Misioni i EULEX-it vlerësohet i dështuar në Kosovë

Politika

Misioni i EULEX-it vlerësohet i dështuar në Kosovë

Elona Bajgora Nga Elona Bajgora Më 17 korrik 2020 Në ora: 12:59
EULEX

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, janë pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Lars-Gunnar Wigemark, Shefi i EULEX në Kosovë, e ka mirëpritur vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Zyberaj: EULEX deri më tani ka dështuar veçanërisht te trajtimi i krimeve të luftës

Rreth kësaj, këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë për “Bota sot” se EULEX ka dështuar në Kosovë veçanërisht tek trajtimi i krimeve të luftës.

Gjithashtu, ka vazhduar me kritikat ndaj EULEX, duke thënë se ka dështuar edhe në ndjeken dhe hetimin e kriminelëve serb.

Image
Jetlir Zyberaj

“Çdo mision që ka për qëllim përmirësimin e funksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë natyrisht që e vlerësojmë pozitivisht. Megjithatë EULEX deri më tani ka dështuar veçanërisht te trajtimi i krimeve të luftës, kompetencë të cilën e ka pasur ekskluzivisht deri vitin e kaluar. EULEX ka dështuar në ndjekjen dhe hetimin e krimineleve serb që kanë kryer krimet makabre ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë. EULEXi ka vepruar mbi baza selektive dhe kjo është për keqardhje”, ka thënë Zyberaj.

Kelmendi: Në aspektin juridik e kufizon ky mandat sovranitetin e shtetit të Kosovës

Juristi, Muhamet Kelmendi, ka thënë se vazhdimi i mandatit të EULEX në Kosovë është çështje e rezervuar për organet kompetente të Kosovës.

Tutje, është shprehur se në aspektin juridik, ky mandat e kufizon sovranitetin e Kosovës dhe jep kompetenca atyre organeve për të vepruar mbi normat kushtetuese.

Image
Muhamet Kelmendi

“Vazhdimi i mandatit të EULEX edhe për një vit për të vepruar në Kosovë është çështje e rezervuar për organet kompetente të Kosovës. Ato vazhdojnë të vendosin vit pas viti mbi këtë çështje në Kosovë. Në aspektin juridik e kufizon ky mandat sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe i’u jepe atyre organeve kompetenca për te vepruar mbi normat kushtetuese që i ka vendi ynë”, ka thënë Kelmendi për “Bota Sot”.

Kelmendi ka vazhduar duke thënë se EULEX nuk i nënshtrohet kontrollit të organeve të pushtetit në vend, por në Bruksel, që kjo sipas juristit e bënë këtë vendim jo normal.

 “EULEX nuk i nënshtrohet kontrollit të organeve të pushtetit në vend po në Bruksel dhe kjo e bënë atë vendim jo normal. Kjo për faktin se i lejohet këtyre organeve për të vepruar jashtë ligjit të Kosovës. Me këtë janë kaluar të drejtat, por në Kushtetutën e vendit, ekziston kjo mundësi interpretative juridike kur të vazhdohet mandati i këtij organi”, është prononcuar Muhamet Kelmendi.

Në fund ka thënë se ka raste ku mbi 15 vjet shqiptarët kanë qëndruar në burgje dhe jo serbët, sepse asnjë serb nuk është burgosur në Kosovë nga ana e EULEX, dhe gjithashtu ka akuzuar edhe Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak se janë kundër pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

“Ka raste kur mbi 15 vjet kanë qëndruar shqiptarë nëpër burgje, e jo serbët, e përsërisë, jo serbët, sepse asnjë serb nuk është kapur dhe burgosur për dhunën në Kosovë nga ana e EULEX. Qëndrimet e shqiptarëve në burgje kanë qenë pa vendime të gjykatave kompetente. Kjo është tepër e dëmshme dhe jo produktive, pikërisht sepse  kështu është humbur besimi në profesionalizmin e organeve që po vijnë nga Brukseli, Shiko tash se kush është ndërmjetësues në raportet Kosove-Serbi. I kemi thjeshtë dy veta tërësisht antisovranitetit të Kosovës. Tash dihet se z.Borel dhe z. Lajqek, njeri spanjoll e tjetri sllovake, janë dy politikan që janë kundër pavarësisë dhe shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi.

Burjani: EULEX në Kosovë nuk e di me sa a mund të jetë më shumë produktiv

Juristi, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota Sot”, se EULEX është disa vite në Kosovë, dhe nuk mund të jetë me produktiv.

Tutje, Burjani kritikon EULEX se Kosova nuk ka pasur përfitime në drejtësi dhe në trajtimin e rasteve kriminale, që siç thotë ai janë nga partitë politike.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se është menduar se ky mision do të ndjekë penalisht njerëzit e partive politike që janë pasuruar pa bazë.

“Tash janë bërë disa vite të EULEX në Kosovë nuk e di me sa a mund të jetë më shumë produktive, deri më tash ka pas shumë pak përfitime në depolitizimin e drejtësisë në Kosovë, në trajtimin e rasteve kriminale qe vinë nga partitë politike dhe përfaqësuesit politik  e partika nëpër institucione, shumë telash pa zgjidhje. Gjendja po mbetet e njëjtë, ne kemi prit qe ky mision ex officio do të ndjek penalisht njerëzit e partive liderët politik që janë pasuruar pa baze ,asgjë nuk ka pas prej këtij misionin në luftimin e krimialitetit politik ,nepotizmit  që po mbretëron në Kosovë apo korrupsionit të pandalshëm deri më tash, vazhdon të jetë e mjerë gjendja aktuale në drejtësi”, është shprehur Burjani.

Burjani ka thënë se ky mision duhet të marr mision të ri në zbatimin e vettingut.

“Ky mision ose duhet të merr mision te ri në zbatimin e vettingut në Kosovë që Kuvendi  duhet të nxjerrë një ligj të tillë, dhe të fillojë veprimin e vet ex officio për të pastruar shtetin nga nemptozmit”, ka përfunduar Burjani.

Kujtojmë se EULEX Kosova ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat