BE-ja këmbëngul vetëm marrëveshje finale, Serbia nuk do ta njoh Kosovën? Por ky është qëllimi madhor i Kosovës!

Politika

BE-ja këmbëngul vetëm marrëveshje finale, Serbia nuk do ta njoh Kosovën? Por ky është qëllimi madhor i Kosovës!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 korrik 2020 Në ora: 21:05
Avdullah Hoti

Kur SHBA-ja thirri në një vazhdim takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington, reagimi i zyrtarëve të BE-së ishte i menjëherëshëm, që edhe ata duhet të jenë pjesë e këtij takimi dhe temë e bisedimeve atje. Mirëpo, një aktakuzë e ngritur ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaҫit, bëri që ky takim të anulohej dhe të rinis në Evropë.

Të dielën kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuҫiҫ rinisën takimin në mënyrë virtual. Megjithatë, një takim tjetër direkt pritet të mbahet këtë të enjte në Bruksel.

Para takimit në Bruksel, kryeministri Avdullah Hoti ka përmendur objektivat e Kosovës karshi këtij dialogu. Kryeministri Hoti ka thënë se do të këmbëngulë që marrëveshje finale të ndërtohet në këto objektiva duke kërkuar fillimisht njohjen e shtetit të Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit evropian vazhdimisht po bëjnë thirrje që sa më parë të ketë një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve, që do t’i kontribuojë Ballkanit dhe gjithë Evropës në normalizimin e marrëdhënieve.

Pavarësisht, thirrjes për normalizim marrëdhëniesh, a po kërkojnë zyrtarët e BE-së edhe një marrëveshje që do të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës, apo kërkojnë vetëm marrëveshje finale?

“Zyrtarëve të BE-së ju intereson të arrihet marrëveshja finale”

Se zyrtarët e BE-së janë të interesuar për një marrëveshje finale, e konfirmon edhe Profesori në Universitetin presitigjioz të Parisit, Valon Murtezaj. Ai thotë se në këtë marrëveshje finale duhet të jetë njohja e Kosovës dhe këtë e ka bërë të qartë edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Image
Valon Murtezaj

“Po, zyrtarëve të BE-së ju intereson të arrihet marrëveshja finale, dhe në këtë marrëveshje finale duhet të jetë njohja e Kosovës, dhe do të jetë njohja e Kosovës. Kryeministri Hoti e ka bërë të qartë që për Kosovën njohja është në qendër të dialogut dhe ky është qëllimi madhor i Kosovës në këtë dialog”, thotë profesor Murtezaj për “Bota sot”.

“Prapa Serbisë qëndron Rusia”

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi në një koment të tij dhënë për “Bota sot” lidhur me dialogun thotë se jo pak raste Aleksandër Vuçiç është treguar i sinqertë si me shqiptarët dhe me ndërkombëtarët. Bytyҫi thotë se Vuҫiҫ gjatë vizitës në veriun e Mitrovicës kishte deklaruar se atë që krimineli Millosheviҫ nuk kishte arritur ta bënte me luftë, ai do ta bënte në paqe.

Image
Enver Bytyҫi

“P.sh, para dy vitesh ai gjatë një vizite ne veriun e Mitrovicës pati lavdëruar Milosheviçin dhe pati deklaruar se "atë që nuk mundi ta bëjë Milosheviçi me luftë, Vuçiç do ta bënte me paqe"! Se çfarë kishte projektuar Milosheviçi gjatë viteve 1990 dihet: - Lufta, konflikti, vrasjet, masakrat kundër popujve jo serbë për të krijuar Serbinë e Madhe - Të njëjtën gjë ka të projektuar në mendjen dhe skicat e tij edhe bashkëpunëtori i Milosheviçit, sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, vlerëson profesor Bytyҫi.

Ai thotë tutje se përr këtë arsye dialogu i udhëhequr nga Brukseli do të dështojë. Beogradi, sa kohë do të jetë Vuçiç në krye të shtetit serb, nuk do të pranojë dialog dhe pajtim me shqiptarët e për pasojë as integrim në Bashkimin Europian.

“Është shumë vështirë të përceptosh se politika serbe do të mund të shkëputet ndonjë ditë nga kthetrat e politikës ruse. Rusia krijon probleme për Perendimin atje ku duket krejt e pamundur, jo më në Beograd, ku i ka të gjithë instrumentet e nevojshëm për ta nënshtruar atë. Para së gjithash Rusia ka si mbështetje opinionin serb. Ndaj dhe protestat anti-Kosovë dhe jo anti-Vuçiç në Beograd janë mjet presioni kundër BE-së, me qëllim që të destabilizohet sërishmi rajoni dhe më pas të përcaktohen zonat e influencës ruse e perendimore në Ballkan! Por nuk e di nëse qeveria e zotit Hoti i ka ose jo parasysh këto rrethana të reja, apo vërtet beson qorrazi se dialogu do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë! Zoti Hoti vijon deklaratat e tij të tipit të deklaratave të Hashim Thaçit, duke premtuar se shpejt Kosova do të njihet nga Serbia! Kjo lloj politike e ka dëmtuar Kosovën. Prandaj dhe duhet përgatitur për skenarë të tjerë”, vlerëson ai.

Profesor Bytyҫi thotë më tutje se e çmon kërkesën e zotit Hoti që BE të bëjë presion që pesë vendet anëtare të saj ta njohin shtetin e Kosovës.

“Këtu duhet këmbngulur fort. Sepse njohja e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, njëherazi anëtare të NATO-s, bën që shteti më i ri në Europë të integrohet në strukturat euro-atlantike dhe kësisoj do të vinte natyrshëm proçedura e pranimit në OKB. Përmes një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova nuk do të mund të hapë perspektivën e saj euro-atlantike. Sepse prapa Serbisë qëndron Rusia”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat