beogradin dhe respektimin e vendimeve të tyre.

“Zv.Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe Rakiq, as që e ka fshehur ndonjëherë dhe as tani nuk e bënë që është direkt i lidhur me Beogradin, saktësisht me qeverinë dhe presidentin e Serbisë dhe ai çdo vendim të tyre e respekton pa e diskutuar fare. Në gjithë rruzullin tokësor vetëm në Kosovë mund të gjendet Zv. Kryeministër i një qeverie legjitime dhe demokratike që nuk e pranon shtetin në të cilin është zgjedhur apo emëruar zv. kryeministër i qeverisë”, është shprehur.

Sipas tij, Qeveria Hoti është e varur nga Lista Serbe dhe për këtë është shumë tolerant ndaj tyre.

“Të gjithë e dinë se Qeveria Hoti jo vetëm që varet direkt nga Lista Serbe dhe nga çdo deputet i Listës Serbe sepse pa ata faktikisht nuk ka qeveri Hoti dhe për këtë arsye kryeministri Hoti është shumë tolerant ndaj tyre sa që edhe i toleron që shtetin e Kosovës ta quajnë si autonomi me emrin Kosovo i Metohia, ata kurrë nuk janë deklaruar se e pranojnë shtetin e Kosovës dhe përveç kësaj i lejohet që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, i lejohet haptazi dhe publikisht që të deklarojë se i respekton vetëm masat e qeverisë së Serbisë”, ka vlerësuar Gashi.

Avokati thotë se në çdo shtet normal ai do të duhej të shkarkohej nga shefi i tij, por kjo nuk ndodhë në Kosovë dhe për këtë tregon arsyet.

“Në çdo shtet normal ky zv.Kryeministër do të shkarkohej menjëherë nga shefi i tij, por kjo nuk ndodhë në Kosovë vetëm për këto arsye: lakmia për ta marrë pushtetin, lakmia për të qenë në pushtet dhe lakmia për qëndruar në pushtet pa marrë parasysh se ajo që i mbanë në pushtet e që është Lista Serbe është shkatërruese jo vetëm për Kosovën por edhe për pavarësinë e saj. Normalisht që çdo qeveri normale do të duhej që menjëherë ta shkarkonte zv.Kryeministri Rakiq por qeveria Hoti këtë nuk do ta bëjë kurrë sepse i bie se do ta shkarkonte vetveten”, ka shtuar Tomë  Gashi për “Bota sot”.

Ai e vlerëson të drejtë dhe të ligjshme iniciativën e Osmanit, derisa shton se Rakiç duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, e mendon Kosovën pjesë të saj.

“Për këtë arsye unë mendoj se iniciativa e Kryeparlamentares Vjosa Osmani është e drejtë, është e ligjshme dhe duhet të realizohet. Rakiqi duke respektuar vetëm Kushtetutën e shtetit të Serbisë ndoshta mendon seriozisht që Kosova është pjesë integrale e Serbisë ashtu siç është në Kushtetutën e Serbisë por realiteti është krejtësisht ndryshe që nga 12 qershor 1999, kur ne u çliruam përfundimisht nga okupimi i Serbisë dhe jemi shtet që nga 17 shkurt 2008 të cilin fatkeqësisht nuk e respekton ai që është Zv, Kryeministër i këtij shteti”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat