Çfarë do të sjell takimi Hoti-Vuçiq pa Thaçin?

Politika

Çfarë do të sjell takimi Hoti-Vuçiq pa Thaçin?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 korrik 2020 Në ora: 08:33
Hashim Thaçi, Avdullah Hoti

Tashmë kanë mbetur edhe pak ditë deri tek takimi në Bruksel i delegacionit të Kosovës dhe të atij të Serbisë, i cili është konfirmuar se do të mbahet me 12 korrik.

Sipas njoftimeve ky takim do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi special për dialog Miroslav Lajçak dhe nga shefi i diplomacisë së jashtme, Josep Borrell.

Ndërkaq, ky takim pritet të jetë i pari pas ndërprerjes së bisedimeve në vitin 2018 pas vendimit të atëhershëm të Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj për taksen ndaj produkteve serbe.

Kurse, me 27 qershor ishte organizuar takimi në Uashington nga i dërguari Special i Presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell, po për shkak të paraqitjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ishte anuluar.

SHBA ishte prezent në të gjitha takimet Kosovë-Serbi

Profesori, Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se me gjasë se Brukseli do t’i vazhdojë bisedimet në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ai ka thënë se SHBA-të kanë mundësi të jenë prezent dhe të mbrojnë interesat e tyre në rajonin ballkanik, ku kanë investuar aq shumë, ndoshta më shumë se evropianët.

Image
Enver Bytyçi

“Me datën 12 korrik do të organizohet samiti i Parisit, i cili i kushtohet zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb të Kosovës. Ishte planifikuar që një samit i tillë të mbahej dy javë më parë në Uashington, por akuza për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, bëri që ai samit i thirrur nga ambasadori amerikan Richard Grenell të dështojë. Pas gati dy vitesh dialogu po rikthehet në Europë, kësaj radhe në Paris, por me gjasë se Brukseli do t’i vazhdojë bisedimet në javët dhe muajt e ardhshëm. A do të thotë kjo se SHBA-të kanë dalë jashtë loje në këtë dialog? Mendoj se jo. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prezent në të gjitha takimet dhe bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit në forma të ndryshme gjatë këtyre 9 viteve, prej vitit 2011, kur Hashim Thaçi pranoi pa kushte fillimin e bisedimeve me Serbinë. Por vitin e fundit SHBA-të morën protagonizmin në këto bisedime, madje duke shpërfillur Bashkimin Europian dhe duke mos ia vënë veshin disa kundërshtive të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe sa i përket iniciativave absurde për ndryshim të kufijve në rajon. Ky konflikt midis dy fuqive në dy kontinente çoi në dështimin e samitit të Uashingtonit. Megjithatë kjo nuk do të thotë që SHBA-të do të duhet të qëndrojnë jashtë tij. Ato kanë mundësi të jenë prezent dhe të mbrojnë interesat e tyre në rajonin ballkanik, ku kanë investuar aq shumë, ndoshta më shumë se evropianët”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori ka shpjeguar se çfarë e dërguan në zhvendosjen e takimeve nga SHBA-ja në Evropë.

“Çfarë ndryshoi që bisedimet u ç`vendosën në Europë? Së pari ndryshuan protagonistët në bisedime. Tashmë Hashim Thaçi nuk mund të jetë palë në dialog, për shkak të akuzës së ngritur nga Gjykata Speciale. Për pasojë projeksioni i rakorduar nga presidenti serb dhe ai kosovar për zgjidhje del jashtë diskutimit. Europianët duke mos u pajtuar me planin e zgjidhjes përmes korrigjimit të kufijve, duan të testojnë zgjidhje të tjera. Ndaj dialogu u rikthye në Europë. Kësisoj BE-ja u rikthye në krye të dialogut. Kur filluan bisedimet në vitin 2011 ishte OKB që dha autorizimin dhe përcaktoi që BE-ja të ishte udhëheqëse e këtij dialogu. Kjo për faktin se të dy vendet gjenden në kontinentin evropian, përcaktojnë në një farë mënyre fatin e stabilitetit në këtë pjesë të Europës dhe se të dy vendet kanë të njëjtin synim, anëtarësimin në BE. Prandaj BE ka mundësi t’i kushtëzojë ato dhe të përdorë instrumente për tu pranuar një zgjidhje, por pa krijuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës dhe pa ndryshuar kufijtë”, ka thënë profesori për “Bota sot”.

Bytyçi ka theksuar se BE-ja dhe SHBA-ja bashkë kanë mundësi ta realizojnë misionin e paqes në Ballkan.

Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, rajoni stabilizohet

“As BE dhe as SHBA të vetme nuk mund ta zgjidhin konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa të dyja bashkë kanë mundësi ta realizojnë misionin e paqes në Ballkan. Thuhet se kjo nuk mund të bëhet pa dakordësinë e Rusisë dhe të Kinës. Lajçak e përmendi këtë klauzolë para dy ditësh. Unë mendoj se BE mundet të imponohet nëse bind ose detyron pesë vendet e saj anëtare, Greqinë, Spanjës, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që ta njohin shtetësinë e Kosovës. Besoj se ka mekanizma detyrues, pa patur nevojë të lëshohen kërcënime dhe ultimatume ndaj këtyre vendeve. Nëse ndodh kjo, Kosova, ashtu si Serbia bëhen anëtare të BE-së”, ka thënë ai potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka përmendur arsyetvendimtare pse duhet bashkëpunimi  i Uashingtonit dhe shteteve të BE-së nëkonfliktin Kosovë-Serbi.

“Po ashtu SHBA-të i kanë të gjitha instrumentet që t’i detyrojnë të gjitha vendet anëtare të NATO-s që ta pranojnë shtetësinë e Kosovës. Në këtë rast hapet rruga që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike. Në të dy rastet nuk ka nevojë për votën e Moskës. Dhe nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, automatikisht ajo gjendet e mbrojtur dhe rajoni stabilizohet. E fundit vjen anëtarësimi në OKB ku duhet vota ruse. Për këto arsye mendoj se bashkëpunimi midis Uashingtonit nga njëra anë dhe Berlinit, Londrës, Parisit, Brukselit, Romës etj, nga ana tjetër është vendimtar për t’i dhënë fund këtij konflikti. Në këtë rast bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit do të ishin thjesht një formalitet. Sepse Serbia nuk do të mund të refuzonte shtetësinë e Kosovës anëtare e BE-së dhe NATO-s. Ndoshta, nga xhelozia për këtë do të pranonte edhe anëtarësimin e saj në Aleancën Atlantike”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

BE-ja i njeh mirë çështjet që janë diskutuar

Ndërkaq, politologu Ejup Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka përmendur arsyen pse dështoi takimi i paraparë të mbahet në Uashington.

Image
Ejup Berisha

“Lidhur me mos fillimin e  dialogut të filluar në Bruksel dhe  të ndërprerë para dy vitesh në relacionin Kosovë Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të muajit të kaluar iniciuan që Presidentët dhe Kryeministrat e të dy shteteve fqinje të tentojnë që të takohen më 27 qershor të muajit të kaluar në Uashington të SHBA-ve dhe përmes ndërmjetësimit të të dërguarit të posaçëm të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump për dialogun dypalësh Riçard Grenel të bëhen përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy palëve. Kjo mundësi dështoi për shkak të ngjarjeve të njohura me paralajmërimet për mundësinë e ngritjes së aktakuzave ndaj dhjetëra përfaqësuesve të ish UÇK-së së Kosovës për të cilat Prokuroria speciale e Gjykatës së Hagës është shprehur se ekzistojnë dyshime për krime lufte të kryera ndaj disa civilëve sipas tyre të pafajshëm nga ana e dhjetë përfaqësuesve të ish UÇK-së në mesin e të cilëve përmenden Presidenti i tanishëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Gjasat për realizimin e takimit të dështuar në Uashington nuk janë shuar plotësisht thonë nga SHBA. Kështu është shprehur Riçard Grenel i dërguar i posaçëm i Presidentit të SHBA-ve.  Donald Trump  për dialogun Kosovë-Serbi, ky i fundit ka theksuar se përpjekjet për t’i çuar palët drejt marrëveshjes nuk do të ndërpriten”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Berisha është shprehur se  BE po tenton që me këtë nismë për rinisje dialogu të dëshmohet si faktor që do ti çoj palët në tryezë me qëllim që ta rikthej ndikimin dhe autoritetin në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Pas dështimit të takimit në Uashington me nismë për rinisjen e dialogut shqiptaro-serb është paraqitur edhe Bashkimi Evropian. Edhe ata i kanë ftuar autoritetet më të larta të të dyja shteteve apo më konkretisht dy Kryeministrat Hoti dhe Bërnabiç që të shkojnë në Bruksel në përpjekje për rinisjen e dialogut të ndërprerë Kosovë Serbi në vitin 2018 si pasojë e vendosjes së masës së taksës 100 përqind për mallrat dhe lëndët e para serbe që do të futeshin në RKS. Në shikim të pare asgjë e re dhe  e kontestueshme nisma e BE-së për ti riulur në tavolinë të bisedimeve autoritetet kosovare dhe serbe nuk është nismë e re sepse të dyja palët disa vite më pare kanë zhvilluar dialog të nivelit më të lartë mes vete në Bruksel nën patronatin e përfaqësuesve të Komisionit Evropian. BE po tenton që me këtë nismë për rinisje dialogu të dëshmohet si faktor që do ti çoj palët në tryezë me qëllim që ta rikthej ndikimin dhe autoritetin në marrëdhëniet ndërkombëtare apo qëllimi i riangazhimit të saj në këtë çështje është mos dale faktor i dështuar lidhur me dialogun e ndërprerë për shkak të rrethanave të krijuara në vitin 2018. Kur jemi te dialogu i zhvilluar para disa vitesh në Bruksel detajet janë të prezantuara çështjet të parashtruara por dhe dialogu është në një fazë më të avancuar se ai që pritej të iniciohej nga autoritetet e  SHBA-ve. Do të thotë se BE-ja i njeh mirë çështjet që janë diskutuar atje apo temat faktet dhe të dhënat e prezantuara rreth çështjeve që ishin temë apo objekt diskutimi që i kanë prezantuar dy shtetet. Ato për të janë të qarta dhe të njohura”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Objektivi i BE-së – dialogu të përmbyllet me marrëveshje

Më tej, Berisha shton se viteve të fundit vërehet një rivalitet i hapur mes SHBA-ve dhe BE-së për shumë çështje ndërkombëtare, një gjë e tillë po vërehet edhe këtu në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Mendoj se me nismën për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi autoritetet e BE-së do të mundohen që ta arrijnë një objektiv shumë të rëndësishëm e ai është që ky dialog të përfundoj me një marrëveshje përfundimtare të pranueshme për të dyja palët për atë kosovare dhe për palën serbe. Por konsideroj se ajo që është e dukshme dhe e qartë lidhur me çështjet e marrëdhënieve politike ndërkombëtar është fakti se viteve të fundit vërehet një rivalitet i hapur mes SHBA-ve dhe BE-së për shumë çështje ndërkombëtare por një gjë e tillë po vërehet edhe këtu në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Te kjo çështje që e tangon më së shumti palën kosovare rivaliteti konsiston në çështjen se cili prej aktorëve relevant  ndërkombëtar BE apo SHBA do të imponoj marrëveshje më të mire, më të qëndrueshme më efikase dhe më të pranueshme. Apo të gjitha përpjekjet e BE-së nga njëra anë dhe të SHBA-ve nga ana tjetër meqë unë tanimë i shoh si subjekte të ndara të politikës dhe marrëdhënieve të jashtme janë të lidhura me arritjen e marrëveshjes së mundshme definitive mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Përderisa para dy dekadave kur bëhej fjalë për Kosovën për çështjet e rëndësishme ndërkombëtare ekzistonte një pajtueshmëri apo dhe konsensus më i madh dhe më i plotë mes dy aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar tani duke i shikuar rrethanat dhe aktivitetet në arenën ndërkombëtare lidhur me çështjet që kanë mbetur pezull për Kosovën kemi rivalitet të skajshëm mes BE-së dhe SHBA-ve gjë që nuk është mirë. Kjo mund të ketë impakt apo ndikim jo të favorshëm në mundësinë e rinisjes së dialogut dhe për arritjen e ndonjë marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Rivaliteti mund të nxis palët rivale që ti bllokojnë nismat dhe projektet që do të mundësonin arritjen e marrëveshjeve dy paleshe për bashkëpunim në sfera të ndryshme por edhe në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me të cilën përfundimisht statusi I Kosovës do të zgjidhej edhe pse mendoj se kjo çështje duhet të mos jetë temë negocimi mes Kosovës dhe Serbisë sepse liria dhe pavarësia e Kosovës janë fituar me luftë e jo në marrëveshje mes palëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Berisha ka shtuar se pavarësisht se kush e inicion dhe e ndërmjetëson dialogun është mirë të rifillojë sa më shpejtë  duke e pasur parasysh faktin se i njëjti është i domosdoshëm për të dyja shtetet.

“Konsideroj se pavarësisht se kush e inicion dhe e ndërmjetëson dialogun është mirë që ai të rivendoset dhe të rifillojë sa më shpejtë  duke e pasur parasysh faktin se i njëjti është shumë i rëndësishëm dhe tepër i domosdoshëm për të dyja shtetet dhe popujt. Do të ishte mirë që dialogu të mundësojë arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik në të ardhmen e afërt meqë të dyja shtetet kanë nevojë për një bashkëpunim ekonomik që për objektiv kryesor do ta kishte zhvillimin dhe përparimin. Republika e Kosovës si shtet i ri në rajon p.sh ka nevojë për rritjen e mundësive, perspektiva dhe  kapaciteteve për zhvillim ekonomik. Ndërsa një përmirësim i raporteve politike mes Kosovës dhe Serbisë do ti rriste gjasat që Serbia të mos e kundërshtojë apo dhe pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare si anëtarësimin e saj në OKB dhe në organizata dhe institucione të tjera të rëndësishme. Bashkimi Evropian nga ana e saj duhet ti mundësoj Republikës së Kosovës perspektivë të qartë Evropiane apo dhe asaj t`ia hap dyert për anëtarësimin në gjirin e saj si anëtare fuqiplotë në gjirin e saj”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat