Mehazi: BDI-ja nuk ka qenë më e rrezikuar asnjëherë, se gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare - Bota Sot
Mehazi: BDI-ja nuk ka qenë më e rrezikuar asnjëherë, se gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare

Politika

Mehazi: BDI-ja nuk ka qenë më e rrezikuar asnjëherë, se gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare

Nga: D.B. Më: 14 korrik 2020 Në ora: 17:08
BDI

Si asnjëherë më parë BDI-ja nuk ka qenë më e rrezikuar sikurse gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen nesër, më 15 korrik, 2020.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se në zgjedhjet parlamentare të kaluara jo vetëm BDI-ja, por edhe popullata ende pa votuar e dinin se do fitonte BDI-ja.

Sipas tij, këtë herë situata ka ndryshuar në disfavor jo vetëm për simpatizantët, aktivistët, por edhe kryesia më e ngushtë e BDI-së nuk është e sigurtë në fitore.

Image
Sulejman Mehazi

“Gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare sfida më e ashpër për BDI-në e Ali Ahmetit do jetë koalicioni ASH-Alternative e cila gjatë fushatës zgjedhore çdo dite merrte përkrahjen e qytetarëve. Sipas fushatës zgjedhore kemi vërejtur, se, jo vetëm partitë shqiptare ASH dhe Alternativa, po edhe partitë maqedonase LSDM e VMRO, kanë vendosur që BDI-në ta zbresin në opozitë. Besojmë se këtë e ka kuptuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ai jo rastësisht për të provokuar Zaevin e Mickoskin rriti kërkesat e tij për kryeministër shqiptar, pse këtë kërkesë të kryeministrit shqiptar nuk e bëri gjatë zgjedhjeve të parakohshme të prillit, po tani? Mendojmë se motoja apo kryefjala "për Kryeministër shqiptar" pas zgjedhjeve të 15 korrikut për BDI-në do jetë alibi arsyetues për mos pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë Veriore”, ka thënë profesor Mehazi.

Sipas tij, rrethanat politike tregojnë se VMRO-ja do t'i revanshohet BDI-së për shkak zgjedhjeve të 2016, ku VMRO doli fituese, e BDI-ja ia zhvlerësoi fitoren VMRO-se, ia ktheu shpinën, e bëri koalicion qeveritarë me LSDM-në.

“Në anën tjetër, koalicioni parazgjedhor i LSDM-së me Besën tregon se Zaevit më nuk i intereson BDI-ja, bile gjatë kampanjës zgjedhore kryetari i LSDM-së Zaev, ia çoi porosinë Ali Ahmetit, se pas zgjedhjeve, BDI-në do ta çojë në opozitë, (ku në një tubim Zaevi deklaroi, se më 2016 e çuam në opozitë VMRO-në, e tani do ta çojmë në opozitë BDI-në.) Pra, motoja kryesore e BDI-së. "Për kryeministër shqiptar" e ka kuptimin e një revanshizmi politik ndaj partive maqedonase për shkak të mos pjesëmarrjes së BDI-së në qeverinë e ardhshme”, është shprehur njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat